Atelie monumentesh për fëmijët në Gjirokastër
Gjithmonë e më shumë edhe fëmijët në qytetin e Gjirokastrës po bëhen pjese e nismave për promovimin e monumenteve të kulturës. Së fundi, 32 fëmijë të klasës së IV dhe 2 mësuese nga shkolla “Urani Rumbo” në Gjirokastër, morën pjesë në atelienë e trashëgimisë në Gjirokastër. Atelieja u zhvillua në ambientet e shtëpisë së Babametove, monument i kategorisë së parë i restauruar rishtazi nga CHWB. Fillimisht, së bashku me stafin e CHWB-së dhe me profesionistët vendas, fëmijët vizituan dhe komentuan odat e ndryshme të kësaj shtëpie të madhe. Më pas ata përveshën mëngët dhe u përpoqën të rindërtonin çka sapo kishin parë me sytë e tyre. Fëmijët mundën të punonin me një model të përshtatshëm prej letre të shtëpisë së Babametove, të konceptuar dhe prodhuar nga CHëB në kuadër të koleksionit për fëmijë “E KA KUSH E KA”. Fëmijët me shumë entuziazëm dhe saktësi arritën që të gjitha copëzat e shtëpisë ti vendosnin së bashku, për të arritur në fund rezultate shumë harmonike. “Të gjithë tok, fëmijë e të rritur mund të themi me plot gojë që e ardhmja e arkitekturës tradicionale në Gjirokastër është në duar të sigurta”, shprehet përfaqësuesja e CHWB-se, arkitektja Elena Mamani. Kjo ishte dhe atelieja e fundit e trashëgimisë për fëmijë për vitin 2014. Gjithsej këtë vit CHWB organizoi 6 atelie për më shumë se 170 fëmijë të moshave 4-11 vjeç, nga kopshte dhe shkolla të qyteteve të ndryshme të vendit si Gjirokastra, Kruja dhe Tirana.” Përshëndesim përzemërsisht mbi 30 pjesëtarë të stafeve pedagogjike të kopshteve dhe shkollave të përfshira, që ndanë me ne pasionin dhe vullnetin për ti afruar fëmijët që në moshë të hershme me trashëgiminë”, shprehen përfaqësuesit e CHëB.” E Ka kush e Ka” dhe atelietë janë nisma që synojnë pikërisht ofrimin e suporteve dhe metodologjive të përshtatshme edukative dhe argëtuese për fëmijë, prindër e mësues. Atelietë e trashëgimisë për fëmijë do të vazhdojnë dhe në vitin 2015 me synim njohjen e fëmijëve me vlerat e trashëgimisë kulturore.
Bledar Shehu