Analizë teksti e epistolarit Rama-Basha

Nga Alfred Lela/Në letërkëmbimin Rama-Basha, kureshtarët e politikishtesmund të gjuajnë dhe gjejnë trofe nënkuptimesh. Me të drejtë, sepse ato që nuk janë thënë përbëjnë shumicë në raport me çka është thënë.

E thëna kryesore, për shembull, është nevoja për dialog, thirrja për bashkëbisedim dhe ftesa për një tryezë apo pakt. Të paktën sa për të bërë atë që referojnë termat e Ramës, bazuar në një klishe amerikane, ‘të biem dakord për të mos rënë dakord’.

Në letrën e kryeministrit, pa ndonjë analizë të thelluar teksti, mund të vëresh dy hepime arrogance. I pari është dimunitivi zoti Basha. Në letërkëmbimet e nivelit të lartë diplomatik apo politik, zakonisht përdoren kortezi të llojit I nderuar/I dashur zoti… Kjo, sigurisht, është një qëmtim në formë, i cili nuk mund t’i prishë punë thelbit por, duke e ditur zotin Rama një dashnor të formës, kjo lehtësi në adresim e ndez një gacë dyshimi. Sa ç’është hyrja e shkujdesur, dhe në këtë shkujdesje treguese, është mbyllja e njëfarë ushtrimi gjimnastikor në arrogancë, ku buis rivaliteti i hershëm i ‘çunave të lagjeve’. Te fraza ‘ne jemi gati, po ju a jeni?’, kryeministri shkërben tipologjinë mujshare ‘më dil të të dal’ dhe më shumë se kaq, një paragjykim ndaj të thirrurit në log, shefit të opozitës, duke i shpallur atij paguximin. “Po ju, a jeni gati’ është eufemizmi për ‘ty, në fakt, nuk ta mban’.

Letra, duket se i lë pas yshtjet e duelit dhe shfaq trajtat e pritës, kur diku aty nga mesi i tekstit, shefi i qeverisë propozon një përballje pa sekundantë, pra ‘pa prezencë ndërkombëtare’. (Krimet, dështimet dhe as mrekullitë pa dëshmitarët nuk ekzistojnë). Por, nuk është ky i vetmi lexim i kësaj fraze. Një i dytë mund të ishte: Le të tregojmë se ne shqiptarët jemi të aftë për dialog, çka është një prej formave të shtetformimit, atë të cilën të huajt shpesh nuk besojnë se e kemi.

Pa fillimin dhe fundin arrogant të letrës, ky i dyti do të kish qenë leximi beninj apo me besë i frazës.

Pjesa e dytë e epistolarit, kundërpërgjigjia e Bashës për Ramën, më shumë se dykuptimësi bart mëdyshjen e një dueli të ri me një kundërshtar të vjetër, i cili në përballje të mëparshme ka përdorur rrengje më shumë se ka dhënë betejë. Këtë ndjesi, Basha e shpërfaq që në krye të letrës kur rreshton rekordet negative të mazhorancës, duke filluar që nga Ligji i Nëpunësit Civil, Gjykata Administrative e deri te ligji për Mediat Audiovizuale.

Basha flet për vonesë dhe shkelje të mazhorancës, për një reformë të plotë kushtetuese, duke pranuar takimin, por duke hedhur në mes të kësaj mundësie dorashkën e një kushti: Zbatimin e menjëheshëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 70/4 të Kushtetutës. Do të thotë që ‘konflikti i interesit’ i deputetëve Suli e Leskaj të përfundojë për gjykim në Kushtetuese.

Përmbyllja me një kusht e Bashës, përkundër përmbylljes me një sfidë të Ramës, ndoshta nuk duhen lexuar si mjete që e pengojnë komunikimin apo takimin. Nëse deputetët Suli e Leskaj, siç edhe kanë njoftuar, do t’i ‘vetëdorëzohen’ Gjykatës Kushtetuese, duke u kërkuar kolegëve që të votojnë me të njëjtin karton si për z. Kokëdhima, kushti plotësohet.

Cilatdo qofshin dobësitë, kurthet apo mëdyshjet e epistolarit Rama-Basha, një gjë është e sigurt: Takimi i tyre, edhe nëse nuk prodhon një pakt politik, jep shenjat e normalitetit. Kësisoj është normalitet ta përshëndesësh si një gjest demokratik dhe të kontribuosh që perdja të hapet, skena të lëvizë dhe ngjarjet të ndodhin.

Është e pandershme që ta shpallësh natyrën apo trajtën e ngjarjeve që nuk kanë ndodhur ende. Sipas maksimës së njohur në politikë ngjarjet zbulohen duke ndodhur, nuk mund të parashikosh fund të keq bazuar në fillimet terse dhe as happy end si rezultante nisjesh të mbrothëta. MAPO

SHKARKO APP