“Asnjë hap pas kundër vjedhësve të energjisë”

“Nuk ka krizë energjetike, ka vetëm krizë të injorancës”. Këto fjalë të Richard Fuller, kryeministri Edi Rama i ka cituar gjatë fjalimit të tij në një konferencë mbi aksionin 3-mujor kundër vjedhjeve të energjisë elektrike. deri në vitin 2013, shtatë vjet qeverisje të Partisë Demokratike, borxhi i OSHEE-së kapërceu 1 miliardë dollarë. “150 milionë euro çdo vit nga vjedhja e energjisë elektrike dhe nga humbjet në një rrjet shpërndarjeje”, ka vlerësuar më pas ai. Duke shtuar se në vetëm dy muaj drejtuesit e OSHEE-së dhe të Policisë së Shtetit dhanë provën fantastike se ky vend mund të bëhet dhe se për ta bërë këtë nuk duhet ndonjë shkencë e posaçme, por vetëm të respektojmë së bashku ato që kemi rënë dakord të miratojmë si ligje të bashkë-jetesës. “Për sa kohë e kemi miratuar me ligj që vjedhja e energjisë është vjedhje si gjitha të tjerat, dënohet nga Kodi Penal, atëherë nuk ka alibi për askënd, i pasur apo i varfër, ministër, deputet apo qytetar i zakonshëm, biznesmen apo invalid. Nuk ka ligj që të përjashtojë njeriun e lirë të çdo kategori, duke thënë që ky ligj për këtë kategori nuk vlen, kjo është vjedhje për këta, por nuk është vjedhje për këta”, apeloi gjithashtu Rama. Për të theksuar mes të tjerash edhe faktin se vetëm në Policinë e Shtetit, në momentin kur filloi operacioni nga 10 mijë punonjës, mbi 5 mijë ishin debitorë. “Niseshin për të kapur të tjerët dhe vetë i kishin borxhe kompanisë. Sot, numërohen me gishtat e dorës ata të cilët kanë mbetur pa lidhur kontratën me OSHEE-në duke shfrytëzuar mundësinë që ne u kemi dhënë të gjithëve që deri në 28 shkurt, duke paguar të gjithë borxhin menjëherë të ulin 80% kamatë-vonesën, apo përmes marrëveshjes të nënshkruajnë se çdo muaj do të lajnë borxhin. Mbi 5 mijë policë. E vetëm në dhjetor, nga kthimi në binarët e ligjit dhe të arsyes i borxhlinjve brenda sistemit të administratës shtetërore janë gjeneruar 6.6 milionë dollarë për kompaninë, borxhe që janë kthyer”, theksoi kreu i qeverisë. Duke përfunduar me apelin ndaj atyre që kanë mbetur, të lajnë borxhet deri në 28 shkurt. Të lajnë borxhet sepse nuk do të ketë asnjë milimetër kthim mbrapa. Ky operacion nuk është fushatë, nuk është aksion, nuk është një përpjekje nga ato të kaluarat që i mbani mend mirë. Por është lufta për jetë a vdekje e Shqipërisë për të qenë ose ajo që duam dhe që duhet, ose katandia që na lanë për turp ata të cilët sot falë virtytit të demokracisë kanë mundësi të flasin, por nuk kanë mundësi të na ndalojnë asnjë milimetër në këtë përpjekje”, përfundoi Rama.

 

NISMA

 

“Do të vendosim matësa

inteligjentë për energjinë”

 

“T’i japim fund edhe historisë që janë njerëzit emigrantë, kanë ikur në emigracion 20 vjet përpara dhe janë debitorë këtu prej 20 vjetësh. Ose shkon me pushime, i fik të gjitha dhe kur kthehesh sahati ka vazhduar punën e vetë, se sahati është në një botë tjetër. Është sahat i vënë për të zhvatur ata që paguajnë, se duhen marrë lekët edhe për ata që nuk paguajnë. Edhe kjo kërkon kohën e vet”, tha dje kryeministri. Duke shtuar se ne do ta fillojmë që këtë vit, por deri në fazën e implementimit ne do të bëhemi vendi i parë i Europës që do të kemi instaluar 1.1 milionë matës inteligjentë. “Ne do t’i vëmë ato të gjitha në dispozicion të konsumatorëve. Sigurisht do të kemi një sistem shpërndarjeje inteligjent, që është në gjendje të kontrollojë në mënyrë të centralizuar, në kohë reale, 1.1 milionë burime shpërndarjeje dhe që merr sinjal nga çdo burim shpërndarje në momentin kur burimi goditet apo në momentin kur kalon masa e parapaguar, ose për një arsye tjetër dhe që lëviz flukset e shpërndarjes së energjisë sipas nevojës. Nëse ka një moment konsumi festash dhe flukset duhen lëvizur për t’u përqendruar më shumë në zonat më të dendura, ky sistem i bën”, përfundoi ai.

 

SHKARKO APP