Atentat pranë aeroportit të Rinasit – plagoset rëndë agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani Sheqeri

40-vjeçari i cili u qëllua në kokë, ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës – ai po shoqërohej me Gilmando Danin, i cili humbi jetën në vend.

Një atentat i rëndë me armë zjarri ndodhi mesditën e sotme në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku si pasojë mbeti i plagosur rëndë 40-vjeçari Muçi Shaljani Sheqeri dhe humbi jetën Gilmando Dani, pasagjer në të njëjtin automjet.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Muçi Shaljani ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën, pasi është qëlluar edhe në kokë. Mjekët po luftojnë për ta mbajtur në jetë pas ndërhyrjeve të menjëhershme kirurgjikale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kush është Muçi Shaljani Sheqeri

Swiss Digital Mobile Reklama

Muçi Shaljani, 40 vjeç, ishte i punësuar prej tre muajsh në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), strukturë që merret me hetimin e shkeljeve brenda Policisë së Shtetit.

Burime nga AMP konfirmojnë se ai kishte shërbyer më parë në radhët e policisë, ndërsa kohët e fundit ishte angazhuar në detyra operacionale në Tiranë dhe Durrës.

Sipas informacioneve të para, ditën e sotme Shaljani ishte kthyer nga Barcelona, ku kishte udhëtuar së bashku me Gilmando Danin, personi që humbi jetën në atentat. Të dy po udhëtonin me të njëjtin automjet në momentin e sulmit.

Atentati dhe hetimet paraprake

Grupi hetimor i ngritur nga Policia e Shtetit dhe AMP ka nisur kqyrjen e kamerave të sigurisë dhe përfshirjen e Forcave RENEA në zonën përreth për të identifikuar autorët dhe itinerarin e tyre të largimit.

Paraprakisht dyshohet se atentati ka qenë i mirëorganizuar, dhe se autorët kanë ndjekur automjetin që prej momentit të daljes nga aeroporti.

Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja pistolete dhe kallashnikovi, ndërsa automjeti i viktimave është dërguar për ekspertizë kriminalistike.

Burime pranë Policisë pohojnë se hetimet po zhvillohen në dy pista kryesore: ajo e hakmarrjes personale, për shkak të së kaluarës së Shaljanit, dhe ajo e motiveve ekonomike, pasi viktimat mund të kenë qenë të përfshira në çështje financiare apo detyra me risk.

Hetuesit po analizojnë edhe lidhjet e mundshme të Shaljanit në kuadër të punës së tij në AMP.

Analizë: atentati që ngre pikëpyetje mbi sigurinë institucionale

Ky atentat pranë një prej zonave më të sigurta të vendit, vetëm pak metra larg aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, ngre pyetje serioze mbi sigurinë publike dhe institucionale.

Fakti që i plagosuri që ndodhej me viktimën, ishte agjent i AMP-së – një strukturë e brendshme e Ministrisë së Brendshme që heton korrupsionin policor – e bën ngjarjen veçanërisht të ndjeshme, ndërsa kërkohen masa të menjëhershme për zbardhjen e plotë të saj.

Autoritetet kanë deklaruar se asnjë pistë nuk përjashtohet, ndërsa forcat speciale po vijojnë kontrollet në zonën e Fushë-Krujës dhe rrugëve dytësore që të çojnë drejt Durrësit e Vorës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?