Arratisja e Gruevskit, Felaj: Nuk më përket mua, çështja po hetohet
Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj nga pika kufitare e Hanit të Hotit ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion në lidhje me arratisjen përmjet Shqipërisë, të ish-kryeministrit Maqedonas Nikolla Gruevski.
E pyetur se nga ka hyrë Gruevski, Felaj u përgjigj:
“Këtë përgjigje nuk mund ta jap si kryetare e komisionit të sigurisë. Më përpara kam qenë prokurore dhe për këtë përgjigje mund të japin vetëm organet e hetimit si ka ndodhur kalimi, nga ka hyrë apo nëse ishte apo jo në kërkim në momentin kur ka kaluar përmes Shqipërisë. Nuk është një çështje objekt i deputetëve të komisionit të sigurisë. Nga sa kemi parë në media çështja po hetohet”.
Felaj bashkë me përfaqësues të OSBE zhvilluan një takim në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit në Shkodër. Pas një mbledhjeje në doganën shqiptare dhe takimit me policinë kufitare Felaj tha se janë evidentuar nevojat që kanë pikat e kalimit kufitar.