Ballkanasit që duan të nënshtrojnë Europën
Nga Ervin Qafmolla*
Takimi solemn ndërmjet liderëve ballkanas në Tiranë, më 28 maj, ku spikatën dyshja kryeministrore Rama-Vuçiq, mori interpretime të ndryshme nga media dhe publiku, nga brenda dhe përtej Ballkanit.
Disa u shprehën optimistë për klimën e re që premton një rajon më të ç’tensionuar. Të tjerë nxituan të thonë se vetëm Serbia përfitonte nga projektet e diskutuara. Dhe disa komentues pretenduan se në bisedimet e “Vienna Economic Forum”, liderët ballkanas i treguan dhëmbët njëri-tjetrit.
Në fakt, këto vështrime janë dytësore, në mos të gabuara. Elementi më i dukshëm, ndryshe “Elefanti në dhomë”, ishte unisoni thuajse absolut me të cilin armiqtë historikë qëndruan krah më krah, dhe duke shmangur fërkimet, ngritën gishtat denoncues drejt Bashkimit Europian.
“Droja jonë është se mos nesër është shumë vonë. Ekonomitë tona janë shumë të brishta për të përballuar sfidën e madhe të kësaj paqeje me mjetet tona financiare”, theksoi Edi Rama, bujtës i takimit, duke ia atribuuar paqen aktuale ekzistencës së Bashkimit Europian.
Homologu i tij serb ishte disi më i thatë, por anekdotik. “Na duhen para nga fondet e Europës. Boll më me seminare, na duhet te holla për ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave. Nëse nuk mundeni të na jepni mjete financiare atëherë na tregoni, dhe ne do të gjejmë mjete”, tha Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq nuk sqaroi se nga do të siguroheshin mjetet, por dikush mund të sjellë ndër mend fuqitë e tjera të mëdha, të gatshme për të paguar për projekte të shtrenjta në Ballkan, në këmbim të ripozicionimit gjeostrategjik.
Siguri për Ballkanin dhe Europën
Në aktivitetin e Tiranës, ku presidenti i Vienna Economic Forum, Erhard Busek, gati sa nuk e mallkoi BE-në për faktin se ajo nuk fliste fjalë të mira për Ballkanin, mori pjesë edhe Kryeministri i Maqedonisë.
Boja mbi letrat e dorëheqjes së ish-ministres së Brendshme Gordana Jankulovska, dhe ish-shefit të Policisë Sekrete Saso Mijalkov, ishte ende e freskët ndër zjarrin e krizës politike në Maqedoni, kulmuar nga benzina e përgjimeve.
Nikola Gruevski, i trazuar nga kriza e rëndë politike në vendin e tij mund të mos kishte shumë për t’i thënë Europës. Por ai gjeti problemin e emrit me Greqinë për t’u ankuar për mungesën e angazhimit të duhur europian.
“BE mund të fokusohej më shumë në të ardhmen për të zgjidhur problemet që kemi me fqinjin tonë për emrin, sepse shtyrja e zgjidhjes është joserioze dhe krijon probleme të tjera si pasiguria”, tha Gruevski.
Pak javë para kësaj deklarate, në qytetin verilindor të Maqedonisë, Kumanovë, dhjetëra humbën jetën dhe u plagosën pas një përleshje të ashpër mes forcave të sigurisë dhe guerilasve të etnisë shqiptare, shumica prej tyre nga vendi fqinj Kosova.
Incidenti që u komentua nga shumë si një cenim i stabilitetit të Maqedonisë multietnike dhe rrjedhimisht,
Ballkanit me traditë të bollshme luftërash e gjenocidesh, është një kambanë e mjaftueshme alarmi edhe kur mbështetet mbi një të drejtë përdorimi emri, të ngjashme me përkatësinë unike të përdorimit të termit “djathë feta” nga Greqia.
Europianët janë nga natyra të ndjeshëm për emërtimet e sakta të produkteve me origjinë të kontrolluar, si djathi i deleve greke, vera italiane dhe kastravecët francezë. Këtu bëjnë pjesë edhe historitë epike.
Por përballë problemeve të sigurisë, të cilat nga natyra priren të jenë globale, të transmetueshme dhe të afta për t’i prishur shijen çdo produkti me emërtim të certifikuar, pedantizmi europian mund t’i lirojë rrugën në mos arsyes, logjikës së emergjencës.
Në të njëjtin aktivitet, vetë Rama nuk u tregua shumë delikat kur erdhi puna te çështjet e sigurisë, duke e drejtuar megafonin e mesazhit të tij drejt Brukselit.
“Nuk kemi arritur të ulemi së bashku në një hapësirë të re paqeje sepse jemi kthyer në engjëj, ndërkohë që paraardhësit tanë dhe paraardhësit e paraardhësve tanë që luftuan dhe derdhën gjakun e njëri-tjetrit, ishin djaj”, tha Rama.
“Ne jemi po ata, jemi njësoj si ata, por ndryshe nga ata, ne kemi fatin e madh që t’i drejtojmë popujt dhe vendet tona në një fazë të historisë, kur popujt e këtij rajoni janë identifikuar me ëndrrën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian”.
Mesazhe të koduara
Stabiliteti është eksporti kryesor i Shqipërisë në tregun ndërkombëtar. Ajo nuk shet këpucë, miell apo midhje. Ajo është, në fjalët e miqve të saj amerikanë: “një eksportues neto i stabilitetit rajonal”. I mirënjohur është edhe fetishi i zyrtarëve të BE-së me paradigmën e stabilitetit, deri në pikën sa të sakrifikojnë vetë parimin e demokracisë për këtë.
Gjatë këtij viti, Edi Rama ka përsëritur disa herë ëndrrën e “bashkimit kombëtar të shqiptarëve”, por duke shtuar kujdesshëm prapashtesën se diçka e tillë do të preferohej “brenda familjes europiane”.
Kjo e fundit është e parëndësishme për masat popullore por domethënëse për Brukselin, ku janë mësuar të lexojnë edhe bishtat si ky në fjalë, përderisa edhe ata vetë shpesh flasin me mesazhe të koduara.
Kryetari i grupit parlamentar për Serbinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, tha në një intervistë për mediat serbe se ishte bërë nervoz kur kishte dëgjuar këtë deklaratë të kryeministrit shqiptar. Por, në takimin me homologun serb Vuçiq, Kryeministri shqiptar tha se ideja e Shqipërisë së madhe mbështetej nga ata që nuk i duan të mirën shqiptarëve.
Për të mos u harruar fakti se prania e Vuçiq në Tiranë, ku ai dhe kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa rrokën duart me elegancë, shënon edhe vizitën e parë historike të një Kryeministri serb në Shqipëri.
Tani Vuçiq ishte në Uashington, me ftesë të zëvendës presidentit Joseph Biden. Sipas agjencisë serbe TANJUG, ai tha se investuesit amerikanë nuk mund të konsiderojnë investime të mëtejshme në Serbi në rast se vendi nuk është politikisht i qëndrueshëm dhe politikëbërja e SHBA-ve e aprovon këtë.
Kreu i qeverisë së Serbisë diskutoi edhe mbështetjen amerikane për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së. Ai realizoi edhe takime me përfaqësues të gjigantëve si General Electric dhe Microsoft.
Ndërsa europianët janë të gatshëm të organizojnë ndonjë seminar për demokracinë, në SHBA mund të takosh të paktën zëvendëspresidentin. Ndërkohë, lëvizjet e fundit të Vuçiq duket se sinjalizojnë një afrim më energjik të Serbisë drejt Perëndimit.
Serbia dhe Ariu Rus
Këto zhvillime të politikës ballkanike vijnë në një kohë kur natyra agresive në rritje e Rusisë, u përshkallëzua me konfliktin në Ukrainë dhe rizgjimin e llogoreve të Luftës së Ftohtë.
Ballkani nga ana tjetër, ka qenë gjithmonë një zonë e nxehtë, pa folur për dy luftëra botërore që kanë nisur këtu. E sigurt është që popujt në Ballkan nuk duan më të dëgjojnë për luftë.
Në këtë kuptim, rritja e presionit rus ka gjasa ta shtyjë Europën më energjikisht drej Ballkanit. Qartazi,BE-së nuk do t’i pëlqente që ta kishte Rusinë në oborrin e saj. (Oborri i pasmë “back yard” nuk është termi i duhur sepse Ballkani Perëndimor është de facto i ndërshkrirë me Europën).
Presioni i Rusisë ndaj dhe përmes Serbisë nuk duhet nënvlerësuar. Mund të vijë me ashpërsim marrëdhëniesh dhe gjuhën e diplomacisë së tankeve (jofizike), apo me dhurata tërheqëse. Nganjëherë të dyja. Revolet e fshehura në tufat e luleve nuk janë diçka e re për Ballkanin.
Nga njëra anë kemi një kryeministër serb, i cili erdhi në pushtet duke luajtur kartën e ekonomisë dhe zhvillimit. Por brenda vendit, ai përballet me aktorë ultranacionalistë, ku bëjnë pjesë të njëjtët çetnikë që protestojnë me fotografinë e Vladimir Putin dhe që luftuan në krah të Rusisë për “çlirimin e Krimesë”.
Por, nuk duhet harruar se Serbia nuk është thjesht një tufë politikanësh të moderuar apo nacionalistë me elektoratet përkatëse. Faktori ekonomik dhe bota e nëndheshme e ndikimit të korporatave, shpesh lihen jashtë analizave – duhet thënë, pa të drejtë.
Lobingjet e biznesit janë të fuqishme në këtë vend. Shumë kompani perëndimore kanë investuar në Serbi, dhe një numër i madh i tyre ndërsa veprojnë në Ballkan, i kanë selitë rajonale në Beograd.
Serbia është edhe një operator i rëndësishëm në fushën e energjisë dhe pashmangshmërisht e lidhur me fqinjët e saj dhe Europën. Këto tregojnë se mozaiku është tepër i ndërlikuar për të qenë bardhezi, apo për të dhënë një përgjigje përfundimtare. Gjithçka varet nga shumëçka.
“Bashkë kushtojmë më shtrenjtë”
Nëse Edi Rama do të vazhdojë qasjen babnore që ka ndërmarrë ndaj Kosovës me politika të përbashkëta, impakti do të ishte edhe më i madh. Tirana zyrtare mund të bëhej një forcë e dytë qeverisëse ndaj Kosovës, një ndërmjetës me BE-në dhe një amortizator ndaj Serbisë.
Marrëdhënia dashuri-urrejtje me BE-në ka ndikim të mjaftueshëm për të forcuar lidhjet mes armiqve ballkanas, dhe për të marrë përfitime më të mëdha krahas shuplakave më të vogla.
Optika e bashkëpunimit rajonal që këto kohë duket se po merr një orientim ndëretnik mëton të zgjidhë halle personale brenda një formule të vetme. Secili duhet të sakrifikojë diçka nga llogoret individuale – elektorale apo strategjike – për t’u vendosur në pozitën më të fortë të një kështjelle të përbashkët.
Nuk ka dyshim se Ballkani është më interesant si i tërë sesa si pole individuale influence. Në grup, liderët e këtyre vendeve do të lobonin me më efikasitet, do të ushtronin presion më të madh dhe natyrisht, mund të vetë-destabilizohen më kollaj nëse BE-ja nuk bie dakord për çështje me rëndësi komunitare.
BE-ja mund të jetë shpëtimi për Ballkanin, por asaj mund t’i duhet të paguajë një çmim për këtë. Duke përdorur fjalët e Kryeministrit shqiptar, për të shmangur “ndikimin dhe trazirat e shkaktuara nga forca jashtë rajonit”.
I njëjti ka përsëritur në më shumë se një rast se “sikurse Ballkani ka nevojë për Europën edhe Europa ka nevojë për Ballkanin”. Bashkëpunimi është çelësi i suksesit të kësaj odiseje.
Ky është një skenar ankandi. Rusia ka qenë dhe mbetet e gatshme të investojë për influencën e saj, më shumë ekonomikisht sesa politikisht. Europa duhet të fillojë të investojë tani, si në nivelin politik ashtu dhe në atë ekonomik.
Afërmendsh, Europës nuk i duhet një front i dytë rus në Ballkan. Rusisë po. Sfida aktuale qëndron tek stabiliteti i rajonit, dhe Rusia vështirë se mund ta destabilizojë e vetme. Do t’i duhej ndihmë nga brenda. BE-së mund t’i duhet ta blejë këtë stabilitet që më parë ishte, në një masë të madhe, gratis.
Fakt është se e gjithë kjo mund të tingëllojë njëherësh konspirative, shantazhuese dhe cinike. Dhe e tillë është. Por ndoshta është edhe një supozim i vërtetë, nëse pjesërisht injorohet thënia se “në gjeopolitikë asgjë nuk është siç duket”.
Në fund të fundit, Ballkani është tokë e përjashtimeve.
Amerikanët të thonë vazhdimisht se nuk ekziston diçka e tillë si një drekë falas. Europa ka marrë plot dreka (pothuajse) falas në Ballkan. Tani është koha të paguajë për drekat që do t’i hanë të tjerët, që ajo ta bëjë gjumin më të qetë.
* Gazeta “Jeta në Kosovë|