Arti ynë skenik ndahet me lamtumirë me mjeshtrin e roleve karakteriale, Ilir Shkurti

Nga Albert Vataj
Humbjet në art nuk maten vetëm me mungesën e një njeriu, por me heshtjen që lë pas një zë i njohur, një fytyrë që publiku e ka bërë të vetën. Largimi nga jeta i Ilir Shkurti shënon pikërisht këtë boshllëk të ndjeshëm, atë të një aktori që nuk kërkoi kurrë dritat e forta të famës, por i dha skenës dhe ekranit një prani të sinqertë, njerëzore dhe të paharrueshme. Në kujtesën e publikut, ai nuk mbetet thjesht si një interpretues rolesh, por si një pjesë e gjallë e asaj bote artistike që ndërtoi identitetin kulturor të një kohe.
Është ndarë nga jeta aktori Ilir Shkurti, një prej figurave të dashura të jetës artistike në Pogradec dhe një prani e njohur në kinematografinë shqiptare, ku ai u dallua për portretizimin e roleve karakteriale me finesë dhe natyrshmëri.

I lindur më 30 dhjetor 1957 në Pogradec, Shkurti i përkiste atij brezi artistësh që e ndërtuan identitetin e tyre në skenën e humorit dhe teatrit lokal, duke e kthyer artin në një formë komunikimi të drejtpërdrejtë me publikun. Ishte pikërisht Estrada e Pogradecit ajo që e bëri të njohur për publikun e gjerë, ku ai solli një galeri personazhesh të gjalla, plot ngjyrë dhe shpirt, që u pritën me dashuri dhe mbetën në kujtesën e spektatorëve.
Në skenë, ai ishte më shumë se një aktor humori, ishte një vëzhgues i hollë i jetës së përditshme, që dinte të kapte detajin njerëzor dhe ta shndërronte në art. Personazhet e tij nuk ishin thjesht figura komike, por pasqyra të një realiteti të njohur, të interpretuara me një ndjeshmëri që i bënte të afërta dhe autentike.

Përtej skenës së estradës, Ilir Shkurti ishte pjesë edhe e disa prodhimeve të rëndësishme të Kinostudio Shqipëria e Re, duke lënë gjurmë në filma si Rrethimi i vogël, Binarët, Ngjyrat e moshës, Shkëlqim i përkohshëm dhe Kush vdes në këmbë. Në këto role, ai solli një prani të qetë, por të qëndrueshme, duke qenë pjesë e atij ansambli artistësh që formësuan fytyrën e kinemasë shqiptare në një periudhë të rëndësishme të saj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Largimi i tij nga jeta lë një boshllëk në kujtesën kulturore të qytetit dhe më gjerë, por edhe një trashëgimi të vyer rolesh dhe interpretimesh që dëshmojnë përkushtimin e tij ndaj artit. Ilir Shkurti mbetet një nga ata aktorë që, pa bujë të madhe, por me punë të ndershme dhe talent të natyrshëm, i dha zë dhe fytyrë jetës shqiptare në skenë dhe në ekran.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?