FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Arsyet që çuan në dorëheqjen e rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Rektorit i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Nga Albert Vataj

Dorëheqja e rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, shënon një nga episodet më domethënëse të përplasjes ndërmjet autonomisë universitare dhe ndikimit politik në institucionet e arsimit të lartë. Përmes një letre drejtuar ministres së Arsimit, ai argumenton se vendimi për t’u larguar nuk është një akt personal apo dorëzim përballë vështirësive, por një qëndrim parimor ndaj asaj që e konsideron cenim të pavarësisë institucionale të universitetit.

Sipas Gjurajt, pika kulmore e këtij konflikti lidhet me ndërhyrjet në proceset vendimmarrëse të universitetit, veçanërisht në emërimin e administratorit nga Bordi i Administrimit, një vendim që ai e ka kundërshtuar publikisht. Në letrën e dorëheqjes, rektori rendit një sërë problematikash që, sipas tij, kanë penguar procesin e reformimit të universitetit, duke përfshirë shkelje të procedurave ligjore, injorimin e rekomandimeve institucionale dhe krijimin e pengesave ndaj përpjekjeve për transparencë dhe transformim.

Swiss Digital Desktop Reklama

I zgjedhur me votën e komunitetit akademik dhe me synimin për t’i dhënë universitetit një profil më dinjitoz, më konkurrues dhe më të pavarur, Gjuraj pohon se përpjekja për ndryshim u përball me rezistencë të vazhdueshme. Në këto kushte, ai ka zgjedhur t’i rikthehet jetës akademike si profesor, duke deklaruar se integriteti i mandatit të tij nuk mund të bashkëjetojë me ndërhyrje që, sipas bindjes së tij, cenojnë autonominë universitare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më poshtë, letra e plotë e dorëheqjes së Prof. Dr. Tonin Gjurajt, drejtuar ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro:

Po ju drejtohem me këtë letër, për të ripohuar një parim themelor, i cili udhëheq mënyrën se si e kuptoj dhe ushtroj detyrën që më është besuar, si dhe përgjegjësinë institucionale që buron prej saj. Ky parim duhet të mbetet i qartë dhe i pandryshueshëm në çdo rrethanë, që lidhet me funksionimin dhe drejtimin e universitetit.

Detyra e rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” më është besuar përmes një procesi konkurrimi dhe votimi akademik. Mandati buron nga komuniteti universitar dhe, mbi këtë bazë legjitimiteti, mbështetet drejtimi i këtij institucioni publik.

Kandidimi për këtë detyrë nuk ka qenë një hap për të përmbyllur një karrierë personale, tashmë të konsoliduar prej kohësh në institucione të tjera të arsimit të lartë dhe diplomaci.

Përkundrazi, pranimi i këtij funksioni lidhet me bindjen se, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” meriton një proces të mirëfilltë transformimi institucional, mbështetur në transparencë, përgjegjësi publike dhe respekt për autonominë universitare, në përputhje me rolin e rëndësishëm që ky institucion zë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Detyra e rektorit nuk është as mision personal, as një mekanizëm imponimi, por një funksion institucional, që kërkon partneritet dhe mbështetje për forcimin e cilësisë akademike, përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe afirmimin e universitetit në rolin që i takon në jetën publike dhe zhvillimin intelektual të qytetit të Shkodrës e më gjerë.

Kjo është një përgjegjësi, nderim dhe detyrim ndaj traditës së këtij institucioni dhe këtij qyteti, por, mbi të gjitha, prindërve dhe studentëve që ia besojnë këtij universiteti formimin dhe të ardhmen e tyre.

Që në fillim të ushtrimit të detyrës sime kam theksuar se, universiteti duhet të qëndrojë larg çdo ndikimi politik.

Rektori nuk përfaqëson interesa politike, por ai shërben në funksion të komunitetit akademik dhe publikut. Në këtë kuptim, çdo mbështetje institucionale, përfshirë edhe ajo e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Shkodrës, që, në fakt, nuk kanë munguar, ka qenë dhe mbetet e mirëpritur, sa kohë që respekton këtë parim dhe kontribuon në zhvillimin e universitetit.

Në këtë frymë, kam kërkuar mbështetje për përpjekjet e nisura dhe jo krijimin e barrierave artificiale, që pengojnë një proces transformimi të domosdoshëm për universitetin dhe rolin që ai duhet të ketë në jetën e qytetit.

Kjo qasje, me sa duket, nuk gjeti mirëkuptimin e duhur dhe nëse ushtrimi i këtij funksioni shoqërohet me ndërhyrje që cenojnë autonominë institucionale, atëherë nuk po hezitoj të lë në tavolinë dorëheqjen time dhe t’i rikthehem jetës akademike si profesor. Rektori është i përkohshëm, Bordi i Administrimit (BA) i jashtëkohshëm, por Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është dhe mbetet i përhershëm.

Vendimi i BA-së për emërimin e administratorit është, sipas meje, i papranueshëm dhe një qëndrim të tillë, siç dihet, unë e kam bërë publik. Por, kjo thellohet më tej, kur, po ky Bord, pa bazë ligjore, në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese në raport me stafin tjetër akademik e administrativ, merr vendimin për t’i shtyrë moshën e daljes në pension.

Përveç kësaj, BA, përfshirë dhe 4 përfaqësuesit e MA në të, injoron dhe hedh poshtë me arrogancë, Raportin Final të Grupit të Punës të ngritur prej jush, pas kërkesës sime, për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të konkursit publik për rekrutimin e personelit administrativ, në vitin 2025, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Ky Raport i jep të drejtë pretendimeve të rektorit, ku konkludon qartë se: “shpallja për punësim nga BA është e pavlefshme”. Vendimi i BA, nr. 2015, datë 15.07.2025 “Për miratimin e kritereve për procedurat e rekrutimit të stafit në varësi të administratorit”, është në kundërshtim me ligjin nr. 80/2015, dhe si i tillë është nul dhe nuk duhet të sjellë pasoja juridike.

Bordi i Administrimit vijon shkeljet ligjore, duke paguar honorare projektesh në mënyrë preferenciale, pa vendime Bordi, por direkt nëpërmjet administratorit, pa filtër shkencor dhe të pacertifikuar nga drejtoria përkatëse dhe rektori, siç ka qenë dhe është praktika normale.

Sa më sipër, unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej BA, kurse ata, të gjithë së bashku, kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar.

Mandati që buron nga komuniteti universitar nuk është vetëm një e drejtë për të drejtuar, por një detyrim për ta ushtruar atë me integritet, në respekt të autonomisë universitare dhe në shërbim të universitetit e qytetit të Shkodrës.

Lutem, zj. Ministre, t’i referoheni nenit 39 të Ligjit 80/2015, pika 9, për të garantuar vijimin normal të funksionimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, pas dorëheqjes sime të parevokueshme, në dobi të studentëve dhe komunitetit akademik.

Përulem me mirënjohje më të thellë dhe shpreh ndjesën më të madhe para dhe për qytetarët e Shkodrës, prindërit të studentëve, stafit akademik, administratës dhe studentëve, veçanërisht atyre që mbështetën projektin tim të përditësimit të traditës, nxitjes së transparencës, si dhe nisjes së transformimit institucional, i cili, edhe pse me barriera e vështirësi nga më të ndryshmet, sapo kishte filluar të shfaqte frytet e para.

I uroj përparësi UNISHK-ut dhe suksese në punën tuaj, zj. Ministre!

Me mirëkuptim,

Prof. Dr. Tonin Gjuraj

Dorëheqja e Prof. Dr. Tonin Gjurajt nuk përfaqëson thjesht largimin e një drejtuesi universitar nga detyra. Ajo ngre pyetje të rëndësishme mbi kufijtë e autonomisë së universiteteve publike, mbi raportin ndërmjet institucioneve akademike dhe strukturave politike, si dhe mbi sfidat që shoqërojnë çdo përpjekje për reformim të thellë institucional.

Pavarësisht se si do të gjykohet kjo ngjarje nga palët e përfshira, letra e rektorit mbetet një dokument që dëshmon tensionet, dilemat dhe përplasjet që shoqërojnë drejtimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Ndërsa Universiteti “Luigj Gurakuqi” do të vijojë rrugëtimin e tij me drejtues të rinj, debati i hapur nga kjo dorëheqje pritet të mbetet gjatë në vëmendjen e opinionit publik dhe të komunitetit akademik, si një provë për mënyrën se si kuptohet dhe mbrohet autonomia universitare në praktikë.

Sepse, siç kujton vetë Gjuraj në fund të letrës së tij, rektorët dhe bordet janë të përkohshëm, ndërsa universiteti mbetet. Dhe pikërisht te ky institucion i përhershëm, te misioni i tij për të formuar dije, qytetari dhe të ardhme, duhet të gjendet gjithmonë arsyeja e çdo vendimi, debati apo përballjeje.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?