Bardh Spahia: Vetëm qëndresë, deri në frymën e fundit

Bardh Spahia ka reaguar pasi gjykata e vendosi një ditë më parë masën ‘Arrest shtëpi’ për të.

Ish deputeti demokrat në një postim në Facebook tha se e drejta triumfon mbi çdo urdhër politik e keqpërdorim të shtetit.

Ai theksoi se do vazhdojë qëndresën derisa të ketë frymë.

Bardh Spahia: “Të gjithëve e secilit, miq, kolegë, të njohur e të panjohur, brenda e jashtë vendit, u jam thellësisht mirënjohës për solidaritetin, vëmendjen e mesazhet! E drejta triumfon mbi çdo urdhër politik e keqpërdorim të shtetit, ashtu si vendosmëria për të bërë gjënë e duhur për këtë vend, nuk lëkundet as edhe një sekondë! Solidariteti njerëzor mbetet sinjali më i qartë se shpresa është e fortë në këtë vend, njëlloj si ndërgjegjësimi se beteja kundër të keqes nuk është e lehtë, por aspak e pamundur!

Nuk jam penduar për asnjë moment për zgjedhjen që të kthehem e të qëndroj në vendin tim!

Për formim e traditë familjare, besoj tek qëndresa përballë të keqes, si rruga për të merituar lirinë e demokracinë. Ajo betejë bëhet veç pastër, pa kthesa e konformizma! Paqja pa drejtësi është diktaturë, e diktatorët veç rrëzohen! Qëndresa është historia e Shkodrës, e jo përkulja!Jam pranë çdo mbrojtësi të lirisë të ndaluar padrejtësisht, jam pranë çdo qëndrestari e ushtari te demokracisë që mbron lirinë duke u përballur me dinjitet e kurajë kundër të keqes që po rikthehet për të mbytur e zënë për fyti demokracinë në atdheun tonë.

E aty do jem bashke me ta, mirënjohës për shërbimin që i bëjnë kombit të vet, me sa të kem mundësi e sa të kem frymë!

Respekt për të gjithë qëndrestarët!

SHKARKO APP