Amerikanët hapin barin “1912” në Vlorë, të mahnitur nga historia dhe mikpritja shqiptare
Në zemër të Vlorës, qytetit me rëndësi historike ku u shpall pavarësia e Shqipërisë, ka hapur dyert prej pak javësh një lokal i ri, i quajtur “1912”. Ky bar i vogël, por me një emër domethënës, është veçanërisht i dallueshëm pasi është themeluar nga një çift amerikan, Toni Di Lorenzo dhe bashkëshortja e tij, Kendall. Toni, një entuziast i historisë, shpjegon se emri i lokalit erdhi natyrshëm, pasi ai kishte mësuar për aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë përmes kërkimeve në internet.
Di Lorenzo tregon se, si shtetas amerikanë, ata kishin jetuar më parë në Tajlandë, por temperaturat e larta atje nuk ishin sipas dëshirës së tyre. Ata kërkonin një vend me katër stinë, me një kosto jetese të arsyeshme, potencial turistik dhe mundësi për të zhvilluar një biznes. Fillimisht, vëmendja e tyre ishte drejtuar nga Portugalia, por rastësisht hasën video mbi Shqipërinë. Pas vizitës së parë, çifti mbeti i mahnitur nga mikpritja, kultura dhe afërsia e njerëzve. Ndryshe nga Tajlanda, ku shpesh ndiheshin të huaj, në Shqipëri ata u ndjenë menjëherë si në shtëpinë e tyre.
Prej rreth tre javësh, çifti amerikan shërben kafe në këtë ambient të ngrohtë, ku klientët e parë, kryesisht të huaj, shprehin habi për fotografitë e figurave historike si Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi, të cilat zbukurojnë muret. Toni shfrytëzon rastin për t’u treguar atyre për kontributin e këtyre personaliteteve në historinë e Shqipërisë. Ai thekson se jo vetëm të huajt, por edhe shumë shqiptarë habiten me njohuritë e tij të thella mbi historinë kombëtare, duke shtuar se nuk ka vend më të mirë për të diskutuar mbi të sesa gjatë një filxhani kafeje.
Edhe bashkëshortja e tij, Kendall, është tashmë e dashuruar me Vlorën. Ajo vlerëson natyrën dhe motin fantastik të qytetit, si dhe njerëzit shumë të ngrohtë. Megjithëse ndihet pak keq që nuk e zotëron ende gjuhën shqipe, ajo shprehet se po shkëmben përvoja gjuhësore me vendasit. Sfida e vetme për momentin për çiftin amerikan mbetet mësimi i gjuhës shqipe, por ata janë të vendosur ta përvetësojnë atë, pasi e kanë projektuar jetën e tyre të ardhshme në Vlorë.
KOHA JONË SONDAZH

