Babuçi

Tipa dhe karaktere të psonisur nga Hyskë Borobojka

Në qendër të qytetit, afër kishës ndodhej një lokal, që s’merrej vesh çfarë ishte, punishte marangozi apo depo vjetërsirash. Në këtë farë dyqani plot me korniza, sëndyqe e qivurë për të vdekur, punonte një burrë i shkurtër me flokë të çilura e veshë të varur, që mbante një emër të rrallë, që s’besoj të gjendet në ndonjë regjistër të gjendjes civile. Ky burrë quhej Babuç dhe rridhte nga një derë e dëgjuar e qytetit.

E vërteta është se ai nuk ishte fillikat në këtë botë. Babai, rahmet pastë, vërtet e kishte lënë jetim, por me shtëpi, katandi e me dyqanin që zumë në gojë. Babuçi jetonte në shtëpinë e madhe bashkë me dy vëllezër, një motër dhe nënën. Por në banesën e tij njeri i binte gozhdës e tjetri patkoit. Kjo është kaq e vërtetë sa edhe sot në lagjen e tij e mbajnë mënd, kur nëna e tij shpinte byrekun në furrë e i thoshte djalit të madh:

-Shko merr byrekun të hamë drekë!

-Nuk vete! – kundërshtonte ai prerë.

I thoshte të dytit, Babucit:

-Deri sa s’vajti i madhi nuk vete as unë!- arsyetohej ai.

-Shko ti! – i drejtohej të tretit.

-Unë nuk jam i treti i vërteti. Nuk vete!

Kur ajo e shihte se as njëri nga të tre djemtë nuk e lëviste këmbën, i bënte apel vajzës:

-Shko e merrë ti, moj bijë e mamasë!

-Ata tre djem si diva nuk vajtën si do vete unë, goxha çupë vetëm?! – i përgjigjej ajo.

Kur fillonin të bënin grevë urie zorrët në bark, ngrihej djali i madh, shkonte në furrë, hante pjesën e tij dhe ikte. Në gjurmët e tij vraponte Babuci, hante dhe ai pjesën që i takonte dhe shkonte. Pas tij nuk përtonte as djali i tretë. Ky i jepte fund pjesës së byrekut pa u ulur fare. Këtë punë bënte edhe vajza, duke e boshatisur tepsinë. Nënës s’i mbetej gjë tjetër veçse të shkonte në furrë e të merrte tepsinë e zbrazur.

Babucin rallë e për mall mund ta gjeje në shtëpi. Banesa e tij kryesore, ku hante, pinte e çalltiste ishte dyqani i kornizave, sëndyqeve dhe qivurëve.

-Edhe ariu e ka rehatin në strofkën e tij! – thoshte Babuci, duke u rehatuar mbi sëndyqet e qivurët e zbrazur.

Punishtja e tij në qytet, ishte si si vatra e kulturës apo muzeu i fshatit. Aty do të gjeje një tufë djemsh adoleshentë, që vinin të dëgjonin rrëfenja, meselera e histori të lezeçme të shkuleshin së qeshuri. Për çdo rrëfenjë, mesele e histori, Babuci sillte dëshmimtarë okularë, gjithë ata që i kishin thënë rri me shëndet kësaj bote e kishin vajtur të “dëshmonin” në botën tjetër.

Babuçi ishte kursimtar i madh. Edhe kur psoniste një shishe birrë apo dy qofte e tri kërrnace me erëza të mira, i mbante të fshehta në ndonjë raft a dollap, që të mos ia përlanin vizitorët. Megjithatë, firaunët, që s’linin vend pa gërmuar, ia gjenin e ia përgjysmonin. Jo vetëm kaq, por edhe kur merrte dy qofte të mbështjella në letër e zinte vend në klubin e tij të preferuar, pa bërë porosinë për një karrige birrë, ata ia gjenin limerin. Babuci trego meselera e ndodhi me dëshmitarë të vdekur, ata duart në qoftet e tij. Por edhe atij nuk ia hante kollaj qeni shkopin. Ishte si pushka, ja kërcet ja pëlcet.

-Tëmën e sëmës bre, nuk më lanë qerratenjtë një qofte të lag gojën! Dale pa ta shohin, si do t’ua punoj qerratallarëve?!

Diku, ne veri të qytetit, kishte parë një gomar, që ia kishte kthyer patkonjtë diellit. Babuci mori një thikë dhe preu ca tule nga kofsha e tij e gatoi prej tyre një pjatë të madhe me qofte. I futi në çantë dhe, duke vërshëllyer, që ta dëgjonin miqtë e tij të rinj, mori rrugën për në klubin e preferuar. Akoma nuk ishte ulur mirë, kur miqtë e tij, sikur të ishin prapa derës, e vunë në mes e i thanë:

-Paske shumë qofte sot!

-Kam, për i kam për vete!

Njëri prej tyre gjeti dorën dhe mori një. Babuci i çfryri:

-Djalë, atje ku nuk ke mbjellë, mos korr!

Pas të parit i sulmoi qoftet i dyti.

-Djalë, burrë i zoti në tavolinën e tjetrit mos u bëj!

Pas tij, zgjatën duart dhe të tjerët.

-More qerratej, ç’u është shtirë për qoftet e mia, si maces për mëlçi?! Mos u zgjatni shumë se do të këpusni mish!- i qortonte ai.

Djemtë bënin sikur nuk dëgjonin e shijonin me qejf të madh qoftet. Kur pjata e madhe mbeti bosh, Babuci nuk e përmbajti dot veten, u ngrit në kembë, vuri duart në bel e u thirri:

-Hani, mor hani, se më mish gomari të ngodhur janë bërë!

Ata mbetën të shtangur e u iku fytyra. Futën thellë gishtat në grumas për t’i nxjerrë, po ku dilnin qoftet, që kishin bërë krushqi me stomakun.

Kështu ua punoi Babuci djemve me mishin e ngordhur të gomarit. Por edhe ata nuk ia falën këtë proçkë e vendosën të hakmerreshin ndaj tij. E dinin se ai ishte qen i lekut, prandaj vajtën në dyqanin e tij e i thanë:

-Të të japim pesë mijë lekë, a vjen dot 50 herë rreth kishës pa folur?

-Fjalë me vend, po puna do mend. Kush do m’i japë lekët?

-Unë! – tha njëri nga djemtë.

-Jepia t’i mbajë Oni! (Këtë djalë e kishte më të besuar Babuci).

Pesë “çunakë” (si i quante ai) dhe Babuci gjashte morën rrugën për në oborrin e kishës. Ai hoqi xhaketën dhe filloi të vinte rreth shtëpisë së Zotit. Nuk kishte bërë as pesë xhiro, kur njëri nga djemtë rendi tek e jëma në shtëpi e i tha:

-Babucit ia ka marrë perëndia gojën e po vjen vërdallë rreth kishës!

Kur dëgjoi këto fjalë llahtarë, ajo e la gjellën në zjarr të zhuritej dhe, pa këpucë e lepitka në këmbë, vrapoi sa i hanin këmbët për në sheshin e kishës. Djali i saj vinte vërdallë saj si i shkalluar.

-Babuc, o shpirt i mamasë! – thirrë e bot e jëma.

Por i biri e kishte qepur gojën e vazhdonte të vinte rreth kishës.

-Korba unë, e zeza unë, ç’më gjeti! – uluri e çiru e jëma.

Babuci, meazalla, as një fjalë, asnjë përgjigjë, asnjë shpresë. Vazhdonte të mos e hapte gojën t’i fliste e ta qetësonte, por vraponte gojëkyçur të vinte vërdallë ndërtesës së kishës. E jëma u bë mehit, as e gjallë e as e vdekur. U shtri sa gjatë gjerë në mes të sheshit e filloi të çkulte flokët, duke qarë me kuje. Po ku dëgjonte ai. Nena e lebetitur filloi t’i binte kokës me grushte, sikur, larg qoftë, ta shihte djalin xhenaze pa frymë në shesh të kishës.

Kësaj herë, Babuci, kur e pa të jëmën në atë gjendje të vajtuar, gjysëm të gjallë e gjysëm të vdekur, nuk e mbajti dot gojën të mbylur. Qëndroi përpara saj dhe i çfryri:

-Plaç të rëntë, se m’i hoqe nga duart pësëmijë lekët. Edhe tri xhiro kisha për të bërë për ta fituar bastin?!…

Veshi xhaketën dhe u nis veshvarur për në strofkën e tij. Zuri vend ne mes të kornizave, sëndyqeve e qivurve dhe filloi të shante me rrënjë e degë të jemën që s’duroi dot sa të përfundonte tri xhirot e fundit rreth kishës.

 

SHKARKO APP