Angela Merkel, si arriti të jetë sot gruaja më e pushtetshme në botë

 

Fëmijëria e thjeshtë në Gjermaninë Lindore, ku hija e Stasit e ndihmoi që vogëlushe, se si “t’i mbajë letrat pranë vetes”. Puna e parë në politikë, si hapëse e kutive të kompjuterëve. “Vogëlushja” e Helmut Kohlit, por që ishte ajo që i dha goditjen vendimtare mentorit të saj. Fizikantja që kur u shemb Muri ishte në sauna dhe pinte birra. Dhe pse në botën e politikës e konsiderojnë një “gjë të rrallë”?

Gruaja më e pushtetshme në botë ka një PhD në fizikë kuantike, udhëheq ekonominë më të pasur të Europës dhe është ndërmjetësja kryesore në një paketë masive shpëtimit të Euros.

Angela Merkeli e Gjermanisë është udhëheqësja e padiskutuehsme e partisë së vet politike, dhe ajo nuk has asnjë lloj opozite, edhe tani në mandatin e tretë si kancelare.

Merkeli u ngjit nga një fëmijëri e thjeshtë, në kohën e regjimit shtypës të Gjermanisë Lindore, “përmbysi” e vetme mentorin e saj politik, i vuri syrin pozicionit të udhëheqëses së Gjermanisë, në një ngjashmëri mbresëlënëse me homologen e saj britanike Margaret Thatcher, e cila gjithashtu ishte diplomuar në shkenca…

Angela ka lindur në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore, në 17 korrik 1954. Pak javë pasi lindi Angela, babai i saj lëvizi bashkë me familjen në Templin të Gjermanisë Lindore, rreth një orë larg Berlinit. Në fëmijërinë e Merkelit nuk mund të mungonte shenja e STASI-t, policisë së fshehtë gjermane. Stasi i bënte njerëzit paranojakë dhe, vogëlushja Angela mësoi që në fëmijëri se si “t’i mbante letrat sa më pranë kraharorit”. Duke u specializuar në ruajtjen e të fshehtave.

Një perfeksioniste

Angela Merkel shkëlqeu në shkollë, sidomos në lëndë si matematika, shkenca dhe gjuhët e huaja. Në vitet e adoleshencës, prindërit e nxitën që të hynte në organizatën rinore komuniste, Freie Deutsche Jugend, për të zhvilluar aftësitë që nevojiten për një karrierë në politikë. Pasi nuk arriti të kapërcente pragun për një kurs fizike në shkollë, ajo vendosi që të regjistrohet në Universitetin e Laipcigut për fizikë, me qëllim që të vërtetonte se e zotëronte vërtetë këtë lëndë.

Fizikante

Shumë popullore mes studentëve të tjerë, ajo fitoi vëmendjen e studentit Ulrich Merkel, me të cilin u takua gjatë një udhëtimi shkëmbimi eksperiencash në Rusi. U martua me të në vitin 1977 dhe u diplomua një vit më vonë me diplomë në fizikë dhe kimi fizike. E vazhdoi karrierën akademike dhe vijoi studimet në elitaren Akademia Gjermane e Shkencave në Berlin, ku mori PhD në kimi kuantike, në vitin 1986.

Përdori karrierën për t’iu fshehur regjimit

Pasi përfundoi doktoraturën, Merkeli punoi si kimiste në Akademinë e Shkencave, ku ishte një prej të paktave studiuese femra. Ajo ishte e bindur se një karrierë në shkenca do ta mbronte nga pengesat që nxirrte gjithmonë regjimi i Gjermanisë Lindore. Merkeli dhe bashkëshorti i saj u divorcuan në vitin 1982.

Më vonë ajo u martua me Joachim Sauerin, një profesor kimie.

Vlerësim për rutinën dhe qëndrueshmërinë

Në 9 nëntor 1989, natën kur u shemb Muri i Berlinit, Merkeli shkoi në sauna dhe më pas doli për disa birra me miqtë, ashtu si bënte cdo të enjte mbrëma. Vendimi i saj për t’iu përmbajtur rutinës së saj tipike është një shembull i një kontrasti të thellë me mënyrën se si shumica e njerëzve në Berlin reaguan atë natë.

Puna e parë në politikë, hapja e kutive

Në vitin 1989, Merkeli bëri një lëvizje drejt një karriere në politikë dhe iu bashkua aktivistëve të qendrës së djathtë në partinë e Zgjimit Demokratik. Puna e saj e parë ishte hapja e kutive të kompjuterëve të rinj dhe përgatitja e tyre nëpër zyra. Një vit më vonë, ajo u bë zëdhënëse e partisë dhe ia ndryshoi emrin partisë në Aleanca për Gjermaninë

Në botën e politikës, ajo ishte një “gjë” e rrallë

Si femër me doktoraturë në kiminë kuantike, Merkeli bënte përjashtim në fushën e politikës. Edhe në rolin e saj të ri dhe më të dukshëm si zëdhënëse, ajo vazhdonte të mbante flokë të prerë shkurt, funde të varur dhe sandale – dhe për këtë merrte jo pak kritika. Homologët e saj meshkuj shpërqendroheshin kaq shumë prej dukjes së saj, saqë u ofruan të paguajnë për rroba të reja dhe më të përshtatshme.

Shkëlqeu në detyrat politike

Ngjitja e Merkelit në majë u përshpejtua kur ajo iu bashkua partisë më të madhe në Gjermaninë Perëndimore, Christlich Demokratische Union. Ajo u përzgjodh për disa pozicione nga Helmut Kohl, mentori i saj dhe udhëheqësi i Unionit Kristian Demokrat (CDU). Kohli e emëroi ministre për gratë dhe, pak vite më vonë, ministre të mjedisit, ku ajo u morr me tema të shumëdebatuara si siguria bërthamore.

Goditja për udhëheqësin e partisë…

Kohli e quante “Maedchen” ose “vajza e tij e vogël”, deri kur Merkeli bëri publikisht thirrje për dorëheqjen e tij në vitin 1999, pasi ky u kap tek shpërblente miqtë me paratë e partisë. “Një prej gjërave që njerëzit nuk kuptojnë për Merkelin, është se ajo është një politikane e pamëshirshme”, tha për BBC ish shefi i kabinetit i Kryeministrit britanik, Jonathan Pouell. “Mënyra se si ajo u mor me të gjithë kundërshtarët brenda CDU-së është tipike makiaveliste. Ajo i hiqte qafe me një hapje- mbyllje sysh”.

… Dhe pastaj bëri histori

Katër vjet më vonë, ajo u zgjodh kryetare e CDU-së, duke u bërë e para femër që udhëheq një parti të madhe në Gjermani. Fushatën e saj Merkeli e nisi kundër kancelarit të Gjermanisë dhe udhëheqësit socialdemokrat, Gerhard Schroeder. (Burimi: Krijimi i Merkelit, BBC)

Klasi i saj e bëri shumë popullore mes votuesve

Gjatë një debati televiziv të drejtpërdrejtë, Shcroederi ngriti zërin ndaj saj nga përtej skenës, duke thënë se ajo duhej të pranonte që ishte një “humbëse e qartë”. Merkeli shfrytëzoi rastin për t’u përgjigjur me qetësi, një strategji që vazhdon ta përdorë për të dëmtuar kundërshtarët. Votuesit nisën ta shohin si një kandidate me maniera dhe me klas. Pak kohë më vonë, Merkeli u bë kancelare e Gjermanisë.

Ndërmjetësoi një paketë masive shpëtimi për 19 shtete

Momentet më të spikatur të Merkelit burojnë nga roli i saj qendror në menaxhimin e krizës financiare të Eurozonës. Pasi shtetet e tjerë europianë nisën të zbulojnë se edhe ata kishin borxhe të pamenaxhueshëm, Merkeli analizoi të gjithë opsionet e mundshëm përpara se të binte dakord për një paketë masive shpëtimi. Ajo u kritikua për qasjen e ngadaltë dhe pikëpamjete ngurta.

Merkeli përdor një qasje shkencore në politikë

“Njerëzit shpesh më akuzojnë se nuk veproj aq shpejt sa duhet. Që i lë gjërat të zgjaten shumë. Për mua është e rëndësishme që t’i shqyrtoj të gjithë opsionet… të shqyrtoj të gjithë skenarët, dhe jo thjeshtë eksperimente teorikë në mendjen time. Por unë përpiqem gjithashtu të jetoj për pak kohë me atë vendim. Mendoj për të gjithë ditën, për të parë si zhvillohet. Cfarë do të thotë, cfarë do të thonë njerëzit për të, kush do të shkruajë diçka për të, kush do ta kritikojë”, thotë Merkeli.

Nuk i dridhet syri para homologëve meshkuj

Gjatë vizitës së parë si kancelare në Kremlin, Presidenti Putin i dhuroi një qen pellushi pasi mësoi se Merkelin e kishte sulmuar një qen në mesin e viteve ’90. Në takimin pasardhës, ai kërkoi që t’i sillnin në dhomë qenin e tij të zi, Koni. Putini e la qenin të vinte vërdallë ndërkohë që vetë qëndronte me këmbët e hapura dhe me një ngërdheshje në fytyrë. Merkeli mbajti një fytyrë prej pokeristeje para Putinit dhe më vonë e përshkroi sjelljen e tij si “dobësi”. “Ai ka frikë nga dobësia e tij. Rusia nuk ka asgjë, nuk ka politikë apo ekonomi të suksesshme. Gjithë sa kanë është kjo”, u tha Merkeli një grupi gazetarësh. Ironikisht, veprimet agresivë të Putinit në Ukrainë e mbështesin këtë mendim.

Ekipi i futbollit i kombit i vendit të saj e adhuron

Merkeli është e para kancelare që vlerëson dhe mbështet sportet në vendin e saj. Ekipi e shpalli maskotin zyrtar të skuadrës dhe e quan Muttivation, një lojë fjalësh me nofkën e saj Mutty, që do të thotë mami. “Vizita e kancelares tek ekipi gjerman gjatë Kupës së Botës tregon se ajo i merr seriozisht njerëzit dhe interesat e tyre”, thotë studiuesi i marketingut, Manfred Guellner. / Bota.al

 

SHKARKO APP