Basha: Ky është fillimi i fundit të kriminalizimit

Për kreun e Partisë Demokratike, miratimi i rezolutës së djeshme në Kuvend është nisja e fundit të kiminalizimit të administratës. Në një konferecë për mediat, pas punimeve të Kuvendit, ku morën pjesë deputetët e PD-së, basha u shpreh se rezoluta është një sukses i Partisë Demokratike. Basha tha se bojkoti ishte një domosdoshmëri për të mbrojtur interesat e vendit. “Pa asnjë dilemë se e vetmja alternativë për Shqipërinë dhe shqiptarët është demokracia funksionale e modelit europian, Partia Demokratike dhe opozita vendosën gjashtë muaj më parë ndërprerjen e marrëdhënieve me Kuvendin, si një veprim i domosdoshëm për të ekspozuar qartë dhe bindshëm në sytë e opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar të vërtetën tronditëse, të një Kuvendi të kriminalizuar me vetëdije nga krerët e mazhorancës aktuale”,- u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha. Duke u ndalur në rëndësinë e rezolutës, Basha tha se efektet e saj do të ndjehen shumë shpejt. “Frytet e saj do të duken menjëherë dhe në vijimësi, në vartësi të seriozitetit, shpejtësisë dhe cilësisë së zbatimit të masave të gjithëpranuara për të garantuar sovranitetin e plotë të ligjeve kushtetuese dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe sidomos për dekriminalizmin e Kuvendit dhe institucioneve të shtetit, për eliminimin njëherë e mirë të praktikave që mundësojnë vërshimin e krimit në këto institucione, kapjen dhe kapitullimin e tyre”,- tha kreu i PD-së. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se beteja qytetarë do të vazhdojë edhe jashtë Kuvendit. “Me ketë rast dua t’i siguroj të gjithë demokratët dhe qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë zëri i tyre në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, do të vazhdojë të jetë në sintoni të plotë e të përditshme me Shqipërinë në protestë, do të vazhdojë t’u prijë protestave popullore përballë gjendjes gjithnjë e më të përkeqësuar ekonomike dhe shoqërore në vend”,- tha Basha.

SHKARKO APP