Artan Singa: K.F Kevitan, e krijova që talenti të mos shkoj dëm
Lajme E Shtunë, 17 Prill 2021 18:34
Të sponsorizosh sportin dhe futbollin në Shqipëri, nuk është gjë e lehtë. Në mungesë të investimeve të shtetit dhe larg vëmendjes së autoriteteve, Shqipërisë i humbin çdo vit me qindra talentë. Por një i apasionuar pas futbollit, me ekperiencë të kaluar në Angli, Artan Singa, ka marrë përsipër të shpëtojë sadopak talentë të këtij vendi, shtresa në nevojë, kryesisht të rinjtë, që luajnë futboll. Duke i parë fëmijët e braktisur dhe të lënë në rrugë, siç ndodh rëndom në Shqipëri, biznesmeni Singa, vendosi të krijojë një ekip futbolli, me emrin “K.F Kevitan”, që ka si qendër zonën “Don Bosko”. Pak muaj pas krijimit dhe rregjistrimit në FSHF, ekipi i tij militon në Kategorinë e Tretë. Në tre javët e para skuadra e “Kv Kevitan” ka arritur tre fitore radhazi. Frytet e suksesit, presidenti dhe drejtuesit kanë nisur t’i shijojnë shpejt. “KF Kevitan” nuk ndodhet rastësisht në krye të klasifikimit dhe madje ka premisa për t’u ngjitur brenda një viti në Kategorinë e Dytë. – “Ekipi im është krijuar më tepër si OJF, për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë, shtresa në nevojë që duan të luajnë futboll, por që më parë nuk kanë pasur mundësi” – thekson për “Koha Jonë”, Artan Singa. – “Eksperienca ime e kaluar ka qenë në Angli, ku pesë vite më parë pata krijuar atje një ekip futbolli. Pas kthimit në Shqipëri gjeta të rinj, me dëshirë për të luajtur futboll, me talent, por që fatkeqësisht ishin braktisur. Grumbullova rreth 34 futbollistë, me të cilët krijova Klubin e Futbollit të Kevitan,” – shton më tej, Singa. Ai ia ka besuar ekipin trajnerit të njohur lezhian, Mark Vataj dhe e menaxhon Mirgit Vataj. – “Disiplinë, punë, përkushtim, rezultate,” – janë ato që presidenti i kërkon ekipit të tij. Deri dje pa uniformë, pa fushë, madje edhe pa topa, ndërsa sot të gjithë lojtarët e këtij ekipi kanë nga tre uniforma, si dhe zhvillojnë stërvitje të rregullt në një nga komplekset e “Don Boskos”. Në pak muaj, në radhët e këtij ekipi kanë nisur të evidentohen edhe talentët e parë. Synimet afatgjata të presidentit Singa janë që këta lojtarë të mund të promovohen një ditë në ekipet të njohura, pse jo edhe jashtë vendit. – “Pasioni dhe talenti i disa të rinjve që kam në ekip, më bën edhe më optimist për të investuar. Shpresoj që një ditë t’i shoh ata të luajnë me ekipe të mëdha, edhe jshtë vendet,” – thekson Singa. Kështu, shoqata e krijuar prej tij me mision për të përhapur dhe organizuar aktivitete futbollistike, me fëmijë dhe të rinj, kryesisht të atyre shtresave që nuk kanë mundësi ekonomike, apo jetimëve, po funksionin më mënyrë perfekte. “K.F Kevitan” është më shumë se një ekip futbolli. Misioni i kësaj skuadre flet qartë.
Fitorja e tretë readhazi, FC. Kevitan 3-2 ndaj KF Spartak
Për të shënuar fitoren e tretë radhazi dhe për t’u ngjitur në krye të klasiifkimit në Kategorinë e Tretë, F.C Kevitan fitoi në fundjavë 3-2 me KF Spartak. Jo vetëm rezultati, as fitorja e tretë radhazi, por loja dhe paraqitja e disa lojtarëve të FC Kevitan kanë entuziazmuar presidentin e ekipit, Artan Singa, trajnerin Vataj si dhe familjarë e dashamirës të këtij ekipi, i krijuar vetëm pak muaj më parë. Kombinime perfekte, lojë e rrjedhshme dhe gola, që do t’ia kishte zili edhe një ekip i Kategorisë Superiore. Goli i Donald Saliasit mund të mos besohet se është shënuar në një kategori të tretë nga një ekip i sapokrijuar, ndaj ia vlen të shijohet edhe në ekranet televizive.
A. Muraçi