Arben Ahmetaj: Rritja e besimit në ekonomi, është në nivelin më të lartë në 10 vite!
Rritja ekonomike e tremujorit të katërt 2016 shkoi 4% dhe rritja vjetore kaloi pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore dhe të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në 3.46%, thotë Ministri I Financave Arben Ahmetaj.
Sipas tij ekonomia është futur në një trend pozitiv të qëndrueshëm rritës. Shqipëria është vendi i dytë në rajon me 3.46% dhe sigurisht, ka patur një trend rritës të qendrueshëm që e dallon pothuajse nga të gjithë vendet e tjera.
Ahmetaj thotë se papunësia ra me 3.1, ndërkohë që pjesëmarrja në forcat e punës është rritur në 57.2. “Investimet e huaja direkte, një nga burimet kryesore të rritjes kanë arritur një Rekord, 1 miliard euro! Në programin e qeverisë kishim që në vitin 2017 investimet e huaja do arrinin 1 miliardë euro. E arritëm këtë objektv brenda vitit 2016. Rekord historik për investimet e huaja direkte dhe një premtim i mbajtur. Kredia në përgjithësi ka shenjat e veta rritëse, edhe duke e parë në Janar 2017. Sigurisht që kredia akoma nuk ka hyrë në atë trend rritës që ne presim. Rritja e kredisë vazhdon të jetë modeste, rreth 2.6% ka qenë për vitin e kaluar. Kredia për individët, sic e theksuam, shkon në 11%”,- tha Ministri Ahmetaj.
Në konferecën e dhënë sot për mediat, Ahmetaj ka folur dhe për rëndësinë që ka reforma në drejtësi në zhvillimin e ekonomisë. “Janë gati 183 mijë vende pune, që së bashku me 30 mijë vende të lira që akoma nuk janë okupuar nga qytetarët, janë gati 210 mijë vende pune të krijuara në një mandat, por është gati 27% për qind e gjithë totalit të punësimit në 20 vite e më shumë nëse doni, të krijuara në një mandat. Debati ku janë 300 mijë vende pune është realisht infantil. Janë 27 për qind gati vende të reja pune të krijuara në një mandat në katër vite. Besoj që kembëngulja jonë e drejtë, modeste, intensive, e palëkundur për Reformën në Drejtësi, do ta bëj edhe ekonominë shqiptare një ekonomi më të drejtë”, – tha Minsitri Ahmetaj.