
Pas rreth dy muajsh bojkot, avokatët do t’i rikthehen normalisht aktivitetit të tyre prej ditës së hënë. Vendimi është marrë këtë të premte nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit për pezullimin e bojkotit.
Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, bëri të ditur se vendimi për ndërprerjen e bojkotit vjen në zbatim të masës provizore të vendosur nga gjykata, ndërsa paralelisht do të vijojë beteja ligjore kundër rregullores së GJKKO-së. Haxhia sqaroi se Dhoma e Avokatisë kishte kërkuar që konflikti të zgjidhej përmes dialogut dhe mirëkuptimit, duke kritikuar njëkohësisht mënyrën se si, sipas tij, është përdorur autoriteti institucional.
“Dhoma e Avokatisë ka qenë që në ditët e para, kemi qenë që çdo gjë të zgjidhet me mirëkuptim e bisedime”, u shpreh ai. Më tej, kreu i Dhomës theksoi se vendimi i Këshillit të Përgjithshëm është marrë pas njohjes me situatën dhe vendimin e Apelit Administrativ. “Duke qenë përpara këtij realiteti, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që, në zbatim të këtij vendimi, të ndërpresë bojkotin duke filluar nga dita e hënë”, deklaroi Haxhia.
Megjithatë, ndërprerja e bojkotit nuk shënon tërheqjen e avokatëve nga kundërshtimi i rregullores së GJKKO-së. Sipas Haxhisë, është ngritur një grup pune, i cili do të ndjekë procedurat ligjore dhe do të paraqesë ankimin përkatës në Gjykatën Administrative të Apelit. Avokatët rikthehen në aktivitet nga e hëna, ndërsa përplasja institucionale për rregulloren e GJKKO-së do të vijojë tashmë në rrugë gjyqësore.
