Bardhi: Pa luftuar korrupsionin, s’ka integrim në BE
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi thotë se raporti i fundit i OSBE/ODIHR-it konstatoi qartë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira dhe të ndershme. Në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, Bardhi nënvizoi se sot në Shqipëri nuk mund të flitet për progres dhe zhvillim.
”Nuk është Partia Demokratike apo opozita shqiptare që flet për shkeljen e rëndë të standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por janë vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it dhe eurodeputetët e Parlamentit Evropian”, u shpreh Bardhi.
Nga ana tjetër ai theksoi se legjitimiteti i qeverisjes buron nga liria dhe barazia e zgjedhjeve. ”Kur raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it apo edhe raporti i eurodeputetëve të Parlamentit Evropian tregon që zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të barabarta, kjo do të thotë se Parlamenti dhe Qeveria jonë sot nuk kanë legjitimitet demokratik”.
Sipas tij, për sa kohë ekziston kjo situatë dhe për sa kohë raportet ndërkombëtare flasin për lidhje të krimit të organizuar me politikën, nuk mund të ketë një qeveri që punon për qytetarët shqiptarë. ”Integrimi evropian i Shqipërisë dhe pasaporta evropiane e shqiptarëve do të realizohen vërtet kur ne të gjithë që jemi në këtë sallë ta themi të vërtetën në sy, t’i drejtojmë gishtin personit përgjegjës dhe ta luftojmë korrupsionin e lartë qeveritar dhe krimin e organizuar me seriozitet, përkushtim dhe sinqeritet”.
KOHA JONË SONDAZH

