Arbjola Halimi: Protesta e radhës e PD kundër Ministrit Beqaj

Flet deputetja e PD-së, Arbjola Halimi për gjendjen e Kuvendit, mbi protestën e radhës si dhe mbi të fshehtën që mban Ministria e Shëndetësisë

Intervistoi: Redjon Shtylla

 Pedagogia në Departamentin e Psikologjisë, Arbjola Halimi, tanimë, prej disa muajsh është pjesë e grupit parlamentar të PD-së, si një nga deputetet më të reja. Me një background në fushën e psikologjisë dhe të lektrimit, Halimi e sheh arenën politike si mënyrën më të mirë për të dhënë kontributin e saj, ndaj qytetarëve.  Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja nga Elbasani shpreh pikëpamjet e saj dhe pa dorashka ajo na tregon për Kuvendin, ku e quan një vend rreptësisht denigrues, e këtu e ka për fjalën për  fjalorin dhe siç deputetja e re e etiketon, një gjuhë rruge dhe e urisë së medias për t’u marrë me to. Në brendësi të intervistës, Halimi paraqet idenë që ka Ministria e Shëndetësisë, të cilën deputetja e opozitës e konstaton që kjo ministri po fsheh një të vërtetë dhe një problem të madh, që është ai i mbylljes së spitaleve rajonale në disa qytete. Ajo ngreh shqetësimin se ministria po shkurton vendet e nevojshme të stafit që kanë spitalet rajonale. Për sa i përket protestave që opozita ka deklaruar se do t’i vijonte që në fillim të këtij muaji, znj. Halimi është prononcuar se: “Shpresoj që protesta e radhës të jetë për shëndetësinë pasi është në kolaps dhe tjetra për reformën e aq folur të pensioneve dhe ndihmës shoqërore”. Një temë tjetër është dhe aksesi që do të kenë emigrantët, të drejtën për të votuar siç është shprehur dhe Kryeministri këto ditë, por deputetja Halimi e sheh në këtë këndvështrim. “Kjo në fakt nuk ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur mesa kam parë dhe kam pyetur, duke mbetur një premtim thellësisht elektoral”.

Znj.Halimi ju jeni një ndër deputetet e reja në Parlament. Si do ta vlerësoni arenën politike dhe çfarë shihni si domosdoshmëri për të ndryshuar?

Së pari, ju falënderoj për intervistën. Ajo që më ka bërë realisht përshtypje në Kuvend gjatë këtyre muajve si deputete kanë qenë fjalori vulgar dhe debatet pa argument nga një pjesë e mirë e kolegëve (kryesisht të krahut të majtë dhe vet Kryeministrit të vendit). Më kanë bërë shumë përshtypje batutat me të cilat u drejtohen grave në Kuvend, rreptësisht denigruese, të cilat pa frikë do t’i etiketoja një gjuhë rruge dhe urisë së medias për t’u marrë me ‘to, më shumë se sa me çështjet dhe ligjet që diskutohen që është dhe impakti i vërtetë i asaj çka ndodh në Kuvend. Më ka bërë përshtypje gjithashtu, se si një pjesë e mirë e kolegëve nuk kanë një informacion të detajuar për ligjet për të cilat votojnë, pra nuk njohin ligjet çka votojnë dhe kjo është e pafalshme. Kjo bën që shpeshherë debatet në komision të jenë më tepër mediatike, ndërkohë që, të gjithë kemi dhe përfaqësojmë profesione brenda, të cilave mund të japim kontribut me vlerë për ligjet që diskutohen. Nuk jemi thjesht mbajtës mandati. Kjo sigurisht shkon në paralel edhe me nivelin e formimit të deputetëve të zgjedhur të debatuar shpesh në median e shkruar dhe vizive. Gjithashtu, kam vënë re një tendencë, për t’i marrë ligjet e huaja shabllon, pa i përshtatur dhe në këto kohë të fundit pa  konsultuar me grupet e interesit ose në të kundërt e shndërrojnë aq shumë një ligj apo reformë saqë mund t’i humbasë komplet thelbi. (Për shembull në një seancë në komision për diskutimin mbi projektligjin për shoqërinë civile  na u tha se ishte përdorur modeli kroat, por kur e shikoje projektligjin përveç emrit nuk kishte mbetur asgjë nga modeli aq shumë ishte transformuar dhe në gjykimin tim përdorej thjesht për alibi). Kemi nevojë të jemi më të vërtetë sepse Shqipëria e sotme nuk është më ajo viteve ‘80, ‘90. Sot njerëzit na kuptojnë mjaft mirë se çfarë diskutojmë dhe duhet të jemi më seriozë me ta. Sigurisht, probleme ka shumë, por ato që do theksoja janë tonet e ashpra dhe fjalët e pavend në Kuvend, shoqëruar shpesh edhe me fjalime boshe pa përmbajtje. Ajo që do doja unë është që debati të zhvillohet pak më i thellë, të ketë jo vetëm formë, por edhe përmbajtje, thelb dhe një angazhim më të madh për problemet që ka vendi ynë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme në gjykimin tim është se politika duhet të afrohet më shumë me popullin për të parë se si përkthehen reformat e ndërmarra në popull dhe jo thjesht në qarqet qeveritare apo elitare. Në fund të fundit reformat për popullin bëhen.

Ministria e Shëndetësisë ka aplikuar skenën e shkurtimeve të personelit shëndetësor, kryesisht  në sistemin spitalor në rrethe. Ju si opozitë shpeshherë keni deklaruar dhe keni qëndruar kundër këtij vendimi. Sot çfarë është bërë me fatin e këtyre mjekëve, apo pjesë e personelit shëndetësor?

Ajo që ka ndodhur me shëndetësinë në Shqipëri gjatë kësaj qeverisje është e pabesueshme. Shpesh herë edhe vetë vë në dyshim se si mund të ketë kaq shumë abuzim, është aq e pabesueshme më duket. Por e vërteta është se gjithçka është e vërtetë. Ministri i Shëndetësisë më i paafti dhe më i papërgjegjshmi në gjykimin tim, nuk lë gjë pa shpikur për ta dhënë me konçesion. Shpesh herë edhe për shërbime fantazmë. Përveç abuzimeve ajo që e bën tmerrësisht të papranueshëm këtë ministër është qasja që ka me punonjësit në qendrat dhe institucionet shëndetësore. Nuk ka pikë respekti për ta (dhe këtë e kam me shembuj) për mënyrën se si i drejtohej dhe është një perfeksionist “oskari” sa i përket të gënjyerit. Shpeshherë teksa flet në Kuvend, më befason se si mund të gënjejë aq shumë dhe aq ftohtë. Sa i përket shkurtimeve të bëra të personelit kemi zhvilluar në fakt një seancë maratonë dëgjimore për të kuptuar se përse bëheshin këto shkurtime pasi në raport shkruhej se ky personel nuk ishte i nevojshëm pasi pacientët nuk shtroheshin në spitale. Vetë kam reaguar ashpër ndaj këtij qëndrimi pasi mos shtrimi në spitale i pacientëve dhe mungesa e dëshirës së tyre për të qëndruar në ambientet e spitaleve tona është për shkak të kushteve të tyre, përgjegjësi e drejtpërdrejtë e ministrisë dhe jo se personeli nuk është i dobishëm dhe efikas. Në dijeninë time një pjesë e mirë janë shkurtuar ose zhvendosur aty ku nuk mund të jenë efikase, thjesht për t’i zëvendësuar (p.sh. në qytetin e Elbasanit, një mami me përvojë dhe kontribut të gjatë zëvendësohet me një e sapodiplomuar që futet menjëherë tek lindjet pa bërë stazh). Sigurisht që, jemi në ndjekje të këtij problemi dhe ne si opozitë kemi kundërshtuar fort, por duhet të theksoj se shkurtimet e bëra në shëndetësi në spitalet rajonale janë në fakt një problem që ndonëse nuk është i vogël për ata që e kanë përjetuar tashmë, fsheh një të vërtetë dhe një problem më të madh, që është ai i mbylljes së spitaleve rajonale në disa qytete.

Qeveria shqiptare ka miratuar pr/ligjin për krijimin e regjistrit të emigrantëve. A është me të vërtetë një e drejtë e tyre apo Kryeministri e sheh për qëllim politik votimin e emigrantëve?

Personalisht, jam pro krijimit të një regjistri të tillë. Nuk do të kishte gjë më të mirë se sa të mund të votonin edhe emigrantët. Ata nuk janë pak dhe diku më pak apo më shumë fatet e tyre janë të lidhura me atë se çfarë ndodh në Shqipëri. Edhe nëse qëllimi do të ishte politik prapë do ta pranoja, më mirë diçka se sa asgjë. Do isha dakord për këtë regjistër edhe thjesht për votim (jo se emigrantët tanë meritojnë vetëm kaq), por çështja është se jam mjaft skeptike ndaj asaj që Kryeministri deklaron me atë që bën. Së pari, dua t’u kujtoj se ai premtoi shumë gjatë fushatës në vitin 2013 se do t’u siguronte emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe Itali marrëveshjen shoqërore në këto vende që nënkupton njohjen e kontributeve dhe përfitimin e pensionit. Kjo në fakt nuk ka ndodhur dhe as ka për të ndodhur mesa kam parë dhe kam pyetur, duke mbetur një premtim thellësisht elektoral.

Në optikën e një profesionisteje në fushën akademike si e shihni reformën administrative, ku personeli edukativ dhe mbështetës në arsimin parashkollor dhe atij parauniversitar, do të kalojë tek pushteti vendor, a rrezikon kjo lëvizje largimin nga puna? Në komision çfarë është diskutuar?

Jam kundra çdo varësie institucionale dhe aq më tepër varësi nga institucione të veshura me pushtet si ato të pushtetit vendor e më gjerë. Në kushtet e Shqipërisë do të kthenin vendet e punës në arsim bonuse për militantë, duke e çuar në kolaps edukimin e brezave të rinj, çka në fakt edhe ka filluar të ndodhë.

Gjatë protestës së fundit, z.Basha deklaroi se së bashku me të rinjtë do të kthejë ligjin e arsimit të lartë. Si mund të rikthej një ligj i miratuar? A lidhet ky premtim me ardhjen e opozitës në pushtet?

Po, sigurisht. Opozita ka kohë që flet për krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Nuk është dëshirë për pushtet, por domosdoshmëri. Ligji për arsimin e lartë i shndërron universitetet publike në skelete të ënjtura për mbijetesë dhe taksat studentore në një trend të paparashikueshëm rritës. Po kjo nuk më ka habitur, referuar gjuhës me të cilën i është referuar Kryeministri i vendit (një analfabet mendimi) personelit akademik në vend.

Si pjesë e opozitës, kur do të nisni protestat e radhës dhe këtë herë, ku do të jenë të fokusuara, çfarë do të kërkoni?

Protestat i kemi nisur dhe ato do të jenë të vazhdueshme. Shpresoj që protesta e radhës të jetë për shëndetësinë pasi është në kolaps dhe tjetra për reformën e aq folur të pensioneve dhe ndihmës shoqërore. Do të kërkojmë largimin e ministrit të Shëndetësisë dhe hetimin nga Prokuroria (e cila fle gjumë në gjykimin tim) të çdo koncesioni, tenderi dhe veprimtarie të kryer nga oligarkia Rama- Beqa etj..

Çfarë prisni të ndryshojë gjatë 2016-s, këtu e kemi fjalën për politikën, për situatat e krijuara, reformat dhe krizën e thellë të bashkëpunimit midis maxhorancës  dhe opozitës?

Së pari, pres që të mund të arrihet një marrëveshje për draftin e reformës në drejtësi kaq të debatuar këto ditë dhe kaq të nevojshëm për Shqipërinë. Së dyti pres që qeverisja e Edi Ramës të ketë ditët e shkurtuara pasi kjo është dhe nevoja urgjente që ka vendi.

CITIM

“Ajo që më ka bërë realisht përshtypje në Kuvend gjatë këtyre muajve si deputete kanë qenë fjalori vulgar dhe debatet pa argument nga një pjesë e mirë e kolegëve (kryesisht të krahut të majtë dhe vet Kryeministrit të vendit). Batutat me të cilat u drejtohen grave në Kuvend, rreptësisht denigruese, të cilat pa frikë do t’i etiketoja një gjuhë rruge. Më ka bërë përshtypje, gjithashtu, se si një pjesë e mirë e kolegëve nuk kanë një informacion të detajuar për ligjet për të cilat votojnë, pra nuk njohin ligjet çka votojnë dhe kjo është e pafalshme”, shton Halimi.

SHKARKO APP