
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka folur për mediat jashtë sallës së Kuvendit, pas përfundimit të seancës plenare.
Në fjalën e tij, Balla u ndal te votimi në Kuvend, transferimi i Erion Veliajt në burgun e Fierit dhe data e zgjedhjeve lokale.
“Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë mbi 10 miliardë euro në gjithë historinë tonë si shtet. Edhe paketa fiskale është një lajm i mirë, pasi lidhet me uljen e TVSH-së për ushqimet. Më parë nuk kemi pasur mundësitë financiare për ta bërë këtë. Heqja e taksës së karburanteve është gjithashtu një lajm i mirë. Besojmë se biem të gjithë dakord që edhe opozita duhet të marrë pjesë në votimin e buxhetit.
Grupi Parlamentar i PS-së përbëhet nga 82 anëtarë dhe të 82 janë gjithmonë të pranishëm për të votuar dhe për të mbështetur këto vendime.
Balluku ishte këtu para dy javësh, në mes të ditës dhe në orarin e përcaktuar. Më lejoni të them se, sa i përket pranisë në zonën zgjedhore, ajo është një nga deputetet më të mira të PS-së.
Në çdo mbledhje të Grupit Parlamentar, çdo deputeti i kërkohet të paraqesë problematika për tema të caktuara. Janë çështje që diskutohen në mbledhje me dyer të mbyllura dhe që nuk i ndajmë me publikun.
Sa i përket çështjes së Erion Veliajt, e kam thënë edhe për persona të tjerë. Kam marrë ankesa edhe për ish-presidentin Ilir Meta dhe ua kam adresuar ministrave përkatës. Çështjet që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve dhe të burgosurve duhet të trajtohen në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Sa i përket datës së zgjedhjeve, nesër nuk do të shkojmë me një datë konkrete, duke respektuar kompetencën e Presidentit. Do t’i kërkojmë vetëm që zgjedhjet të mos mbahen më 2 maj, pasi kjo datë përkon me një festë fetare”, tha Balla, ndër të tjera.
