Amnezia post-totalitare dhe letërsia

 

-Rastet e romaneve të Fatos Kongolit dhe Bashkim Shehut

Nga Virion Graçi

Nga dukuritë më komplekse në shoqëritë post-totalitare, si e jona, është marrëdhënia me të kaluarën e afërt, qëndrimi vlerësues/distancues ndaj saj, vendosja e një rendi të ri vlerash të përbashkëta në të gjitha nivelet për të mundësuar funksionimin normal e në vijimësi të jetës në çdo kategori. Mbizotëruese është prirja për të parë përpara, për të shpresuar tek e mira, tek e bukura; e domosdoshme është përpjekja për të ndërtuar marrëdhënie të reja mbi parime të ndryshme, mbase dhe të kundërta në shumicën e rasteve me principet mbi të cilat totalitarizmi mundësoi vetveten aq gjatë.

Megjithatë kujtesa, kjo pasuri e madhe e njeriut dhe e shoqërisë ka prirjet dhe këmbënguljet e saj për ta sjellë të shkuarën me vete në bashkëkohësi; kujtesa e ndihmon mendimin, logjikën, arsyetimin racional për t’i parë dukuritë, ngjarjet e reja të së tashmes të ndërlidhura e të ndërvarura fort dhe me të shkuarën. Kjo mund të thuhet me siguri për çdo njeri me shëndet normal mendor. Por, a ndodh e njëjta këmbëngulje spontane dhe e vijueshme e kujtesës dhe në institucionet shoqërore të kujtesës kolektive, përkatësisht: historia, letërsia, artet? Çfarë ndodh realisht pas kapërcimesh të mëdha epokale?Vendet që kanë kaluar nëpër sisteme diktatoriale në shek. XX janë të shumta dhe eksperiencat përkatëse, të ndryshme, por përvoja jonë, tani, çerek shekulli pas përmbysjes flet qartë në disfavor të kujtesës së mirë. Për një përligjje sociologjike mund të thoshim se problematikat e reja kanë pamundësuar qetësinë, kthjelltësinë, mjetet, moralin dhe infrastrukturën e duhur intelektuale për t’u vendosur përballë së kaluarës objektivisht. Por nuk mendojmë se është vetëm ky shkaku. Le të shohim si e trajtojnë filozofët një realitet të tillë, dmth, etapat e reja e të rëndësishme të rritjes së njeriut dhe të shoqërisë si mendim, si kujtesë e trashëguar, si botëkuptim në transformim, në proces.

Benedikt Anderson në veprën Komunitete imagjinare, në kreun Biografia e kombeve:Të gjitha ndryshimet thelbësore të ndërgjegjes bartin me vete një amnezi karakteristike. Pas përjetimit të ndryshimeve fiziologjike dhe emocionale të pubertetit, është e pamundur të “rikujtosh” ndërgjegjen e fëmijërisë. Të gjitha ditët prej fëmijërisë e deri në pjekuri zhduken menjëherë! Është e çuditshme se si kemi nevojë për ndihmën e dikujt tjetër që të kujtojmë se kjo foshnjë në fotografi je ti. Prej kësaj çuditjeje del koncepti i personshmërisë, identiteti, i cili për shkak se nuk mund të “kujtohet”, duhet të trillohet, të rrëfehet….(shkurt-v.g)….Sikurse me personat modernë, ashtu ndodh dhe me kombet. Ndërgjegjshmëria për t’u gdhendur brenda kohës seriale-laike bashkë me implikimet e saj për vazhdueshmëri, ravijëzon nevojën për një “identitet” të rrëfyer, të sajuar”.

Më tej B. Anderson arsyeton se biografia e kombit shenjohet sipas vdekjeve, luftërave të mëdha, por gjithsesi, vdekjet që strukturojnë biografinë e kombit janë të një lloji të veçantë, janë ngjarje anonime të panumërta, të cilat për hir të rrëfimit kujtohen/harrohen sikurse ndodh me ndodhitë e hershme tonat. Ngjarje me përmasa tragjike, si për shembull Nata e Shën Bartolemeut, pushtimet e përgjakura të kontinenteve të reja gjatë zbulimeve gjeografike, kapërcehen në heshtje ose emërtohen me perifraza relativizuese e eufemizma. Duke ndjekur këtë vijë arsyetimi gjejmë se të tjera vdekje/vrasje masive, masakra e shfarosje të njerëzve të pafajshëm: holokausti, Hiroshima, spastrimet etnike në Bosnjë e Kosovë etj., etj, në tekstet e zakonshme të historisë kalohen po ashtu me një fjalë të vetme ose anashkalohen krejt.

Duke qëndruar në Shqipëri, ku nuk ka pasur një qëndrim serioz të shtetit të ri demokratik, të institucioneve shkencore të kujtesës, është shpresuar që letërsia dhe artet me mjetet e tyre të bëjnë dëshminë e tyre për atë periudhë. Dy autorë të dalluar, F. Kongoli dhe B. Shehu kanë përsëri sivjet romane me fabul nga diktatura. Dhe në të dy romanet shfaqet amnezia më tepër se kujtesa, mbizotëron zbehja, tëhuajësimi i fakteve fillestare historike nëpër paqartësisë e qëllimshme të kujtesës trilluese.

F. Kongoli me Gjemia e mbytur, vendoset saktësisht te tipologjia e harresës kolektive: Glauk Fusha, biri jolegjitim i një të zhdukuri nga policia e fshehtë komuniste (Berti), ai që pritet të jetë protagonist nuk është i sigurt në identitetin e tij: Kush jam? Si quhem? A është e imja kjo kartë identiteti?- janë pyetjet dhe vuajtjet e tij mendore. Ai vetë është jetim nga përkatësia shoqërore dhe etnike (në aeroportin e Vjenës nuk di as kombësinë e tij) por ndihet thellësisht anonim gjenetikisht, krijesë aksidentale e një flirti të fshirë në harresë. Nga ana tjetër, personazhet dikur me biografi të plotë shoqërore e profesionale: Bektashi, ish-hetuesi Dhimo Shkurra, në post-diktaturë, pra në kohën e ndodhisë romanore përpiqen pa sukses të kujtojnë e të rimëkëmbin personalitetin e tyre. Të zhytur në anonimatin e harresës ata bëhen pjesë e një loje delirante e policore në të cilën i zhyt amnezia personale.

Në plan më të gjerë, amnezia si shenjë e vetëdijes së munguar historike dhe e krizës së thellë intelektuale, jepet me dosierin e kronikës së zezë të gazetarit hetues (Enkel Pojani), dosier i cili mbetet po ashtu i pakryer…

B. Shehu në romanin Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve nuk merret me personazhe që e kanë të humbur apo të dëmtuar rëndë kujtesën, ai krijon vetë një botë lëndore në roman, në gjirin e së cilës lexuesi nuk do të zbulojë a të kujtojë një botë të caktuar, të panjohur e të rëndësishme për të. Premtimi fillestar i B. Shehut- udhëzimi për të kuptuar dosjet e diktaturës, e humbet rrugën, bëhet pjesë e harresës. Autori-rrëfimtar e dëmton kujtesën historike të lexuesit duke e mbingarkuar rrëfim/përshkrimin me njohuri të gjithanshme nga natyra, nga gjeografia, nga mineralogjia, astronomia, antropologjia…Në pamje të përgjithshme, ky roman ngjan me një amalgamë enciklopedike pa strukturë e me karakter parodizues. Atëbotë fundamentale ndjenjash e ndodhish bazike që duhet të emocionojnë e të përfshijnë shpirtërisht e mendërisht lexuesin, pra, atmosferën emocionale dhe fabulën, autori ka dashur t’i zëvendësojë me simbolet e letrave të bixhozit, duke i shtirë dendur midis fjalëve simbolet përkatëse të vdekjes, të erosit, të fuqisë zyrtare, të pushtetit…. Kështu: zemra e zezë është shenjë e vdekjes; spathia e zezë shënjon armiqësinë; zemra e kuqe shënjon dashurinë, simpatinë, dashurinë,marrëdhënien seksuale ose thjeshtë seksin; rombi i zi shënjon pasurinë por edhe forcën, pushtetin, sqaron vetë autori sipas kartomacisë së bixhozit në prologun e quajtur Në vend të hyrjes.

Nga letërsia botërore me këtë problematikë kujtojmë dy emra: Herta Muller e Roberto Bolanjo. Këta autorë duke rrëfyer për diktaturat dhe post-diktaturat në ish-BRSS dhe në Kili, nuk e përcjellin a provokojnë amnezinë te lexuesi, te bashkëkohësit por artistikisht, me nota të qarta sarkastike e denoncojnë harresën që ka kapur shoqëritë përkatëse.

H.Muller jep një nga provat më të fuqishme të asaj që ka ndodhur në burgjet e kampet staliniste, jo vetëm mjerimin e ushtruar prej armikut, por dhe mjerimin, poshtërsitë që të burgosurit ia shkaktonin njëri-tjetrit; jep zvetënimin e tyre, dhe nënkupton përse këta të burgosur, bashkëvuajtës, kur dalin në liri i dredhojnë njëri-tjetrit, i fshihen, i përvidhen të kaluarës së tyre. Për më tepër protagonisti i romanit është i papranueshëm dhe në familjen e tij biologjike: ka lindur vëllai i tij, Roberti, i mbiquajtur nga narratori: Mosprekësi. Ky Robert Mosprekësi ka marrë gjithë dashurinë, kujdesin dhe respektin e familjes, kurse ish i burgosuri humbet dhe mundësinë biologjike të krijojë familjen e tij të re: ka degraduar në lypsar, endacak e homoseksual rrugëve të Vjenës.

Diktatura e Pinoçetit dhe bashkëjetesa e lumtur e shkrimtarëve dhe inteligjencies kiliane me të (krejt njësoj si në Shqipëri), jepet te Nokturne e Kilit e R. Bolanjos. Në shtëpinë e Maria Kanales, (letrare  mondane/mediokre e martuar me një agjent të CIA-s), mblidhen letrarët e artistët e dëgjuar të kohës, ndërkohë që bodrumet e shtëpisë së saj, policia sekrete e Pinoçetit, i ka kthyer në dhoma torture dhe vrasjeje për kundërshtarët politikë. Njëri nga artistët ngatërron hyrjen dhe rastësisht e zbulon këtë burg-kasaphanë të nëndheshme ku punon si specialist dhe bashkëshorti i Maria Kanales; artisti ua tregon dhe miqve letrarë-artistë atë që ka parë…dhe ata vazhdojnë me të njëjtin humor e përkushtim mbrëmjet e tyre mondane. Kjo bashkëjetesë harmonike me krimin shtetëror i karakterizon ata dhe pas rënies së diktaturës, ndaj protagonisti, padre Sebastian Urrutia Lakrua, në jerm të vdekjes thotë: “Duke u kthyer për në Santiago, tek po ngisja veturën, solla ndërmend fjalët e Maria Kanales. Kështu bëhet letërsia në Kili, por jo vetëm në Kili, edhe në Argjentinë e në Meksikë, në Guatemalë e në Uruguai, në Spanjë e në Francë e në Gjermani, dhe në Anglinë e gjelbër dhe në Italinë e hareshme. Kështu bëhet letërsia. Ose ajo që ne, që të mos biem në gropën e plehurinave e quajmë letërsi.”Ndërsa më parëpadre Lakrua është shprehur: “Një ditë prej ditësh e pyeta një romancier nëse dinte gjë për Maria Kanalesin. Djaloshi më tha se nuk e kishte njohur ndonjëherë. Po ju keni qenë në shtëpinë e saj, i thashë. Mohoi me krye sërish e sërish dhe aty për aty ndërroi bisedë. A ka zgjidhje kjo? Herë-herë kryqëzohem me fshatarë që flasin gjuhë tjetër. I ndal. I pyes për punët e arave. Më thonë se nuk punojnë në arë. Më thonë se janë punëtorë të Santiagos ose të periferive të Santiagos dhe se asnjëherë nuk kanë punuar në arë. A ka zgjidhje kjo?

H. Muller e R. Bolanjo kanë merituar nderimet më të larta të lexuesve në botë dhe të kritikës profesioniste. Shembujt nga letërsia shqipe, sikurse pamë, trajtojnë tema me peshë në kujtesën e përbashkët por ndjekin tjetër rrugë. Gjemia e mbytur ndonëse ngrihet mbi aluzionet dhe enigmat që kanë shoqëruar jetën dhe fundin tragjik të një sportisti të njohur i dashuruar me vajzën e ish- diktatorit, vetëm sa i mjegullon më tepër ato të panjohura. Kurse fjalori i B. Shehut jo vetëm nuk e zhbën misterin e dosjeve, por shndërrohet dhe vetë në gjeagjëzë, labirinth. Cilat janë arsyet e sakrifikimit të motiveve fillestare në romanet e tyre? Vokacioni artistik? Spontaniteti i vrullshëm krijues? Është abuzive të nxjerrësh përfundime për itinerarin genetik të këtyre veprave, nga ideja e fabula fillestare deri në variantin që i kemi si libra. Por, duke menduar për to mund të kujtojmë çfarë shkruan shkrimtari i njohur Eduardo Galeano për gjendjen e individëve në rrethana si tonat: “Nga frika të thahet goja, të lagen duart; ajo të gjymton. Frika të dënon me injorancë; frika të rrëgjon me impotencë. Në diktaturë kishim frikë të dëgjonim, të flisnim; ajo na bëri shurdhmemecë. Kurse tani, në këtë demokraci e cila ka frikë të kujtojë, po sëmuremi nga amnezia: por nuk është nevoja të jesh Sigmund Freud për të ditur se nuk ka qilim që nuk mund t’i mbulojë plehrat e kujtesës”.

Mapo

SHKARKO APP