Auditimi i performances në KLSH dhe mardhënia me parlamentin

Nga  Alfred  ZYLFI*

  “……..cila është hera e fundit që kemi bërë një gjë për herë të parë……..”, u shpreh zoti Bujar Leskaj Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndër të tjerave në fjalë përshëndetëse me rastin e 90 vjetorit të krijimit të KLSH-së, me këtë moto e me kujdesin e veçantë të tij auditimi i performancë vijon me sfidat e radhës. Është e padiskutueshme se funksionimi dhe marrëdhëniet mes institucioneve përfaqësojnë fuqinë publike në të gjitha hallkat e saj ku një prej tyre është dhe ajo midis KLSH dhe Parlamentit

Një risi e këtyre dy viteve të fundit në marrëdhëniet KLSH-Parlament, është dhe bashkëpunimi i nëpërmjet raporteve të auditimit të performancës si një nga sfidat e Kontrollit të Lartë të Shtetit në këtë mandat 2011-2018, me komisione të ndryshme të parlamentit.

Sfida e auditimit të performancës krahas të tjerave është se duke audituar fusha si ato të reformave qeveritare, të shërbimeve social kulturore e social ekonomike, të përmirësimit të mjedisit e natyrës, energjetike, infrastrukturore, bën më dije parlamentin si hallkë e rëndësishme e “trekëndëshit” të llogaridhënies (Parlament-SAI-Ekzekutiv), për të rritur llogaridhënien e qeverisë,  me synim përmirësimin e tyre në shërbim të qytetarit dhe taksapaguesve.

Auditimi i performancës garanton një formë të ndryshme të llogaridhënies publike krahasuar me auditimin e ligjshmërisë, ashtu edhe me atë financiar. Ndërsa dy auditimet e tjera fokusohen në saktësinë e të dhënave dhe veprimeve financiare, përputhshmërinë e procedurave dhe transaksioneve me kërkesat ligjore, auditimi i performancës është një mënyrë për të penetruar më thellë në mbarëvajtjen dhe arritjen e rezultateve të aktiviteteve të ndryshme financiare. Auditimi i performancës është një nga llojet më komplekse dhe më të vështira të auditimit. Pa rregulla të qarta, fleksibël në qasje dhe metodologji, jo‐periodik, i gjerë në evidencat dhe literaturën e konsultuar dhe konciz e sintetik në raportim. I hapur ndaj interpretimeve e perspektivave subjektive dhe i ekuilibruar e racional në formulimin e gjetjeve, konkluzioneve, rekomandimeve dhe mesazhit që përcjell. I shtrirë në të gjitha fushat e aktivitetit publik dhe i thellë në analizimin e situatave. Ai mund të quhet thjesht dhe qartë “auditimi i ngritur në art”.

Auditimi i performancës është sot në fokusin kryesor të punës audituese të KLSH-së, sepse ai merret me shqyrtimin e pavarur të efiçiensës dhe efektivitetit të sipërmarrjeve qeveritare, programeve dhe organizatave publike, duke iu përmbajtur ekonomicitetit.

Nëpërmjet auditimit të performancës KLSH ka synuar të japë mesazhin “Një qeverisje e mirë shprehet përmes një performance të mirë”, ku gjithçka ka vetëm një emërues të përbashkët: rritjen e ndërgjegjësimit të strukturave vendim-marrëse, me synim përmirësimin e bërjes së gjërave, në mënyrë shkencore dhe bashkëkohore.

Në këtë kuadër gjetjet konkluzionet dhe rekomandimet e auditimeve të performancës në KLSH i janë bërë prezent Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisioneve Parlamentare me synim identifikimin e përmirësimeve të reformave qeveritare sepse nëpërmjet këtij auditimi i jepen përgjigje pyetjeve si: “A po përfiton taksapaguesi vlerën e duhur për taksat që po shpenzohen në një aktivitet publik?”, apo “A mund të shpenzohen paratë më mirë dhe më mençur për të arritur rezultate më të mira?”.

Në këtë kuadër për ta institucionalizuar këtë marrëdhënie në funksion të llogaridhënies, transparencës dhe mirëqeverisjes, KLSH i ka bërë prezent Kuvendit disa nga temat e auditimit të performancës të cilat janë:

  • “Performanca e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare”;
  • “Mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimet tregtare me peshën dhe matjet”;
  • “Shkollimi Profesional në Shqipëri”;
  • “Rehabilitimi i ish-të Përndjekurve Politikë në Periudhën e Tranzicionit”;
  • “Shërbimi i transportit publik në Bashkinë Tiranë” ;
  • “Procedura dhe rezultatet e marrëveshjeve hidrokarbure në Shqipëri”;
  • “Detyrimet e ndërsjella në shoqëritë publike të sektorit energjetik, OSHE, KESH, OST” .

Prezantimi i këtyre temave të auditimit performancës të KLSH, Kuvendit dhe Komisioneve të tij  tregon edhe një herë se kjo risi bashkëpunimi ka në themel të saj, garantimin e transparencës, veprimeve e përgjegjësive të ekzekutivit si dhe garantimin e përgjegjësisë financiare, për të siguruar një mirëqeverisje publike.

*Auditues Kontrolli i Lartë i Shtetit

SHKARKO APP