Aplikohet për herë të parë me sukses procedura e thjeshtuar në Doganën Shqiptare

Kompania “Marketing & Distribution” me administratore znj. Vilma Nushi është e para e autorizuar për të kryer procedurat e thjeshtuara në doganë për mallrat e importit dhe eksportit.

Teksa ditën e sotme u bë vetëm fillimi i aplikimit të procedurave të thjeshtuara nga ana e biznesit, ndërkohë që në vazhdim do të autorizohen edhe shumë kompani të tjera serioze të cilat do të përfitojnë nga kjo lehtësi në deklarimin e mallit në doganë.

Në fjalën e saj administratorja e kompanisë, në prani të Kryeministrit dhe Drejtores së Përgjithshme të Doganave u shpreh shumë e kënaqur për krijimin e kësaj metode të re deklarimi, e cila shkurton kohë dhe kosto për kompaninë e saj. “Nëpërmjet aplikimit të procedurës se thjeshtuar ne si biznes heqim një ngarkesë shumë të madhe kohore dhe financiare. Tashmë nuk kemi më nevojë që të shkojmë në doganë, të paguajmë kosto shtesë për karburant, shoferë, parking duke shtuar këtu edhe kohën e pritjes, por kamioni vjen direkt ne magazinat tona duke bërë deklarimin elektronik në doganë. Nga kjo proçedurë e thjeshtuar ne arrijmë që të kursejmë 5 deri në 6 mijë euro në muaj. Falënderojmë Doganën Shqiptare për gjithë punë e bërë deri më tani në mbështetje të biznesit dhe lehtësimit të proçedurave.

Kjo është një ndihmë për biznesin dhe na jep më shumë shpejtësi dhe siguri në punën tonë të përditshme. Ne e vlerësojmë këtë projekt të ri të doganës dhe shpresoj dhe ftoj edhe bizneset e tjera që të aplikojnë këtë proçedurë të thjeshtuar”,-  deklaroi administratorja e kompanisë “Marketing & Distribution”.

Më pas, është parë nga afër sesi kryhet e gjithë procedura e zhdoganimit të mallit, i cili pas futjes në pikën kufitare tashmë nuk shkon më në ambientet e doganës, por drejt e në magazinat e kompanisë. Me të mbërritur në magazinat e kompanisë dhe shihet malli, mbyllet tranziti i kamionit.

Më pas, personi i autorizuar i kompanisë për të kryer proçedurat menjëherë përpilon deklaratën doganore, të cilën më parë e bënte një agjenci doganore, dhe e dërgon atë elektronikisht në doganë, duke deklaruar mallin e mbërritur me të gjitha elementët e tij. Pasi merr deklaratën doganore nga ana e kompanisë, atëherë malli hidhet në qarkullim të lirë.

Më parë, kjo procedurë e kryer vetëm në pak minuta, kërkonte pothuajse 1 ditë kohë në doganë deri në çlirimin e mallit për qarkullim të lirë.

 

SHKARKO APP