Avokatët britanikë e vizitojnë Veliajn në qeli: Ankim në Strasburg për masën e sigurisë

Avokatët e huaj kanë zhvilluar një takim prej më shumë se 5 orësh me Erion Veliajn në IEPV-në e Durrësit.

Dy avokatë të një studioje ligjore britanike dhe Plarent Ndreca ishin sot në burgun e Durrësit në kuadër të përgatitjes së padisë që mbrojtja e kryebashkiakut Veliaj synon të depozitojë në Gjykatën e Strasburgut në vjeshtë.

Sipas Ndrecës, dosja do të hartohet edhe në bashkëpunim me studion ligjore amerikane, të angazhuar më herët në rastin e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, por avokatët amerikanë nuk janë lejuar ende nga SPAK të takojnë Veliajn.

Swiss Digital Desktop Reklama

Avokati britanik:

Swiss Digital Mobile Reklama

“Jemi këtu për të takuar Erionin, i cili, siç e dini, ndodhet në paraburgim prej më shumë se 18 muajsh. Ne e kemi përfaqësuar gjatë gjithë kësaj periudhe, por kjo është hera e parë që na është lejuar ta vizitojmë, pavarësisht kërkesave të përsëritura që kemi paraqitur.

Jemi shumë mirënjohës ndaj autoriteteve që më në fund na lejuan të takonim klientin tonë në paraburgim dhe sot zhvilluam një takim shumë produktiv.

Gjatë takimit diskutuam aplikimin që synojmë të paraqesim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në emër të tij, për t’u ankuar lidhur me ndalimin dhe vazhdimin e mbajtjes së tij në paraburgim.

Shpresojmë që procedurat në gjykatat shqiptare të përshpejtohen dhe vendimet të merren sa më shpejt, në mënyrë që ai të lirohet dhe të mund të vazhdojë jetën e tij të përditshme, jetën familjare, si edhe ushtrimin e funksionit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, në të cilin është zgjedhur në mënyrë demokratike.”

Avokati Plarent Ndreca:

“Kolegët nga Anglia kanë ardhur për herë të parë për të diskutuar me Erionin, pas tetë muajsh kërkesash të vazhdueshme. Ekipi amerikan ende nuk është lejuar ta vizitojë.

Takimi i sotëm u përqendrua kryesisht te aplikimi që do të paraqesim në Gjykatën e Strasburgut lidhur me masën e sigurisë. Kemi arritur një fitore në Gjykatën Kushtetuese, megjithatë jo të gjitha pretendimet tona janë pranuar dhe, për pikat e mbetura, do t’i drejtohemi Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sa i përket emërimit të z. Dado, ne do ta apelojmë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?