Basha, apel publik Ramës: Mbaj premtimet për energjinë
Ky ka qenë apeli publik që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i drejtoi dje kryeministrit Edi Rama, teksa ka dalë gjatë ditës së djeshme në foltoren e selisë së saj pikërisht për të denoncuar nismat e fundit të qeverisë lidhur me energjinë elektrike. Më tej, Basha i kërkoi kryeministrit që të mos rrisë çmimin e energjisë, por të mbajë premtimin e tij elektoral se do të ulë me -6% TVSH-në për energjinë. Ndërsa lidhur me deklaratën e Ramës se do të ketë ulje prej 80% të kamatëvonesave për ata që paguajnë energjinë brenda 28 qershorit, kreu i opozitës ka reaguar duke theksuar se shqiptarët nuk kanë me çfarë ta paguajnë. “Mijëra familje janë në kufijtë e mbijetesës. Pjesa me e madhe nuk kanë me çfarë të paguajnë. Me çfarë të paguajë, ku s’ke hapur asnjë vend pune, por sipas INSTAT janë 2000 vende të mbyllura”, – u shpreh Basha. Dhe skemën e prezantuar nga kryeministri Rama, aie cilëson si një tentativë për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve. “Asnjë zgjidhje nuk ofroi sot me gjasme skemën e prezantuar. Protesta e detyroi të bënte një hap pas, por prapë e la lakun te nevojtarët. Nuk hoqi faturat abuzuese”, kritikoi publikisht Basha. Në fakt, sipas tij, tërheqja e qeverisë Rama dhe pranimi i kërkesës së opozitës për shlyerjen e detyrimeve me këste të përballueshme, ishte lëvizje e detyruar nga protesta e qytetarëve. “Protesta e fuqishme e qytetarëve kundër arbitraritetit të qeverisë, e detyroi Edi Ramën të kthehet nga kursi i tij i marrë, i ndëshkimit kolektiv, i burgosjes së qytetarëve për shkak të pamundësisë për të shlyer faturat e larta dhe abuzive të energjisë elektrike. Edi Rama nuk u la qytetarëve asnjë alternativë tjetër përpos qelisë së burgut, asnjë mundësi, nuk hapi asnjë vend pune, por mbylli me dhjetëra mijë të tillë, nuk krijoi asnjë mundësi për familjet që mezi ushqejnë fëmijët. Ne, opozita, Partia Demokratike kërkuam në mënyrë të përsëritur, që qeveria të aplikonte një sistem ku t’u jepte mundësi qytetarëve të shlyenin detyrimet e tyre me këste të përballueshme. Kërkuam shansin që detyrimet e ligjshme të paguheshin me këste të përballueshme dhe të arsyeshme”, u shpreh në këtë kuadër Basha. Duke përfunduar se protestat do vijojnë, pasi janë të vetmet që sipas tij, mund të ndalin planin e çmendur të Edi Ramës për rritjen e çmimit të energjisë dhe taksave. “Partia Demokratike i inkurajon qytetarët dhe çdo familje në vend, të shlyejnë detyrimet e njohura dhe të pakontestuara të energjisë elektrike. Por ne nuk do të lejojmë për asnjë moment eksperimente kriminale mbi shoqërinë, mbi qytetarët, pabarazinë para ligjit, dhe dhunimin e të drejtave themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji”, konkludoi ai.