Anton Mazreku me Riza Lushtën e Loro Boriçin, në stadiumin e Torinos

 Dhe ja, në një nga ato ditët kur kishte shkuar në këtë qytet për të dhënë disa provime, i ndodhën ngjarje të cilat po i rrëfej, ashtu siç i ka shkruar në shtypin e kohës dhe treguar edhe mua. “26 shtator i vitit 1942…si dhe herë të tjera, m’u desh të shkoja Bolonjë. Gjatë rrugëtimit,më rastisi me disa shokë të ndalesha në Torino. Dhe jo më kot: Atë të diel, në stadiumin e bukur të këtij qyteti do të ndeshej Juventusi me Lacion. Dëshira për të parë këtë takim, nuk ishte thjesht se ndesheshin dy nga skuadrat më të mira të Italisë, por, për më tepër, se me Juventusin luante ish-futbollisti i madh i SK Tiranës, kosovari Riza Lushta, i cili kishte disa vite që ishte lojtar i këtij klubi, i blerë nga Bari, kurse me Lacion, djaloshi 20-vjeçar shkodran ,Loro Boriçi, edhe ai si unë, student për drejtësi, por në Universitetin e Romës. A mund të lihej kjo ndeshje pa u parë? Me të mbërritur në Torino, ku kishte filluar të binte një shi i bezdisshëm, u ndalëm diku në një restorant, sepse zorrët po na këndonin nga uria. Ishim hollë nga paratë, sidomos shokët e mi, prandaj e pyeta kamerieren, një vetullsyzezë, të cilat rrallë t’i zinte syri në qytete veriore të Italisë, s’do mend në italishte: – “A keni jogurt, zonjushë?” Dhe ajo, buzagaz, me një lojë finoke fjalësh, m’u përgjigj shqip: – “Jogurt nuk kemi, por kos po..” Doli që ishte shqiptarkë… Mandej mësymë në stadium, bash disa minuta para se të fillonte ky takim që pritej me po atë interesim tifozësh, që priten tek ne takimetPartizani me 17 Nëntorin, apo Dinamon. Çmimi i biletave qe i kripur për një student, por unë, për fat të mirë, kisha me vete librezën e gazetarit sportiv të Radio Tiranës, ku vazhdimisht përgatitja kronika sportive. Por, si t’ia bëja me shqipot e mi xhepashpuar?!… Do të shtiheni kinse jeni gazetarë si unë,u thashë. – Rrugë tjetër nuk ka.

 Ata u shikuan sy më sy, por disi të ndrojtur

– Mos e humbni pusullën,- u dhashë zemër,- por buzëqeshni pa teklif, se prezantimin do t'jua bëj unë. Ata u rregulluan si mundëm, dikush krehu flokët , një tjetër lidhi birinxhi kravatën , shoku bri tij, mbërtheu setrën e kështu, kush më shumë e kush më pak, që të gjithë morëm një pamje bukur mirë, falë edhe rrobave që lumturisht, nuk ishin në atë derexhe sa për të vënë duart në kokë. Kësisoj, të dalë ku të dalë, morëm yrysh përpara. Biletaprerësi qëlloi një burrë i vjetër, me pamje babaxhane.Jo vetëm kaq,por pas tij shqova një gazetar italian, me të cilin isha njohur gjatë një vizite që ai kishte bërë në Shqipëri, një vit më parë, për të treguar në shtyp “ndihmesën e madhe”, që po jepte Italia fashiste edhe në fushën e kulturës dhe sportit në një vend të…pushtuar. Me të më parë, m’u afrua dhë më dha dorën. I shpjegova se kisha ardhur për të ndjekur këtë ndeshje së bashku me kolegë gazetarë shqiptarë. Në këto e sipër “gazetarët shqiptarë” u krekosën , thua se me të vërtetë ishin të tillë. Po, merreni me mend se në ç'gjendje u ndodha, kur italiani i pyeti se për ç’gazeta punonin. Unë e humba.  

“Bobo, – thashë me vete, – ç'na gjeti!” Po ke parë ti që shqipot u treguan hazërxhevap e tak-fak, me përjashtim të njerit, të cilit iu mor ca goja, ia këputën se njeri ishte i Tomorit, tjetri i Tomorit të vogël, një tjetër i Topkambës Shqiptare…i “Zërit Sportiv”, i “Kasnecit të Sportit”…(këto të fundit gazeta që nuk ishin botuar kurrë në Shqipëri) dhe  i fundit i “Sportit Shqiptar”, që e kisha drejtuar unë dhe që fashistët , si gazeta të tjera, e kishin mbyllur, me të pushtuar Shqipërinë. Kësisoj, jo vetëm u futëm në stadium, por edhe u ulëm si të ftuar të zgjedhur në vendet e ruajtura enkas për gazetarë të nivelit të lartë… Por, për dreq, vetëm dy prej nesh kishin ndonjë bllok shënimesh…Të tjerët, qoftë edhe ndonjë copë copë letre, stilograf a lapës, ndër xhepa për be nuk kishin, për të dëshmuar të paktën se njëmend ishim gazetarë. Mirëpo, fatlumturisht gazetarët “pe verteti” që na rrethonin, të pushtuar nga ethet e ndeshjes që doli me të vërtetë e rrallë, sa nuk behet, as që na vunë re. Për djall, shiu si për inatin tonë dhe të tifozëve juventusa-lacialë nuk kishte ndërmen të pushonte. E ndërkohë kur Riza Lushta gjatë një mësymjeje të Juventusit vuri shuplakën në ballë, e këqyri lart, si të truante retë e zeza që derdhnin rrkajë pika të pamëshirsme shiu të paprashëm duke e baltosur trullin e fushës për ibret, m’u kujtuan vargjet e Fishtës nga  “Lahuta…” e famshme:  “Riza pasha del n’kala,/I madhi zot se çka me pa!/Forta mjegull paska ra,/N’at Rrzhanicë, nën Podgoricë…”  Por të kthehemi te ndeshja: Siç ndodh jo rrallë , tifozët në radhën poshtë nesh qenë të shkartisur, pra një pjesë bënin tifo për Juventusin dhe pjesa tjetër për"Lacion. Po ne, për cilën nga këto dy skuadra do të bënim tifo? Për Lacion, me të cilën luante Loro Borici, apo për Juventusin, ku shkëlqente prej vitesh Riza Lushta, futbollistë që para ndeshjes u përqafuan dhe u puthën tërë mall. Ta themi faqeza, neve pak na hynte ne qese nëse do të fitonte Juventusi, apo Lacio. Ne, si shqiptarë, donim që ata të dy të luanin bukur që t’u dëshmonin tërë atyre në stadium se edhe nga një vend i vogël si Shqipëria, dalin lojtarë të mëdhenj. Ndaj, sa herë që sulmonte Juventusi, thërrisnim: “Jepi, Lushta, që të lumshin ato këmbë!…” Atëbotë shihnim se si tifozët e Juventusit kthenin kokën nga ne dhe gati sa nuk na rrihnin shpatullat , meqë , si të ardhur nga Shqipëria, qenkeshim tifozë të skuadrës së zemrës së tyre. Po merreni me mend se ç’ndodhte kur shihnin Loro Boriçin, të merrte yrysh drejt portës kundërshtare. Atëhërë ne të gjashtë shqipot, si të ishim, për gjashtëdhjetë, gërthitnim ne kupë të qiellit: “Forca, Loro,forca!…” Veç të shihje atëherë tifozët e Lacios, që ishin gati të na puthnin. Mirëpo, kur ata panë se sa herë që sulmonte Juventusi, brohoritnin për të, dhe po ashtu bënim kur sulmonte kundërshtari, atyre u hipëm kacabunjtë. Kjo ndodhi sidomos kur Riza Lushta i këputi një të goditur, ashtu sic dinte ai, që na kujton mëngjëroshen e Refik Resmjes, sa që i ngrati portier nuk diti nga t’ia mbante!.. T’u bë një zallamahi, ku ne shqipo e tifozë juventinë, u bëmë si ata pijanecët që puthen me lot e me qurra, kur janë bërë tapë. Në këto e sipër, ata të Lacios varën turinjtë. Bile njeri prej tyre sa një katana, mezi e përmbajti veten se, besa, dikush nga ne, do të kishte ngrënë ndonjë aperkut, si nga ato të Primo Karnerës që kishte qenë kampion bote i peshës së rëndë.

Pjesë nga libri i autorit “Unë, Çelentano dhe polici”.

SHKARKO APP