Ashpërsohet dënimi në Kodin Penal, burg kush ndërton pa leje
Të gjithë ata qytetarë të cilët do të ndërtojnë pa leje, do të përfundojnë në burg. Kush ndërton shtëpi në tokën e tjetrit do të dënohet me burg nga 1 deri në 5 vjet. Kush ndërton për qëllime përfitimi nga 2 deri në 8 vjet burg. Komisioni i Ligjeve ka miratuar këto ndryshime në Kodin penal, ku dhe ndërtimi pa leje dhe në tokën tënde dënohet me deri 1 vit burg. Projektligji me vetëm dy nene, i miratuar sot nga komisioni parlamentar i Ligjeve propozon keto ndryshime në Kodin Penal, që synojnë ashpërsimin e dënimeve ndaj personave që cënojnë regjimin juridik të tokës.
Gjithashtu, këto masa ndëshkuese propozohet që të shqyrtohen nga një trupë me 3 gjyqtarë, ndryshe nga sa ndodh deri më sot që merren në shqyrtim nga një gjyqtar i vetëm. Kjo do të minimizonte mundësitë për të ndikuar në masën e dënimit. E veçanta e propozimeve nga qeveria konsiston dhe në faktin e ndëshkimit për herë të parë të gjithë zinxhirit të personave që mundësojnë kryerjen e një ndërtimi të paligjshëm, në sajë të financimit, të aftësive intelektuale apo të tjera specifike që duhen për të ekzekutuar një ndërtim a punim.
NDRYSHIMET E MIRATUARA NË KODIN PENAL
NENI 1
Në kreun III, “Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike”, emërtimi i seksionit XI, “Vepra penale që cenojnë regjimin juridik të tokës”, ndryshohet dhe zëvendësohet me “Vepra penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve”.
NENI 2
Neni 199/a ndryshohet, si më poshtë vijon:
Neni 199/a
Ndërtim i paligjshëmNdërtimi apo punimi i kryer pa leje, në shkelje të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar dhe në tokë të vet, dënohet me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer për qëllime fitimi, në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet. Dispozitat e këtij neni zbatohen sipas rastit edhe ndaj pronarit të ndërtimit, sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve.
NENI 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”