Ballkani Perëndimor në pasqyrën e progres-raportit 2015

 

Nga Lavdrim Lita

Më shumë kritika sesa përgëzime përmban raporti i progresit të këtij viti për vendet e Ballkanit Perëndimor.  Edhe pse i botuar një muaj më vonesë nga përvoja e kaluar, progres raporti është instrumenti përmes të cilit komisioni Europian vlerëson gjendjen aktuale të punëve të rajonit  dhe Turqisë në përgatitjet për t’u integruar në Bashkimin Europian. 

Para tre ditësh komisionari për Zgjerim i BE, austriaku Johannes Hahn, bëri me dije se raporti ka gjetje shumë interesante, midis të cilave faktin që kriza migratore dhe e refugjatëve vuri në pah domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve që janë pjesë e BE dhe atyre që presin t’u bashkohen sa më shpejt. Në strategjinë e saj të zgjerimit Komisioni europian rithekson se në procesin e aderimit nevojitet t’i jepet prioritet çështjeve thelbësore që janë shteti i së drejtësi, mbrojtja e drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve demokratike, përfshirë reformën e administrative publike, zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën.

Pavarësisht progresit të realizuar në vitin e shkuar, sipas Komisionit Europian mbeten për t’u përballur shumë sfida të rëndësishme. Për sa i përket shtetit të së drejtës, sistemit të drejtësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë mjaftueshmërit të pavarura, eficente dhe të përgjegjshme. Nevojiten akoma sforco të qëndrueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, në veçanti duhen regjistruar rekordi të vlefshme hetimesh dhe dënimesh të përfunduara.

Për Shqipërinë,  Komisioni Europian vlerësoi reformat e qeverisë, por nuk rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim. Kryeministri i vendit Edi Rama i pakapur në befasi nga gjetjet e raportit deklaroi se vendi ka nevojë për përmbushjen e reformës në drejtësi për të ecur para në rrugën e integrimit. Gjithashtu, Komisioni Europian kërkon hetime për rastet e korrupsionit dhe krimit. Në raport kërkohet përmirësimi i mëtejshëm i administratës publike dhe i kontrollit mbi shpenzimin e fondeve buxhetore nga ana e autoriteteve lokale.

Për Serbinë, Komisioni Europian vlerësoi qeverinë e kryeministrit Vuçiç për përmbushjen e kritereve politike, por duhet të përqendrohet në disa çështje thelbësore duke përfshirë edhe raportet e një fqinjësie të mirë me vendet që e rrethojnë. Kryeministri serb Vuçiç deklaroi se i është mirënjohës Komisionit Evropian për vlerësimet pozitive, por prapëseprapë më shumë do të fokusohet në 3 për qind të raportit që përshkruan gjëra negative, se sa në 97 për qind të vlerësimit pozitiv. Po ashtu, raporti i Progresit për Serbinë, edhe këtë vit nuk ka shpërfaqur disa probleme të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ky raport thotë se rajoni ende është rëndë i pazhvilluar dhe etnia shqiptare vazhdon të jetë e nën përfaqësuar në shërbimet publike.

Për Maqedoninë, raporti i Komisionit Evropian është raporti më i zi që nga koha kur Shkupi zyrtar mori për herë të parë statusin kandidat për në BE. Zv/kryeministri për çështje europiane Fatmir Besimi, vlerësoi se të gjitha kritikat në raportin e progresit janë reale dhe duhet të adresohen në mënyrë adekuate, përfshirë ato për hetimin e plotë për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve shtetërorë në afera korruptive. Po ashtu, raporti në paragrafët 9 dhe 10 vë në dukje se duhet një hetim ndërkombëtar për ngjarjen e Kumanovës, ku vdiqën nga përleshja me armë zjarri 22 persona.   

Për Malin e Zi, Komisioni Europian vlerësoi  progresin e këtij vendi, kurse dialogu i pushtetit dhe opozitës duhet të zhvillohet në parlament. Prapëseprapë përparimi në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar është i kufizuar. Sa i përket kritereve politike, nga Komisioni evropian është rekomanduar që legjislacioni i ri zgjedhor, i cili është miratuar vitin e kaluar, duhet të zbatohet në tërësi, duke përfshirë edhe identifikimin elektronik të zgjedhësve. Sa i takon ekonomisë në raportin e Komisionit Evropian theksohet se në Mal të Zi rritja ekonomike përsëri po merr hov, duke iu falënderuar investimeve, posaçërisht në sektorin e komunikacionit, energjetikës dhe turizmit.

Për Kosovën, Komisioni Europian jep me shkrim dritëhijet e saj për progresin dhe regresin e vendit, duke vlerësuar arritjen e marrëveshjes së  Stabilizim Asociimit, ndërsa kritikoi gjendjen e papranueshme në parlament. Raporti thekson gjithashtu se shumë institucione të pavarura nuk janë operative. Si Qeveria, ashtu edhe Kuvendi duhen që me urgjencë të sigurojnë se këto institucione mund t’i vazhdojnë detyrat e tyre, duke aplikuar parimet kyçe të llogaridhënies, kualifikimit profesional dhe meritës. Emëruesi i përbashkët i gjithë raporti për Kosovën është që Prishtina zyrtare është në fazën e hershme të shtrirjes në shumicën e fushave.

Për Bosnje-Hercegovinën, Komisioni Europian vlerësoi vullnetin politik me miratimin e agjendës së reformave në korrik të tij viti, por ka nevojë për përparim konkret në zbatimin e kësaj agjende, që është një parakusht që Bashkimi Europian të konsiderojë kërkesën e Bosnjës dhe Hercegovinës për anëtarësim në BE  Sipas Komisionit Evropian, Bosnja – Hercegovina janë prapa në rrugën e reformave dhe shënoi vendnumëro në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Sido që të jetë raport progresi i këtij viti kishte si element cilësor gjuhën më politike, më të dobishme, më të kuptueshme dhe me elemente krahasues. Procesi i zgjerimit do të vijojë, si nga ana e BE-së ashtu dhe nga ana e vendeve kandidate apo potenciale për të përmbushur kriteret dhe detyrat e lëna për në shtëpi. Rreziku më i madh i këtij procesi është mungesa e legjitimitetit në sy të qytetarëve evropianë. Në shumë opinione publike evropiane procesi i zgjerimit është kthyer në një argument toksik. Po ashtu, taktika e ecjes së procesit të zgjerimit “fshehurazi” nuk mund të funksionojë për një kohë të gjatë. Është e kuptueshme që nevojitet një legjitimitet i ri.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

SHKARKO APP