Ankimi i Veliajt në Strasburg, Ndreca: Do të depozitohet brenda shtatorit
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi se GJKKO-ja ka refuzuar kërkesën e avokatëve britanikë për t’u takuar me kryebashkiakun e Tiranës në paraburgim.
Në një intervistë për News24, Ndreca tha se nuk kishte argument juridik për refuzimin. “Argumenti ishte se pse kjo datë dhe, sipas prokurorëve, këmbëngulja e avokatëve për një datë të caktuar ishte e papërshtatshme. Nuk kishte arsye juridike”, u shpreh ai.
Ndreca njoftoi se mbrojtja do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar pengim të së drejtës për mbrojtje. “Ankimimi në Strasburg do të bëhet shumë shpejt, do të depozitohet brenda shtatorit”, tha avokati.
Sa i përket masës së sigurisë, Ndreca tha se nga Gjykata e Lartë pritet shfuqizimi i paraburgimit. “Ai nuk duhet të jetë nën masën ekstreme të paraburgimit”, deklaroi ai.
Avokati kundërshtoi gjithashtu mundësinë e zëvendësimit të Veliajt me një të komanduar, duke argumentuar se “qytetarët nuk kanë votuar të komanduarin, por të zgjedhurin”.
KOHA JONË SONDAZH

