Basha si lider normal; pse nuk mund të duam një të tillë
Nga Alfred Lela
Rrathët që kanë krijuar gurët e hedhur në pellgun e zgjedhjeve hapen përditë, dhe prej një jave kanë krijuar atë që mund të quhet pllaquritje për tallava dhe orkestër. Një pjesë e opinionistëve, herë me fjalë e herë me shifra, disa politikanë të pasuksesshëm me batuta dhe, në të rrallë, por jo për mall, nga vetë radhët e liruara të Partisë Demokratike, janë bashkuar në një këngë vaji për PD që është në ditën e moskundit dhe për Bashën që qenka askushi.
Duhet t’ia fillojmë nga grupi i tretë, pra nga pd-istët, të cilët herë brinjazi e herë ballazi, kërkojnë të ndërtojnë paradigmën e humbjes së fundbotshme duke ia faturuar të gjithën shefit të ri të opozitës. Alarmi nuk është te kritika vetë, por tek autorët e kritikës dhe te raporti që kanë këto personazhe me këtë fakultet të demokratikes. Nuk ka rëndësi nëse janë dhënësit apo marrësit e kritikës, pra u është bërë apo e kanë bërë. Nëse i hedh një sy të shpejtë listës së kritikëve, kupton se asnjëri syresh nuk ka pipëtirë qoftë dhe një të tillë sa kohë në krye të partisë ka qenë z. Berisha. Me ardhjen e Bashës kanë dalë nga hija dhe, herë solo e herë kor i kanë rënë kësaj vegle më parë të pahasur në anët e tyre.
Më shumë se kaq, artikuluesit e këtyre kritikave janë pjesë e ish-komandës së Partisë Demokratike, përgjegjës direkt për rezultatin që kjo forcë mori në zgjedhjet e qershorit të dy viteve të shkuara. Asnjë prej tyre ende nuk ka paraqitur publikisht një mea culpa, por janë fshehur pas baobabit politik që ngriti Sali Berisha me dorëheqjen e vet. Një tjetër ndjesë ka ardhur nga vetë Basha në Konventën e PD-së kur u zgjodh edhe lidershipi i ri i partisë.
Grupi i dytë antibashist u përket opinionistëve të shtypit dhe ekranit. Secili për hesap të vet i lexon Bashës një eulogji politike. Por, janë në paradoks sepse janë antibashistë duke qenë njëherësh antiberishistë. E linçojnë gjithë ditën Berishën si diktatorial, dhe në të njëjtën ditë, pa u menduar gjatë dhe pa u matur me hijen e asaj që vetë thonë, i kërkojnë Bashës të jetë autoritarist. Si Berisha?! Shkurt, shumë gjëra që medemek ia përçmojnë Berishës, ia kërkojnë Bashës si instrumente! Edhe kur kërkojnë rikthimin e Berishës nuk e bëjnë se i ha meraku as për Berishën dhe as për PD-në, por pikërisht dhe fatkeqësisht se duan rrokopujën dhe fundin e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri. Kërkojnë të jenë të pashqetësuar në ndarjen e plaçkës. (Opozita, në një vend si Shqipëria, është si Land Roveri në mes të natës në xhunglën afrikane tek hedh dritat e gjata e lëbyrëse mbi sytë e ndezur gjak të hienave që shqyejnë prenë.)
Grupi i tretë janë politikanë shëtitës të të gjithë spektrit, që nuk kanë mendim politik, por batuta sa të duash. Nëse janë nga Partia Socialiste edhe më keq, se nuk i kanë as batutat e veta, por të shefit i cili ua ka huajtur jo se i do, por se ndoshta i duken banale për regjistrin e tij të komunikimit.
Pavarësisht të tre grupeve dhe zhurmës së madhe që bëjnë, Lulzim Basha u ka dalë dje në pritë. Pa shami në ballë e as pushkë në dorë, ai ka shfletuar edhe një herë nga manuali oksidental i liderit të ri politik shqiptar dhe ka pranuar përgjegjësitë e veta dhe të grupit drejtues duke shtuar se do të ketë një analizë ‘votë për votë e kuti për kuti”. Vetëm një javë pas finalizimit të rezultatit. Në një vend ku liderëve politikë reflektimet u marrin dekada, e madje nuk ndodhin kurrë (kemi ende një mea culpa të pashqiptuar të krerëve të komunizmit) një javë është pothuajse një mrekulli.
Ky, sigurisht nuk është i vetmi rast kur z. Basha ka dëshmuar se i takon një mendësie perëndimore dhe interpreton një regjistër të ri të komunikimit politik në Shqipëri. Ndoshta kjo është ajo që na bezdis tek ai.
E urrejmë kur Land Roveri shfaqet në majë të kodrës, në Zululandin tonë, dhe hedh dritat e gjata mbi kërmën që jemi duke shqyer.
Mapo