Andi Bushati: Edhe mund të fitojë, nëse Ramës nuk i interesojnë më zgjedhjet e Tiranës!
Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për paraqitjen e Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, ku do të dëgjohet për ankimimin që i ka bërë shkarkimit nga detyra dhe dekretit të Begajt për zgjedhjet e Tiranës.
Bushati e quajti Veliajn, të burgosur politik, ndërkohë që shtoi se ekziston mundësia që ai të fitojë në GJK, pasi Ramës mund të mos i interesojnë më zgjedhje në Tiranë.
“Veliaj është një i burgosur politik, por këta (avokatët e Veliajt) nuk kanë të drejtë. Arsyet që thonë këta, nuk kanë lidhje me arsyen që e quaj unë. Unë e quaj sepse këtu ligji për të njëjtat fakte, dikë e fut në burg, dikë e amniston. Nëse Alqi Bllako, Koka, Ahmetaj, përfshihen te inceneratorët dhe përfundojnë në burg, dhe kryetari bandës është jashtë, ky quhet gjykim politik.
Ajo që më shqetëson, lidhet me debatin që po bëhej përpara, kjo gjykatë, GJK, e quaj gjykatë që ka mbajtur anën e qeverisë. Pyetja që kam, si ka mundësi që një gjykatë, ndoshta gjykata më e turpshme kushtetuese që ka patur Shqipëria në këto 30 vjet, këta Bajram Begajn, dekretin e rrëzuan 8-0? Çfarë ndodhi? Si ka mundësi që këta edhe i urdhëron Rama dhe votuan 8-0 kundër Ramës? Po mos Rama këtë herë nuk ka patur interes dhe i ka lënë të lirë? Mos Rama do ti anullojë zgjedhjet e Tiranës? Këto janë hipoteza.
Kjo 8-0 e parë, sikur duket se na parathotë, sikur është një indicie për atë që do të ndodhë nesër, që mund të kemi vendim të ndërmjetëm. Ka patur një kleçkë aty, që ta shkarkojë këshilli bashkiak, ai duhet dëgjuar. Pra ka disa hapësira Kushtetuesja.
GJK ose thotë duhej shkarkuar Veliaj, ose thotë shkarkimi ka qenë i gabuar. Edhe kjo ha interpretim. Hyjmë në pikën, a mundet një prokuror, që merr vendimin për të burgosur, kalon vendimin e arrestit në gjykatë, të zhbëjë, pa marrë vendimin, të zhbëjë vullnetin e gjithë zgjedhësve të Tiranës? Kush prevalon, dyshimi i një prokurori, apo 160 mijë qytetarë që të kanë votuar?”, tha ndër të tjera Bushati.
KOHA JONË SONDAZH

