Arrestohet qytetari…
Fejton nga Thoma Goga –
Çfarë nuk na shohin sytë e nuk na dëgjojnë veshët?! Kjo bota e internetit na qenka një det pa fund. Po një “det” që duhet të ketë sa më shumë valë. Po nuk pati valë, ëhë, të la në mes të detit. Ja, hyjnë e “notojnë” të mëdhenj, të vegjël, nipërit e mbesat, gjyshërit e gjyshet, me shkollë e pa shkollë. Po këta pa shkollë, do thoni ju, ç’bëjnë? Thjesht shohin fotot e u fusin të gjithëve nga një “like”.
Dhe shteti, sidomos ky yni, ka shpikur ca marifete që i vë në punë këta soj “notarësh”. Ja shpiku “qytetarin dixhital”. Askush nuk ia di emrin, vendin, origjinën… Thjesht ia ngjitën “qytetari dixhital”. Është si “Partizani Panjohur”. Po ndryshon shumë me këtë të fundit. Këtij “dixhitalit” mund t’ia vëmë edhe “Spiuni Panjohur”. Edhe kështu shkon. Madje ngjit më shumë. Mirëpo sa punë i bën shtetit? Shumë. I vjen në ndihmë për të kontrolluar vjedhjet, abuzimet, arrogancën e pushtetarëve… Ja një rast ku shteti “shpëtoi” nga një vjedhje e përmasave “apokaliptike”, sipas atij “dixhitalit”. Po citoj lajmin:
“Sipas infarmacioneve të ardhur nga “Qytetari dixhital”, “në fshatin Gogolas u arrestua qytetari (jo dixhital) me inicialet M.M. i cili kishte hyrë në një arë me misër dhe kishte marrë 10 kallinj”. I shkreti M.M., i papunë, pa asistencë sociale mori këta kallinj misër për të kaluar darkën me fëmijët. Mirë, mirë po ara me misër na paskësh qënë e një pushtetari. Dhe fakirin fukara e rrasën në burg për një muaj”. Në fakt këtij i bënë nder, se në burg do hante si në restorant pa paguar. Po fëmijët? Sigurisht do i futeshin arës më misër, që të bashkoheshin më babanë. Ishallah t’i shikonte ai “dixhitali”…
Si për dreq të nesërmen lexova dhe një tjetër lajm. Këtë herë lajmi vinte nga bota e qytetëruar moderne perëndimore. Afërsisht lajmi thoshte: “ Forcat e policisë kishin arrestuar një qytetar që kishte hyrë në një furrë buke. Pas tri ditësh e nxorrën në gjyq. I pandehuri deklaroi se kishte hyrë në furrë vetëm e vetëm se po vdiste nga uria. Ky motiv u mor parasysh nga trupi gjykues, sepse uria është një fenomen biologjik. Dhe kryegjyqtari dha vendimin: “Në bazë të Kodit Penal, dënohesh me 10 dollarë. Po duke qënë se ju nuk keni mundësi t’i paguani, këto dollarë do t’i arkëtoj unë tani”. Dhe në çast nxorri 10 dollarë, ia dha sekretares t’i depozitonte në arkë. Pastaj iu drejtua njerëzve në sallë: “A nuk ndiheni dhe ju fajtor që një qytetar i barabartë si ne të gjithë, të vdes prej urisë? Sot e zgjidha unë problemin, nesër zgjidheni ju, në se keni moral humanitar”.
Dhe në sekretari u mblodhen plot 500 dollarë që shkonin për llogari të të pandehurit.
Po ky “dixhitali” ynë nuk të fal. Kishte informata se në një bankë marifetçinj të mirëstërvitur po organizonin një vjedhje. Po jo aq e madhe sa ajo “apokaliptikja” e mistrit. Bëhej fjalë për ca miliona me thasë “të vegjël”… Shteti, që e kap lepurin me qerre, grumbulloi fakte e prova përmes rrugëve operative. Rezultati; këtë herë “qytetari dixhital” kishte lajthitur. Menjëherë në sallën operative mbërritën “ustallarët” e prangave. Arrestuan atë “dixhitalin” për dëshmi të rreme. E si të futeshin në burg gjithë ata burra zamani?! Dhe për çfarë? Për ca miliona “të qelbur”…
Eh, jetojmë në kohë të çuditshme. Ruhu nga “spiunat dixhitalë”, vëlla. Vetëm kështu mund ta bëjmë këtë m…t shtet…