Basha-Rama, akuza për Shullazin
Kryeministri dhe kreu i opozitës kanë replikuar dje në distancë për çështjen “Shullazi”. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama duke thënë se po përpiqet të trembë opozitën me anë të kriminelëve si Emiljano shullazi. Në një deklaratë për mediat, Basha tha se kryeministri po kërkon që të mos lejojë fjalën e lirë në vend. “Rama do të mbysë kritikën dhe fjalën e lirë por kjo nuk ka për të ndodhur. Rama po instalon regjimin e heshtjes dhe nisi t’a bëjë këtë duke goditur deputetët e opozitës”,- tha Basha. Basha akuzoi Ramën se ka qenë pikërisht ai që urdhëroi Shullazin të kërcënojë opozitën. “Dhuna e Ramës u shoqërua edhe me kërcënime. Rama lëshoi Shullazin që të më kërcënojë mua dhe opozitën. Skema e Ramës është ajo e një burracaku por nuk do të mbetemi peng i asnjë bande”, përfundoi Lulzim Basha. Kreu i PD-së u shpreh se intimidimi i opozitës është një skemë e dështuar. “Edi Rama nuk po kupton, se skema e tij është dështake, është skema e një furacaku të dëshpëruar, i cili pasi e ka zhytur vendin në krizë, e pasi ka themeluar një normë korrupsioni të përbindshme në çdo zyrë publike, kërkon që përmes inkriminimit dhe lidhjeve me krimin, të mbajë mbyllur fjalën e lirë, tenton të heshtë opozitën, e vetmja shpresë sot për ta nxjerrë vendin nga ky tunel i errët ku e ka futur Edi Rama. Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë ditë të sajën takim me frikën. Dhe nuk do të ketë kurrë një takim të tillë”,- tha Basha.
Pas deklaratës së kreut të opozitës ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama. “Kur shpif ndaj tjetrit, thua gjëra që i ke bërë apo je në gjendje t’i besh vetë!”, thote Emmanuel Kant-i. I cili me kujtohet sa herë i dëgjoj lehaqentë të shpifin ndaj meje. Shpifin duke na akuzuar, duke me akuzuar, për çfarë kanë bërë vetë! U duket se ne jemi njësoj si ata dhe tanimë që jemi në qeveri, bëjmë atë që bënin ata vetë; bashkëqeverisim me krimin; e përdorim policinë si urë lidhëse me krimin; përdorim kriminelët për të trembur opozitën”, -shkruan Rama. Në një postim në Facebook, Rama u shpreh se nuk ka ndër mend të ngrejë padi penale ndaj rivalit politike, sikundër ka bërë me deputetët Ristani e Paloka, dhe sqaron arsyet. “Ndryshe nga ata dy prototipat e rrugaçërisë politike që ka në krah, kryetari i sotëm PD është peng i trishtueshëm dhe i shumëfishtë që meriton vetëm keqardhje. Ndërkohë, padyshim, mospaditja prej keqardhjes e Lulëzim Bashës, nuk do të përbëjë asnjë pengesë në zbardhjen e çështjes”,- thotë Rama. Kryeministri rikonfirmon largimin nga detyra në rast se akuzat në adresë të tij provohen. “Mospaditja prej keqardhjes e Lulëzim Bashës, nuk do të përbëjë asnjë pengesë në zbardhjen e çështjes. Le të japin dy shquparakët e tij të vajmedetshëm, në prokurori apo në gjyq, një provë të vetme për akuzat e këtyre ditëve nga foltorja e PD, dhe pastaj menjëherë Kuvendi le të zgjedhë një kryeministër tjetër. Por ama, në të kundërt, ky është rasti që kjo politikë e shpifur e lehaqenies ndaj kundërshtarit vetëm për të çoroditur opinionin, të ndëshkohet ligjërisht në mënyrën më shembullore”,- u shpreh kryeministri Edi Rama.
REAGIMI
PD: Shullazi është dënuar në vitin 2011
Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama ka reaguar Partia Demokratike, lidhur me akuzuat për Emiljano Shullazin. Sipas PD-së, kryeministri Edi Rama duhet që të dënonte kërcënimin që iu bë kryetarit të PD-së Lulzim Basha nga Emiljano Shullazi. “Si kryeministër i vendit, Edi Rama do të duhej ta dënonte këtë ngjarje, më e pakta, e të distancohej nga ajo. Por ashtu si edhe me sulmin ndaj opozitës në parlament, Edi Rama mbron kriminelët dhe sulmon opozitën. Mosdistancimi është po aq i rëndë sa edhe kërcënimi. Mosdistancimi dhe mosdënimi i kësaj ngjarje nga Edi Rama është baras me dalje zot kërcënimit, është baras me mbrojtjen e kërcënuesit”,- thuhej në deklaratën e Partisë Demokratike”,- thuhet në reagimin e PD. Gjithashtu, PD shprehet se Shullazi është dënuar disa herë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. “Siç provohet edhe nga arkivat e medias dhe të drejtësisë, ai u arrestua edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe u dënua me burgim. Emiliano Shullazi në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte njeriu kryesor i shtabit elektoral të Saimir Tahirit, dhe janë qindra e mijëra qytetarë të Tiranës dëshmitarë okularë për afërsinë dhe shoqërimin e tij me Ministrin e sotëm të Rendit”,- thuhet në njoftimin e PD.
"Kërcënimi i Shullazit”
Shtohen masat për sigurinë e Bashës dhe Ademit
Ministria e Brendshme ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vendosur mbrojtje ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetes së kësaj partie Voltana Ademi. Ky veprim i policisë, e cila në rruge jo zyrtare mësohet se ka atashuar efektive nga sektori ROS, Reparti Operacional Special, vjen pas kallëzimit të deputetes Ademi, e cila denoncoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se ishte kërcënuar nga shtetasi Emiljano Shullazi. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se sipas kallëzimit deputetja Ademi ka qene në një lokal pranë “21 Dhjetorit”, në Tiranë nën shoqërinë e miqve të saj, kur edhe ka ndodhur ngjarja. "Unë po vishja pallton për të dalë – u ka thënë Voltana Ademi prokurorëve- kur një person i panjohur mu afrua dhe me tha: Emiljano Shullazi ka dy fjalë me ty. Pastaj u afrua personi tjetër, i cili me tha: Thuaj kryetarit tënd Basha, as të mos tentojë të ma përmendë emrin. Thuaji, as të mos guxojë të dalë në papafingo". Burimet e Prokurorisë së Përgjithshme thanë për Top Channel se aktualisht po kryhen disa veprime hetimore. Mes tyre është edhe këqyrja në restorantin ku pretendohet se është kryer kërcënimi. Organi i akuzës nuk jep asnjë përgjigjje nëse do të pyetet apo jo shtetasi Shullazi, por ajo që dihet është se për momentin grupi i hetimit po përpiqet të vërtetojë me prova nëse Shullazi i ka dalë apo jo përpara zonjës Ademi. Çështja është regjistruar në referim te nenit 109 fraksion B, që në Kodin Penal, që bën fjale për 'shtrëngim me anë të kanosjes' apo dhunës për të kryer apo mos kryer një veprim të caktuar.