Ballkani në udhëkryqin mes Lindjes dhe Perëndimit

 

Nga Marjana Doda

Jo më shumë si rezultat i pozicionit gjeografik, por dhe të historisë aq sa të lashtë dhe moderne, mbushur me ngjarje nga me të rëndësishmet, kanë bërë që Ballkani të jetë rajoni më i nxehtë i Europës -Juglindore. I ndodhur në brigjet e tre deteve të krijon idenë e trekëndëshit të “Bermudës” në këtë pjesë të Europës, dallgët e të cilit shpesh kanë qenë aq sa të dhimbshme dhe të rrezikshme. Popujt e këtij rajoni, si për nga relievi e pozicioni gjeografik, por dhe nga karakteri, gati u konsideruan si “malësorët” e Europës, pasi ku më shumë, e ku më pak, kanë pak dallime nga njëri tjetri, si në tradita, zakone, doke etj.. krahasuar me popujt e tjerë të këtij kontinenti. Të vendosur në këto territore tek ata u zhvillua ndjenja e krenarisë, autoritarizmit, pse jo dhe brutalitetit që në shumë raste do shfaqej si një hendek dhe burim konflikti, jo vetëm mes tyre, por dhe ndaj të tjerëve. Ndodhur mes regjionesh dhe religjionesh, nën udhëkryqin e influenca pushtuesish e perandorive në periudha të ndryshme të historisë, nuk mund të ndodhte ndryshe që ato të mos linin gjurme dhe në Ballkan, i cili ishte si të thuash shtegu ku ato do të kalonin nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas.

Do të ishte Perandoria Romake, që ashtu si dhe gjetkë, do të përhapte zhvillimin, kulturën dhe qytetërimin e saj në këto vise si dhe do të ndërtonte të parën urë lidhëse, me rrugën “Egnatia” që nga Roma në Adriatik, e cila kalonte nëpër malet e Ballkanit, nga Shqipëria, në Maqedoni e deri në brigjet e Egjeut. Por do të ishte po kjo Perandori me perandorin Theodor që në vitin 395 do të ndante qytetërimet në atë të Lindjes dhe të Perëndimit, kufijtë, e të cilit do të ndaheshin në Ballkan, gjë, e cila do të sillte kryqëzim kulturash dhe religjonesh. Aty do të ndahej dhe Kisha e Shenjtë, në atë Lindjes dhe Perëndimit, që gjithsesi do të ndikonte në mënyrën më paracaktuese të dallimeve mes dy poleve në shumë aspekte të jetës dhe zhvillimeve historike. Pas kësaj ndarjeje u krijua perandoria tjetër, ajo Bizantine me qendër Konstandinopojën, e cila do të kishte një pushtet dhe ndikim të dukshëm në Ballkan deri në shekullin XIV, ku do të rrëzohej e zëvendësohej nga një tjetër perandori, po me qendër Stambollin, Perandoria Osmane, tashmë krejt ndryshe nga dy perandoritë e para, perandoria e orientit, me një tjetër kulturë e tjetër besim, me ato të Lindjes Mesme. Pushtimi dhe përhapja e kulturës e fesë islame, ku më shumë e ku më pak, la gjurmë në shumë troje të Ballkanit, si në Shqipëri, Bosnjë, Serbi, Bullgari etj., por që gjithsesi ishte përtej kulturave të perandorive dhe pushtuesve të mëparshëm.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe ku për mëse pesë shekuj pushtim deri në shekullin XIX, kësaj Perandorie do t’i kundërviheshin perandoritë evropiane, dhe ajo e Rusisë që më 1877 i shpalli luftë osmanëve duke i detyruar të tërhiqen nga Ballkani, periudhë kjo që mund të thuhet se ishte një kontribut i rëndësishëm që i shërbeu popujve të këtij Gadishulli për zgjimin kombëtar e nacional të tyre.

Me mposhtjen e Perandorisë Osmane fillojnë tjera procese të rëndësishme në Ballkan. Zgjimi i ndjenjave nacionale bëri që në të shumtën e tyre të kërkonin krijimin e shteteve të tyre, si: Serbia, Greqi, Mali Zi, Bullgaria, Shqipëria, por popujt e Ballkanit atë çfarë nuk mund ta kishin bërë kundra perandorive, tashmë e bënë në mes tyre me luftërat ballkanike të viteve 1912-1913, ku sërish do dilte në pah karakteri i tyre për të sulmuar e copëtuar fqinjin e tij. Konferenca e Paqes në Paris 1919, po me pjesëmarrjen e fuqive botërore, krijojë hartën e pas luftës, veç të tjerave dhe në Ballkan, por dhe kjo për të kënaqur orekset e njërës apo tjetrës palë, duke lënë hapur konflikte ndërmjet shtetesh e kombesh, që vështirë të krijonin paqe të qëndrueshme rajonin e Ballkanit që gjithnjë do të konsiderohej si një “fuçi baruti” në zemër të Europës. Pas Luftës Parë Botërore , formohet dhe një “perandori” tjetër, por me pamje ideologjike, e cila do “pushtonte” Europën, pale pastaj Ballkanin, ishte pikërisht ideologjia komuniste, ku si qendër të saj do kishte Rusinë. Kjo“perandori” do krijonte pushtetin e sovjetëve, e cila pas Luftës Dytë Botërore do të përfshinte gjithë Europën Lindore dhe më 1955 do të krijonte bllokun më të fuqishëm ushtarak të saj të traktatit të Traktatit të Varshavës për t’ia kundërvënë bllokut Perëndimor të Organizatës Traktatit Atlantikut Verior dhe kështu sërish Ballkani nën një tjetër “perandori”, që gjithsesi dhe kjo krijoji kultura, mendësi dhe interesa të ndërsjella.

Dhe pse kjo “perandori komuniste” u shpërbë më 1989 në vendin, ku lindi (me shembjen e Murit të Berlinit), shpërbërja e ish -Jugosllavisë, e “malësorëve” të Ballkanit, nuk do ishte aq e lehtë. Tashmë, pjesë e karakterit të tyre, nuk lëshohej as pushtet, as kufij e as territor pa luftëra. Sërish Ballkani në luftë ku nuk mund të ndreqeshin më as padrejtësi historike e as kufijtë e Konferencës së Paqes. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë nuk do të ndodhte pa luftë, ku më pak në Slloveni a Kroaci, ndërsa Bosnja do të ishte një varr mesjetar i kohëve moderne, deri në luftën e Kosovës një krim tjetër kundër njerëzimit në fund të shekullit XX ku mendohej se, qytetërimi europian kishte arritur maja, por jo në Ballkan. Krijohen shtete të reja ballkanike, Serbi, Slloveni, Kroaci, Mali Zi, Maqedoni, Bosnjë Hercegovinë dhe së fundmi Kosovë, në një Ballkan që ende është shumë larg asaj që duhet të jetë. Ky ishte Ballkani dje, nën udhëkryqin e luftërave të “nxehta” apo të “ftohta”, aty ku popujt harronin se ishin vëllezër dhe kur hera herës “hutoheshin” nën erërat e Lindjes dhe Perëndimit, që gjithsesi kishin lënë “të ftohur” në lëkurën e tyre, aq derisa grindeshin deri dhe me vetveten. Ky ishte Ballkani i ballkanasve që ende nuk dinin se në cilat erëra do gjenin shërimin e tyre, por gjithsesi, kishin lënë gjurmë në jetën e tyre. Ndoshta kjo i përket periudhës më të errët.

Po Ballkani sot? Sërish në udhëkryqin mes Lindjes dhe Perëndimit. Sërish ballkanasit nuk dinë se nga cili diell do ngrohen më mirë, nga ai i Lindjes apo i Perëndimit. Sërish nën ndikime dhe influenca “perandorish” që shtyjnë ende erëra të dukshme e të padukshme në këtë zonë të Bermudës së Ballkanit”, në këtë pjesë aq të rëndësishme dhe delikate të Europës. Falë të shkuarës së tyre, falë luftërave e mentalitetit të tyre, ata thuajse mbetën po ata. Tashmë, për ta nuk do të ishte më faji i kulturave që lanë perandoritë, se sa vetë faji i tyre për të ndrequr veten e tyre. Pas shpërbërjesh e luftërash ata nuk punuan më as për paqen mes tyre, e as në rajon. Ballkanasit formuan pushtete të tyre kundër pushteteve të njëri-tjetrit, formuan elita politike për të luftuar deri në vdekje elitën motër politike, formuan oligarki financiare për pushtetin dhe oligarkinë e tyre politike, mbajnë peng vendet e tyre, popujt e tyre. Vendet e Ballkanit drejtohen nga politikanë dhe oligarkë që nuk shohin kurrsesi interesat e popujve të tyre, por të oligarkëve dhe grupeve mafioze që i mbështesin, në çdo vend qoftë. Në çdo vend të hulumtosh, aspak nuk do të gabosh, kështu ndodh. Dhe kështu të duket sikur je sërish si para 2000 vitesh, sërish si para 70 vitesh, si atëherë kur ndahej Lindja dhe Perëndimi, përsëri në udhëkryq. Tashmë me rënien e perandorisë së Lindjes të Bashkimit Sovjetik formohet një tjetër perandori, ajo e Perëndimit, Bashkimi Europian (BE), e cila fton të bëhen pjesë të saj ish -vendet e Bllokut Lindor, mes tyre dhe vende të Ballkanit që të bëhen pjesë e një tregu të lirë të përbashkët, me liri lëvizjesh të personave, e kapitalit dhe për një politikë të jashtme dhe sigurie të përbashkët, e cila sikur të josh me erëra të ngrohta, por sërish duket sikur të lë tek porta. Turqia, Bosnja Hercegovina, Serbia, Mali Zi, Maqedonia, Shqipëria, Kosova rendin drejt saj por dyert e Brukselit duket sikur nuk hapen lehtë. Kriza globale por dhe ajo Evropiane, që duket sikur e ka lodhur BE-në, me gjithë dëshirën e mirë të saj ka bërë që këto vende të Ballkanit të ndodhen në staniacion dhe tranzicionin e gjatë mes erërave të Lindjes dhe Perëndimit.

Në fund të fundit popujt e Ballkanit aspirojnë, ashtu si dhe popujt e tjerë të Europës. Fundja kulturat e perandorive të ndryshme lanë gjurmë në jetën e tyre, në kulturën e tyre, në çdo gjë të mirë që ata provuan dhe mësuan, po tashmë përse? A është faji i tyre apo oligarkive, është faji i tyre apo i qeverive të tyre. Përse përsëri në udhëkryq? Përse privohen nëse duhet të shkojnë drejt Lindjes apo Perëndimit. Nëse Perëndimi i josh por ende i lë bosh, atëherë përse të mos kërkojnë në Lindje, deri dhe në Lindjen e Largët, ku dhe atje mund të zhvillohet një treg dhe lëvizje e lirë? Jeta e ballkanasve është e rëndësishme dhe e shtrenjtë si vetë jeta e atyre që jetojnë, si në Lindje dhe në Perëndim, ndaj nuk duhet që sërish të përcaktohen se kujt erëra i përkasin. Se fundja, dhe romakët që sollën një kulturë dhe ndërtuan një rrugë i shërbeu sadopak atyre, se dhe Bizanti la gjurmë të tij, por dhe turqit gjithashtu, dhe pse sollën një kulturë orientale që vështirë të observohej e praktikohej në mes të Evropës, ashtu si dhe perandoria sovjetike me internacionalizmin e saj që gjithsesi mendoi se i bashkoi popujt me ideologjinë dhe kulturat e saj.

Tashmë për Ballkanin dhe ballkanasit, përtej politikave, përveçse integrimit evropian të tyre, është i rëndësishëm integrimi ekonomiko-shoqëror, kudo që ata e ndjejnë veten të sigurt, dhe të mos nxiten në çështje nacionalizmash apo influencash të ndryshme, që gjithsesi do t’i mbanin peng ende nën mjegullën e ideologjive dhe koncepteve të vjetërsuara Lindje-Perëndim. Popujt më shumë se sa çdo gjë kanë nevojë për integrim ekonomik, kulturor, shoqëror, të një rendi të arrirë, pa ngjallur sërish fobi dhe paragjykime të së djeshmes, dhe përse? Nuk kanë kaluar ende 15 vite që flakët dhe plagët e luftës në Ballkan ende nuk janë tharë. Kohët e fundit ka dalë një luftë ende me e frikshme me sfond fetar, ajo e terrorizmit. Nuk duam ta besojmë dhe nuk duhet lejuar që vende të Ballkanit nëpërmjet Turqisë europiane të shërbejnë si një korridor që nëpër Europë të shpërndahen terroristë që nuk njohin më as Lindje e as Perëndim, përveçse terrorit dhe vrasjes qindra-mijërave njerëzve të pafajshëm. Pra, tashmë, ka dalë një e keqe që kërkon unifikim të faktorëve të Ballkanit, me atë të Lindjes dhe Perëndimit, kundër së keqes së terrorizmit, se nëse nuk do të ketë unifikim, por do t’i shtihet benzinë zjarrit , me të drejtë ndoshta, një ditë do dalë shprehja se Ballkani është fuçi baruti. Në vendet e Ballkanit kemi shumë probleme të mprehta nacionale me pretendime për rindarje territoresh. Kemi probleme mes etnish dhe nacionalitete të ndryshme, por dhe mes besimesh, që gjithsesi, mbetet një problem tepër serioz në këtë rajon të nxehtë. Mbetet nyje gordiane e këtij rajoni çështja e Maqedonisë që një shkëndijë kërkon dhe të marrë flakë mes tre zjarreve; shqiptarëve, grekëve e bullgarëve, një shkëndijë kërkon veriu i Kosovës për të shpërndarë sërish flakët e luftës, Bosnje Hercegovina ende mbetet varr i hapur, në mos na rikthen sërish në një luftë të re botërore si dikur.

Shpërbërjet, kufijtë, luftërat, ideologjitë, elitat politike oligarike-mafioze, nacionalizmat e çdo gjë tjetër në një Ballkan ende të nxehtë, është ende të kuptohet se kujt erërave i përkasin. Ndërsa fryjnë erëra të Perëndimit e Atlantikut Verior për një Ballkan ndryshe, ballkanasit ndodhen ende në udhëkryq, nën një përplasje rrymash Lindje-Perëndim, perandoritë e të cilave gjithnjë janë kryqëzuar për mirë ose për keq në Ballkan, për të cilin ata luten për mirë. Në samitin e 22-të ministror të OSBE-së më 3 dhjetor, Kryeministri Serbisë Aleksandër Vuçiç, duke marrë shkas dhe nga kriza e refugjatëve, tha se “Ballkani është një fuçi baruti që një shkëndijë mund të ndezë gjithë rajonin”, duke shprehur shqetësimin për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ndoshta pikëpamja e tij përkon me zgjerimin gjithnjë e në rritje të Atlantikut Verior drejt Lindjes. Pra, Ballkani mbetet një rajon shumë i rëndësishëm që duhet vlerësuar si për sot dhe për nesër.

Ndaj elitat politike duhet të mendojnë se e ardhmja e Ballkanit do të ketë paqe të qëndrueshme veç kur popujt e këtij rajoni të vendosin vetë për fatin dhe interesat e e tyre kombëtare dhe të çdo lloje interesi qoftë. Popujt e Ballkanit kërkojnë të zbatohet ligji dhe e drejta, si për çdo popull tjetër, se në radhë të parë ata kanë nevojë për bashkëpunimi ekonomik, humanitar dhe të çdo fushe tjetër, përtej përzgjedhjes politikave jo destabilizuese dhe jo produktive. Marrëdhëniet e vendeve ballkanike si me njëri-tjetrin, por dhe me partnerë të Lindjes dhe Perëndimit nuk duhet të jenë të politizuara, gjë, e cila mund të përshkallëzojë tensionet mes tyre dhe që mund të sjellin pasoja të paparashikueshme. Popujt e Ballkanit nuk kanë më nevojë për “perde të hekurt”, mes Lindjes dhe Perëndimit. Sovraniteti dhe integriteti i vërtetë i tyre vjen si rezultat i një politike transparente me këdo dhe kushdoqoftë, nëpërmjet një bashkëpunimi ekonomiko-kulturor me përfitim reciprok duke menduar për një siguri të përbashkët mes tyre dhe me të gjithë ata që mendojnë për integrim dhe prosperitet të vërtetë të popujve të këtij rajoni. 

SHKARKO APP