Ari i gjelbër i Kosovës!
Dushku por dhe llojet te tjera janë të shpërndara kudo në ngastra relativisht të vogla të izoluara, kombinuara me arat e livadhet duke plotësuar hapësirat në mes 185,764 fermave të vogla bujqësore, (madhësia mesatare e të cilave llogaritet rreth 1,5 ha). Është një koinçidencë që në Kosovë madhësia mesatare e fermës bujqësore është pothuaj e barabartë me atë të fermës pyjore. Të dyja të vogla me madhësi mesatare 1.5 hektarë. Për jetesë të përditshme kjo fermë është transformuar nga përdorimi i pyllit privat apo publik në fermë private bujqësore, për të siguruar të ardhurat shtesë dhe ofrimin e materialeve, p.sh. për gardhe, mbështetje kulturash bujqësore, dru zjarripër përdorim vetjak, bazë ushqimore apo dhe materialet e tjera të përdorura në fermat e vogla bujqësore.
Shumica e dushkajave cungishte publike janë të degraduara dhe të mbi shfrytëzuara.
Cungishtet në Kosovë mbulojnë rreth 405,200 ha, duke ndarë 38% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit apo 84,2% të sipërfaqes totale. Nga sipërfaqja e përgjithshme e cungishteve 397,800 ha karakterizohen si pyje të thjeshta cungishte dhe 7.400 ha si cungishte me standarde. Pylli cungishte është 166,400 ha (41%) në pronësi private, 234,800 ha (58%) publike (në pronësi të shtetit) dhe rreth 4.000 ha është klasifikuar si pronësi e panjohur. Vëllimi total i pyjeve të Kosovës duke marrë parasysh drurët me diametër më të madh se 7cm mbi lëvore llogaritet 40.508.000 m3. Vëllimi i cungishteve të dushkut është 9.243.000 m3ose 22% të vëllimit total. Kjo është tepër e ulët kur merret në konsideratë sipërfaqja totale e zënë nga cungishtet në totalin e pylltarisë së Kosovës. Sipërfaqja e ndarë sipas llojeve, tregon se lloje te ndryshme të dushkut (Quercus spp.) mbulojnë më shumë se 200.000 ha. Llojet, përbërja dhe shpërndarja rezultojnë të ndryshme në raportet e IKP 2002-2012. Sipas inventarit të fundit të pyjeve, pyjet e dushkut ndahen në mes qarrit (Quercus cerris) me 46% të volumit, Bunga (Quercus Petrea) 40% të volumit dhe lloje të tjera një kategori të dominuar nga shparthi (Quercus frainneto) 14% të fondit të përgjithshëm.
Ndikimi i sistemeve menaxhuese në degradimin e cungishteve
Për përcaktimin e modeleve më të mira të menaxhimit të pyjeve cungishte janë kryer disa eksperimente në zona të ndryshme të Kosovës.Rezultatet e matjeve të realizuara në sipërfaqet provë, në sistemin e cungishtes së thjeshtë në pyllin privat, dhe në cungishten pyll publik që trajtohet me prerje përzgjedhëse, dëshmuan vëllim dhe rritje më të madhe në rastin e cungishtes së thjeshtë. Pyetja shtrohet: Është ky një realitet apo kemi të bëjmë thjeshtë me një rezultat rastësor? Një nga argumentet gjerësisht i pranuar i atribuon gjendjen ekzistuese të degraduar të cungishtave në pronësi publike, nivelit të lartë të prerjeve ilegale. Ky është fakt që vërtetohet edhe nga Inventarët Kombëtarë të Pyjeve të viteve 2002 dhe 2012. Matjet e inventarit të vitit 2012, dëshmojnë se në 10 vitet e fundit janë prerë mesatarisht për çdo vit 1.6 milionëm3. Shumica e tyre duket se është përballuar nga pyjet cungishte. Hipoteza që shtrohet këtu ka të bëjë më së tepërmi me krahasimin e rritjes dhe zhvillimit kur cungishtat trajtohen në dy mënyra të ndryshme – prerje me zgjedhje në cungishten publike krahasuar me prerjen me ricungim në celtira, breza apo shirita në cungishten në pronësi private. Cili do të ishte rezultati, nëse prerjet do ishin bërë me leje dhe do aplikoheshin në sistemin e prerjes me çeltira apo shirita sipas një programi të hartuar për çdo ngastër pyjore? A do të sigurohej i njëjti prodhim vjetor legal për Kosovën pa shkaktuar degradim të pyllit?
“Tabuja” e mos trajtimit të pyllit me ricungime, si për pyllin e thjeshtë të cungishtës ashtu edhe për cungishte me standarte, është gjerësisht i përhapur tek ne, por edhe në pjesë të tjera të Ballkanit. Përgjithësisht shumica e ekspertëve të pyjeve dhe politikë-bërësve të këtij sektori, shprehen kundër aplikimit të këtij sistemi. Argumentet qëndrojnë në faktin që pas prerjes rrah në disa gjenerata, në të shumtën e herës pas gjeneratës së tretë pylli cungishte degradohet. Në programet mësimore të shkollave dhe fakulteteve të pyjeve, i jepet më tepër hapësirë mësimit se si të konvertohet pylli cungishte se sa si të trajtohet sistemi i menaxhimit në vartësi të objektivave të pronarëve. Pas viteve 1990 disa autorë (Evans, Buckley, Rackham, Fuller and M S Ëarren, Peterken) në punime të ndryshme shprehen se sistemi menaxhimit të cungishtës bazohet në aftësinë e një pjesë të drurëve gjethore për lastarizim pas prerjes. Ricungimi vlerësohet si proces që ka ndikim në shtimin e jetës së drurëve për disa shekuj.
Vëzhgimet dhe eksperimentet e ngritura në kuadrin e zbatimit të projektit Sida CNVP, dëshmojnë se zbatimi me korrektësi i sistemit menaxhues të cungishtës së thjeshtë nuk është shkak për degradimin dhe uljen e prodhimtarisë së cungishtave. Kërkime e vëzhgime të mëtejshme janë të nevojshme për të realizuar njohje më të mirë të këtij sistemi të shumë kërkuar në kushtet e nevojave të larta për biomasë në zonat rurale të Ballkanit.
Nga analizat paraprake të bëra, konkludohet se objekt i degradimit masiv në të shumtën e rasteve janë pyjet cungishte publike. Ka një diferencë të madhe midis udhëzimeve për trajtimin e këtyre pyjeve dhe zbatimin në praktikë të tyre. Bazuar në udhëzimet e miratuara këshillohet që cungishtet të trajtohen më prerje me zgjedhje me cikël (rotacion) të gjatë mbi 50 vjet. Prerjet me zgjedhje në këto pyje janë realizuar kryesisht më rrallime në vitet e rinisë, si dhe me prerje ilegale selektive dominuar nga një metodë që në Kosovë quhet “prerje selektive negative‟ në cikël mjaft të shkurtër. Në këtë sistem priten me zgjedhje ilegalisht drurët që arrijnë diametrin më të madh.
Si të shmanget degradimi i mëtejshëm i pyjeve i dushkut?
Sistemet e menaxhimit të zbatuara në cungishtat e dushkut gjatë 5 dekadave të fundit kanë rezultuar në degradim dhe rënie të rritjes vjetore. Prodhimi vjetor i biomasës është shumë i ulët. Degradimi i pyllit në cungishtet publike rezultoi nga një strategji menaxhimi e autoriteteve pyjore që kanë synuar konvertimin e cungishtes në trungishte. Kjo është e mirë-realizueshme nëse praktikohet dhe zbatohet mirë. Megjithatë, planifikimi i dobët, mungesa e ndërhyrjeve silvikulturore dhe fokusi në prerjet selektive brenda grumbullit pyjor, ka rezultuar në degradim. Kjo është shtuar më shumë për shkak të presionit prej komuniteteve lokale për të përmbushur nevojat e tyre për dru zjarri. Kjo është realizuar shpesh përmes prerjeve ilegale në pyje publike. Si rezultat, shumë nga këto pyje të degraduara, janë aktualisht pa asnjë sistem planifikimi, menaxhimi dhe kontrolli.
Nga ana tjetër, pavarësisht nga kufizimet ligjore, sistemi tradicional i cungishtave mbijetoi në pyjet private të dushkut zbatuar përmes prerjeve me çeltira të vogla,shiritave e brezave, apo konopit në ngastra të vogla. Një nga karakteristikat që diferencoi sistemin e menaxhimit të cungishtës në shkallë të vogël (pyjeve private në përgjithësi) nga prerja selektive në cungishte (pyjeve publike në përgjithësi) është kujdesi dhe vigjilenca për mbrojtjen e filizave e lastarëve të rinj në vitet e para pas prerjes e krijimit të çeltirës nga ana e pronarëve të pyjeve.
Rezultatet e inventarit kombëtar të fundit tregojnë që pjesë të konsiderueshme të cungishtave aktuale nuk e shfrytëzojnë plotësisht potencialin prodhues të tokës dhe klimës se Kosovës. Është e nevojshme që të krahasohen sisteme te ndryshme menaxhuese ekzistuese dhe të eksperimentohen modele te ndryshme cungishteje me anë të ndërhyrjeve në shkallë të vogël, si dhe të ndahen e debatohen njohuri ekologjikeSpecifike, e duke reflektuar mbi rezultatet, të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme dhe të shmanget degradimi i mëtejshëm i pyjeve publike cungishte të bungës, qarrit, shparthit e bungëbutës.
Praktika e ndërhyrjeve në shkallë të vogël, duke praktikuar atë që quhet cungishte e thjeshtë, me prerje në çeltira apo shirita të vegjël në pyllin privat ka dhënë rezultate pozitive, me këtë sistem menaxhimi është realizuar një prodhim i rregullt i biomasës drunore (dru zjarri). Për çdo vit pritet sipërfaqe e vogël e cungishtës duke krijuar hapësirë të mjaftueshme që drita të shohë cungjet e të ushqejë filizat që shpërthejnë prej tyre e formojnë pyllin e ri. Këto pyje privatë janë tipike, një mozaik i pyllit shumë-vjeçar në menaxhimin dhe kontrollin e rregullt nga familjet që i kanë në pronësi.
Nga sa u tha del që konkluzioni më i rëndësishëm, është që mbetet një prioritet i lartë zgjedhja e ndërhyrjeve të duhura silvikulturore, për të realizuar dy objektiva shumë të rëndësishme: rehabilitim i pyllit të degraduar, si dhe një volum të lartë të drurit në këmbë të nevojshëm për të realizuar rritje e prodhimtarinë optimale nga pyjet. Duke parë rezultatet e cungishtes së thjeshtë të pronarëve të pyjeve privatë, sasia potenciale për një prerje të lejueshme vjetore të qëndrueshme mund të jetë, me shumë siguri më e lartë se sa është menduar më parë, edhe pse të një cilësie të ulët (cilësi për të prodhuar dru për ngrohje).
E ardhmja e njerëzve që jetojnë në zonat rurale vetëm me të ardhurat nga pylli do të varen në mënyrë të konsiderueshme nga fakti se si individët dhe institucionet reagojnë mbi ndalimin e degradimit të mëtejshëm të kësaj prone kombëtare dhe kthejnë atë në një menaxhim të qëndrueshëm. Rritja e ndërgjegjësimit dhe etë kuptuarit në trajtimin e këtyre cungishteve të degraduara është vendimtare. Gjithashtu, nevojitet që pronarët e pyjeve dhe institucionet të reflektojnë mbi mitet e tabutë e vjetra që lidhen me menaxhimin e cungishtes. Por,edhe aktorët kryesorë të sektorit duhet të ndajnë informacionin me njëri-tjetrin dhe diskutojnë se si institucionet, veçanërisht administrata pyjore dhe politikë-bërësit do të informohen për të njohur realitetin. Ndërgjegjësimi i tillë dhe pranimi i këtij realiteti dhe veprimeve që duhen ndërmarrë është e nevojshme të jetë në gjendje për të vënë në praktikë menaxhimin e cungishteve në shkallë të vogël, bazuar në njohuritë tradicionale dhe përvojën të vendosur në një mjedis të ri institucional të menaxhimit të përbashkët të pyjeve me përgjegjësi të përbashkëta.
Shumica e komuniteteve rurale në Kosovëjanë të rrethuar me pyje që mund të sigurojnë biomasën e nevojshme për prodhimin e energjisë, duke i bërë ata më të pavarur në sigurimin e nevojave për energji, të zvogëlojë shpenzimet dhe të sigurojë punësim. Veçanërisht menaxhimi i cungishtes në shkallë të vogël mund të kontribuojë në prodhimin e qëndrueshëm të biomasës. Përveç prodhimit tradicional të drurëve të zjarrit, cungishtet tani do të duhet të ofrojnë produkte të tjera të biomasës së drurit për prodhimin e energjisë ashkla, peleta etj.). Këto produkte nuk janë konsideruar nga APK me leverdi ekonomike deri para pak kohësh. Në ketë kontekst angazhimet e Konferencës sëKëshillit të Ministrave të Evropës për Mbrojtën e Pyjeve (KMEMP) tek (i) kontributi në zbatimin e Protokollit të Kyotos, duke nxitur mes tjerash një rritje në përdorimin e bioenergjisë nga pyje të menaxhuara në mënyrë të qëndrueshme (Rezoluta e Vjenës v5 – KMEP 2003) dhe (ii) rritjen e rolit të sektorit pyjor në prodhimin e energjisë dhe promovimin, mobilizimin e burimeve të drurit (Rezoluta e Varshavës W1 – KMEP 2007) janë me interes.
E zgjodhi për publikim Arjol Lila