AKSK dhe Policia e Shtetit paralajmërojnë qytetarët: Kujdes nga mesazhet mashtruese me SMS që imitojnë e-Albania
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike) ka identifikuar një fushatë mashtruese përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten si njoftime për gjoba trafiku të papaguara dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.
Sipas AKSK-së, mesazhet përmbajnë lidhje të dyshimta që ridrejtojnë përdoruesit drejt faqeve të rreme që imitojnë platformën zyrtare e-Albania, me qëllim vjedhjen e kredencialeve dhe informacionit financiar.
AKSK bën me dije se ka referuar rastin pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit dhe pranë AKEP, për marrjen e masave për bllokimin e domain-eve dhe adresave IP të përfshira në këtë aktivitet keqdashës.
AKSK u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të mos klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare në faqe të paautorizuara, duke përdorur vetëm kanalet zyrtare për verifikim dhe pagesa.
Ka reaguar përmes një publikimi edhe Policia e Shtetit në njoftimin e të cilit thuhet:
Kujdes nga mesazhet mashtruese për pagesa të pretenduara të gjobave apo detyrimeve administrative
Gjatë ditës së sotme, shumë qytetarë kanë raportuar pranë Policisë së Shtetit se kanë marrë mesazhe mashtruese, nëpërmjet të cilave u kërkohet të kryejnë pagesa për masa administrative të pretenduara si të papaguara.
Menjëherë pas denoncimeve, strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit kanë nisur verifikimet dhe hetimet për identifikimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Mesazhet dërgohen nëpërmjet një skeme mashtrimi kompjuterik të njohur si “Smishing”, ku pretendohet në mënyrë të rreme se qytetarët kanë detyrime të papaguara, gjoba rrugore ose procedura administrative në pritje. Këto mesazhe përmbajnë lidhje (linke) që i drejtojnë përdoruesit në faqe interneti të falsifikuara, të ndërtuara për të imituar faqet zyrtare të institucioneve shtetërore.
Nga verifikimet paraprake rezulton se qëllimi i autorëve është përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve, të cilat më pas mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe vjedhjen e fondeve nga llogaritë bankare.
Policia e Shtetit sqaron qytetarët se fondet bankare nuk mund të vidhen vetëm nga marrja e një mesazhi SMS. Rreziku lind në momentin kur qytetari klikon mbi lidhjen mashtruese dhe plotëson në faqen e rreme të dhënat e kartës bankare, kredencialet e internet banking-ut, kodet e sigurisë apo kodet e verifikimit të dërguara nga banka.
Për këtë arsye, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:
• Të mos klikojnë në lidhje të dërguara nëpërmjet SMS-ve nga burime të panjohura ose të dyshimta;
• Të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe interneti të paverifikuara;
• Të mos ndajnë me askënd kodet e sigurisë, PIN-et apo kodet e autentifikimit të dërguara nga institucionet bankare;
• Të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucionit përkatës;
• Të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre në rast se kanë plotësuar të dhëna bankare në një faqe të dyshimtë;
• Të raportojnë çdo rast të dyshuar pranë Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit vijon monitorimin dhe hetimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe fton qytetarët të tregojnë vigjilencë të shtuar ndaj çdo komunikimi elektronik që kërkon të dhëna personale apo financiare.
Lufta kundër krimit kibernetik dhe mbrojtja e qytetarëve në hapësirën dixhitale mbeten prioritete të Policisë së Shtetit.
KOHA JONË SONDAZH

