Asistoi në lindjen e katërnjakëve, mjeku Horeshka: Shtatzëni me risk të lartë! Nëna nuk pranoi heqjen e bebeve

Nga spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Tiranë pak ditë më parë u dha lajmi që një nënë solli në jetë katërnajkë. Në lidhje me këtë ka reaguar edhe gjinekologu Nderim Horeshka, i cili ishte mjeku që ndoqi nga afër rastin e katërnjakëve. Horeshka shkruan se ishte një shtatëzani me rrezik të lartë dhe bën me dije se katërnjakët kanë lindur parakohe në datë 8 gusht. Ai tregon se nëna Rozeta ka mori riskun përsipër dhe nuk pranoi që dy prej bebeve të iu ndërprehej jeta në barkun e saj.

Postimi i plotë

Sot ishte një ditë pune e lodhshme për mua, me një operacion të vështirë. Por ishte gjithashtu një ditë shumë e veçantë. Një çift i mrekullueshëm, Roza dhe Aldo, më bënë një surprizë që më hoqi gjithë lodhjen e ditës. Ata janë prindërit e katërnjakëve të lindur në spitalin tonë më 8 gusht — një lindje e parakohshme dhe me rrezik të lartë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Që në fillim, kur u diagnostikua shtatzënia katërnjakëshe, patëm një bashkëbisedim të gjatë, ku u sqaruam për rreziqet dhe komplikacionet e mundshme, si për nënën ashtu edhe për bebet. Atëherë u ishte propozuar edhe “feto-reduction” (ndërprerja e zhvillimit të dy prej bebeve në barkun e nënës), por Roza e refuzoi këtë ndërhyrje dhe vendosi të vazhdonte shtatzëninë, duke marrë përsipër një rrezik shumë të madh për veten dhe për bebet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më pyeti: “Doktor, ti si mendon?”
I thashë: “Unë jam në parim kundër abortit, por vendimmarrja është e juaja”.
Ajo më tha: “Doktor Nderim, kemi vendosur t’i mbajmë të katër bebet. Zoti m’i dhuroi, dhe shpresoj të më ndihmojë t’i lind e t’i rris. Dua që shtatzëninë ta ndjek me ju.”

Ishte një sfidë edhe për mua, sepse një shtatzëni e tillë është me rrezik shumë të lartë. Roza u hospitalizua që në javën e 21–22-të në SUOGJ “Koço Gliozheni” dhe qëndroi deri më sot. Sot, Roza dhe Aldo dolën nga spitali duarplot e tepër të lumtur me katër foshnjat e tyre, tre djem dhe një vajzë.Ata nuk u larguan pa më pritur: qëndruan rreth 2 orë e gjysmë, sa mbarova operacionin, vetëm për të më përshëndetur dhe për të më falënderuar me shumë mirënjohje për punën e bërë.

U prekëm të gjithë nga fjalët e tyre të ndjera, jo vetëm unë, por i gjithë stafi i spitalit tonë. Është vërtet një histori suksesi profesional, ku kontribuuan të gjithë mjekët e spitalit dhe ekipet e rojeve që e kanë ndjekur me vëmendje çdo natë. Falënderime të veçanta për stafin e patologjisë së barrës, në veçanti për Dr. Jonida Dautllarin, mjeke e dhomës, me të cilën konsultoheshim çdo ditë për gjendjen, ecurinë dhe mjekimin. Një meritë të veçantë ka edhe ekipi që asistoi lindjen me operacion: Dr. Anika Dokle, Dr. Flori Llabani dhe Dr. Kela. Por vlerësimi më i madh i takon stafit të neonatologjisë mjekëve dhe infermierëve që janë përkujdesur me përkushtim maksimal që nga lindja e deri më sot.

Faleminderit Zotit! Profesioni ynë është tepër i vështirë, plot stres, ankth e ndonjëherë edhe pasiguri, sepse mjekësia nuk është shkencë ekzakte dhe parashikimet nuk janë gjithmonë të sakta. Por është një profesion shumë i bukur, që të fal emocione të jashtëzakonshme gëzim e lumturi të papërshkrueshme me fjalë. Lindja e jetës! Ne bëhemi pjesë e gëzimit dhe lumturisë së atyre që bëhen prindër. I ndaj me ju këto momente të veçanta gëzimi. Faleminderit qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që na besojnë jetën e fëmijëve dhe grave nënave dhe motrave të tyre.Po ndaj me ju disa foto, me lejen paraprake të çiftit Roza dhe Aldo: ekografitë e fillimit të shtatzënisë, ecurinë dhe fotot e sotme, të cilat do të mbeten të paharrueshme për mua. Ju uroj jetë të gjatë, shëndet e fat katër fëmijëve të Rozës dhe Aldos. Zoti ju bekoftë familjen tuaj!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?