Asnjë makinë e vjetër nuk del nga qarkullimi, ja si duhet t’i modifikoni

Drafti i Ministrisë së Mjedisit që parashikon se automjeteve ‘euro 1’ dhe ‘euro 2’ t’i vendosin impiante për reduktimin e gazrave do të dojë rreth 2 vite kohë për t’u formalizuar.

Drafti nuk parashikon nxjerrjen e mjeteve jashtë qarkullimit, por instalimin e katalizatorëve për uljen e ndotjes në ajër.

Zv/ministri i Mjedisit, Kledi Xhaxhiu i ftuar në emisionin “Të Bësh Ekonomi” në News 24 sqaroi detajet e draftit.

“Asnjë makinë nuk do të dalë nga qarkullimi, sado e vjetër të jetë ajo, këto makina do të përshtaten sipas standardeve të kërkuara. Çdo makinë mund të qarkullojë, përderisa plotëson të gjitha kushtet sipas ligjit shqiptar. Nisma nuk është vendim, por është në fazën e diskutimit. Akoma nuk ka kaluar për mendim në ministritë e linjës, kemi edhe një vit kohë për t’u përgatitur ky vendim. Bëhet fjalë për një nismë që synon të mbrojë shëndetin e njeriut dhe mjedisin përmes uljes së shkarkimeve të gazeve në ajër. Do të bëhet përmes dy pikave, kushteve për importin dhe vendosjen e vlerave për çdo gaz që emeton çdo mjet. Tirana dhe Elbasani janë dy qytetet më të ndotura që vijnë nga transporti publik. Ne jemi në një nivel ndotjeje tepër të lartë në krahasim me vendet e tjera të Europës, edhe pse cilësia e ajrit vit pas viti është përmirësuar. Kemi një flotë automjetesh me një moshë prej 18,4 vitesh dhe këto ndotin ajrin. Një pjesë e ndotjes vjen nga hidrokarburet e padjegura”, – tha Xhaxhiu.

Ndërsa, përfaqësues i Ministrisë së Transporteve, Nikolin Bërxhiku deklaroi se institucioni që ai përfaqëson nuk është njohur zyrtarisht me draftin. “Ne kemi parë përmes medias draftin, pasi po konsultohet me grupet e interesit dhe më pas do të jetë për diskutim me ne, nuk jemi bërë ende pjesë. Unë kam disa konsiderata. Vetëm pak kohë më parë kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për kontrollin e mjetit që para një viti i gjysmë dhe tani jemi në termat sipas direktivave të Bashkimit Europian. Standardi euro më shumë është për mjetet e reja që prodhohen. Në Shqipëri nuk prodhohen mjete dhe do të thotë ato standarde janë zbatuar në vendet ku prodhohen, në Shqipëri vetëm hyjnë në qarkullim. Në vendin tonë i nënshtrohen vetëm kontrollit teknik. Janë rreth 360 mijë mjete sipas shifrave të kolaudimit”, – tha Bërxhiku.

Ndërkohë, eksperti rrugor, Fatmir Hasho, deklaroi se ndotjen në vendin tonë e shkakton cilësia e karburantit. “Për makinat me benzinë dhe me naftë me EURO 5 nuk ka ekzistuar as në Europë. Zëvendësministri përmendi cilësinë e karburantit dhe këtu duhet të fillojë lufta te karburantet që përdorim, se të parët që shkaktojnë ndotjen janë karburantet. Është thënë se duhet të vendosen katalizatorë, por ministria nuk ka përcaktuar nga do të vijnë këto katalizatorë, kush do t’i certifikojë”, – tha Hasho.

/BW

SHKARKO APP