Anita Bitri, 11 vjet pa këngëtaren e famshme vlonjate

Nga Zenepe Luka


Në  këtë 8 janar, këngëtarja vlonjate Anita Bitri kishte ditëlindjen, do mbushte 47 vjeç. Ndërsa në tetorin e vitit të kaluar mbushi 11 vjet që është ndarë tragjikisht nga jeta. Dhe ata që përjetojnë ende dhimbjen janë pjesëtarët e familjes, veçanërisht i ati, Skënderi Bitri, që prej muajsh ka zënë shtratin dhe përmes lotësh shprehet se “pas vdekjes së Anitës, nuk i qeshi më buza”. “8 janari ka qenë festë e përvitshme për familjen tonë, edhe në këta 11vjet që mungon Anita. Isha tek varri, vendosa një buqetë me lule të freskëta me të gjitha ngjyrat. Ndenja gjatë atje, është një varr gjigand, ku prehet një dhimbje gjigande, Anita me nënën e saj dhe vajzën. Nuk e di, por në kohën që jam atje, mbi kokë më fluturon një tufë zogjsh, që më pas ndalen në qiparizin pranë dhe këndojnë. Herë më ngjajnë me cicërimën e mbesës, Siborës; herë me këngën e Anitës kur ishte e vogël”, tregon ai për “KJ”. Duke shtuar se mundohet të kujtojë gjëra të bukura për vajzën e tij. “Kujtoj ardhjen në jetë të Anitës, ishte 8 janari i 1968-tës. Isha me shërbim në kufi, kur më lajmërojnë se kishte lindur vajza. Kur mora lajmin, qëllova në ajër me pistoletë, sepse e dëshironim të gjithë, pasi vinte pas dy djemve. Tërë kohën më ka dhënë kënaqësi e lumturi. Dashuria e saj nuk mungoi kurrë edhe kur pati probleme familja. Anita shërbente si urë lidhjeje dhe të gjithëve na falte dashuri”, shton Skënderi.

Rruga “Anita Bitri”

Në një datë 8 janar, dita e lindjes së Anitës, fondacioni “Nermin Vlora”në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit, organizoi ceremoninë e emërtimit të rrugës “Anita Bitri”, mbështetur në vendimin e  këshillit bashkiak të Vlorës. Pllakatën e zbuloi vetë mjeshtrja e madhe, Edit Mihali që do të shprehej se “Të krijon emocion fakti, që Bashkia e Vlorës, e ka përjetësuar këngëtaren vlonjate, të re në moshë, por me karrierë të pasur, në një rrugë kryesore”. Ky shembull duhet përhapur, sipas saj, në mënyrë që të respektohen dhe vlerësohen personalitete të artit dhe jo vetëm të artit, që kanë kontribuar për qytetin e tyre, Shqipërinë e tyre.

 

Kanë thënë rreth saj:

 

Irini Qirjako, Mjeshtre e madhe

“Pak ditë më parë isha në Amerikë për një koncert dhe u mbusha me krenari, për emrin dhe famën që kishte lënë Anita Bitri atje. Flisnin jo vetëm muzikantë, dashamirës të këngës, qytetarë të thjeshtë, por edhe personalitete amerikane. Sikurse unë, edhe të gjithë shqiptarët u emocionuan kur mësuam që gazsjellësit të qytetit, ku Anita u shua bashkë me nënën dhe vajzën e saj, i kishin vënë emrin “Anita Bitri”. Ne kolegët e saj, i gjithë arti shqiptar, krenohemi me Anita Bitrin, këngëtaren legjendë për nga zëri dhe tragjizmi”.


Dr.Makbule Çeço

“Një rrugë me emrin "Anita Bitri", është nderimi që i bëhet këngëtares, e cila megjithëse e re në moshë, ngriti në lartësi të mëdha, sikur të kish jetuar një shekull, vlerat e artit shqiptar, në tokën e saj, në shumë shtete të Ballkanit, por edhe përtej oqeanit. Bilbili i  këngës së muzikës së lehtë, është vlerësuar edhe nga diskografi botërore, duke u bërë pjesë e tyre. Anita Bitri nuk është thjesht tek një rrugë, tek një këngë, tek një film dokumentar, por ajo është në fondin e artë të artit shqiptar, në kujtesën e popullit të saj”.


Marika Kallamata, Artiste e Merituar

“Teksa kujtojmë Anita Bitrin, prekim të bukurën, të dhimbshmen. E bukura si vetë bukuria e vlonjates dhe këngës së saj, e dhimbshmja, si vetë tragjikja e shuarjes së jetës së saj në moshën 37-vjeçare”.


Edi Luarasi, Artiste e Merituar

“Një emocion tek rruga “Anita Bitri”, një buqetë me lule tek varri i saj. Ky është nderimi im për këngëtaren vlonjate, që megjithëse u nda shumë shpejt nga jeta, la pas një karierë të pasur artistike. Për njeriun nuk ka rëndësi se sa gjatë jeton, por është shumë e rëndësishme se çfarë emri dhe vepre lë pas. Anita Bitri, la pas një karrierë brilante, që artistë të tjerë të cilët kanë jetuar dyfishin e jetës së saj, nuk kanë mundur ta arrijnë”.

 

Biografi

Kënga e Anita Bitrit


Rrallë ndodh në jetën e një artisti që në një jetë kaq të shkurtër, të ketë edhe një karierë kaq të gjatë, sikurse ka ndodhur me Anita Bitrin. 37 vjet jetë dhe 32 vjet karierë si këngëtare. Ajo hyri në rrugën e artit qysh në moshën 5-vjeçare, duke i rënë violinës. Profesori Robert Papavrami, teksa shihte mjeshtërinë  e lëvizjes së gishtërinjve të vegjël të Anitës ishte shprehur se "kjo vajzë do të ketë një të ardhme të madhe prej artisteje". Ajo e nisi rrugën e këngës në qytetin e Vlorës dhe shumëkush do ta cilësonte një Vaçe të ardhme. Më 9 qershor 1986 iton çmimin e parë në festivalin e interpretuesve në Vlorë me kompozim të Arben Lezhës. 6 muaj më pas, Anita fiton çmimin e parë në festivalin e këngës që organizohet në Vlorë, kurse në qershor 1987 fiton çmimin e dytë me këngën "Hartimi dhe bora". Në vitin 1988, kur mbushi 18 vjeç, me këngën "E vogla mes shoqesh" me muzikë të David Tukiçit, juria e lerësoi me çmim të tretë, ndërsa spektatorët me duartokitjete e tyre e vlerësuan me cmim të parë. Pjekuria e Anitës do të sillte edhe suksesin e këngës së saj, "Shikomë në sy" kënduar me Frederik Ndocin. Kurse në koncertin e pranverës të vitit 1988, me këngën "Mos u nxito, mos u gabo", ajo rrëmbeu çmimin e parë dhe në pranverën e vitit 1989 shpërtheu me këngën "Lulet e majit,që çelin në janar", ndërsa tre muaj më pas ajo fiton çmimin e dytë në koncertin e këngës me këngën "Era përcjell fjalën të dua" të kompozitorit Gjergj Leka. Në vitin 1990, mori çmimin e parë me këngën "Askush nuk do ta besojë". Sfida për këngëtaren e re, është e pafund. Me këngën "S’ka formulë në dashuri", vlerësohet me çmimin e dytë, më pas një çmim të tretë me këngën "Dashuri ke emrin tim". Pas gjithë kësaj përvoje në skenë Anita Bitri do të organizonte koncertin recital, ku gjatë dy ditëve  në pallatin e sportit do të duartrokitej e vlerësohej maksimalisht nga bashkëqytetarët e saj, si një zë magjik, këngëtare profesioniste. Ndërkaq, në vitin 1996, Anita arriti në tokën e premtuar, duke përcjellë me zërin e saj mallin për vendlindjen, për tokën. Në vitin 1999, Anita Bitri nxjerr albumin e parë në SHBA të titulluar "Mall". Këngëtarja vlonjate ngjalli interesin edhe të personaliteteve të Hollivudit dhe kish nënshkruar kontrata të rëndësishmë që kishin bazë zërin dhe talentin e Anitës. Kurse në vitin 2002, Anita Bitri shfaqet si kantautore, tashmë ajo shkruan tekstin dhe kompozon muzikën, e priste të korrte suksesin. Kënga e vetme që bëri ishte “E shtrenjta vajza ime", që e këndon bashkë me të bijën 8- vjeçare, Siborën. Por vdekja tragjike e preu në mes ëndërrën e këngëtares së shquar vlonjate, duke lënë pas zërin legjendë dhe një karierë artitike si asnjë artist tjetër. 37 vjet jetë, 32 karrierë artistike….

 

 

 

SHKARKO APP