Bashkë për një shoqëri pa dhunë…
Nga Entela Binjaku
Prej disa vitesh Shqipëria është bërë pjesë e fushatës botërore kundër dhunës me bazë gjinore. Në kuadër të kësaj fushate në vendin tonë, por kryesisht në kryeqytet, u zhvilluan aktivitete kundër kësaj dukurie. Këto aktivitete nisën si çdo vit më 25 nëntor dhe vazhduan deri më 10 dhjetor kur përfundoi edhe fushata. Nisur nga të dhënat shqetësuese për praninë e lartë të dhunës në vendin tonë, mbështetur në idenë se në një shoqëri të emancipuar e kulturuar dhuna ka më pak mundësi të gjejë vend, me idenë se kundër saj duhet të përfshihen sa më shumë aktorë, Fondacioni “Harriet Martineau” si një ndër organizmat e rinj të aktivizimit civil shqiptar, zhvilloi takimin me titull: “Gruaja në kinematografinë shqiptare: kontributi për një shoqëri pa dhunë”. Ky aktivitet i konceptuar si pasdite kulturore ndërgjegjësuese u organizua pasditen e së martës, në datën 9 dhjetor, një ditë para se mbyllej fushata. Këtë takim e nderoi me pjesëmarrjen e tij një personalitet i artit të kinematografisë në vendin tonë, regjisori i mirënjohur z. Kristaq Mitro. Pjesëmarrës në takim ishin të rinj universitarë, të ardhur nga fusha të ndryshme të aktivitetit studimor, të cilët të mbledhur në një nga strehëzat më interesante të kryeqytetit, quajtur “Foleja ShqipOn” dëgjuan e diskutuan rreth përshtypjeve të sjella nga regjisori Mitro prej një kohe të pajetuar fizikisht prej tyre, para viteve ‘90. Në filmat e z. Mitro gruaja është një nga personazhet qendrore të krijimtarisë, ndaj biseda synonte të sillte përshtypje mbi vështirësitë që paraqiste mendësia e kohës për të sjellë në ekran, gruan, figurën e saj dhe personalitetin femëror.
Në këtë bisedë, të rinjtë pjesëmarrës i drejtuan pyetje nga më të ndryshmet, diskutuan mbi mënyrën sesi ata e perceptojnë sot shoqërinë shqiptare para viteve ‘90 duke ju referuar prodhimeve kinematografike të asaj kohe etj. Z. Mitro analizoi disa nga personazhet artistikë që kishin interpretuar aktoret më në zë të kohës dhe që sot përbëjnë një pjesë nga fondi i rëndësisë së lartë të artit të kinematografisë tonë siç ishin: aktoret Eva Alikaj, Matilda Makoçi, Margarita Xhepa, Liza Laska, Rajmonda Bulku etj. Përveç punës së regjisorit në vite ku në vëmendje erdhën filmat e tillë si: “Dimri i Fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Duaje emrin tënd”, “Njeriu i mirë”, “Apasionata” etj., një nga çastet e kësaj pasditeje ishte shfaqja për të pranishmit e filmit të një prej studenteve të profesorit Mitro. Filmi “Sonatë” i regjisores së sapodiplomuar Anxhela Dervishi, një zë premtues i në këtë fushë erdhi si një urë lidhëse mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes krijimtarisë së të tashmes. Filmi “Sonatë” solli ndër të tjera praninë e dhunës në shoqërinë aktuale ku e ardhmja e pasigurtë e të rinjve sot “kërcënon” edhe ndjenjat më të bukura siç janë dashuria dhe ëndërrta rinore, ku dhuna prodhohet edhe në skutat më të thella të natyrës njerëzore e prej ndjenjave të lënduara nga provokimet e kohës. Fushata kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore nisi në datën 25 nëntor e vazhdoi deri në datën 10 dhjetor. Në moton “Bëje botën portokalli” ky takim i zhvilluar në një njërën nga këto 16 ditë aktivizmi ju kushtua gruas shqiptare në një dimension të rëndësishëm të kulturës siç është prodhimi kinematografik dhe mundësia që ky art i jep shoqërisë për të zbutur dukuritë e kohës. Takimi me titull: “Gruaja në kinematografinë shqiptare: kontributi për një shoqëri pa dhunë”, ishte i pari i ciklit të takimit të natyrës “Art-caffe”, që Fondacioni synon të zhvillojë edhe më tej, me të tjera tematika, me të tjerë personalitete nga fusha të artit. Takime të kësaj natyre mungojnë thuajse tërësisht në qytetet e tjera të vendit tonë, më në periferi, apo në zonat rurale ku arti mbërrin me vështirësi apo nuk mbërrin thuajse aspak. Sa më pranë kulturës të gjendet rinia aq më larg sjelljeve deviante do të qëndrojë ajo ndaj dhe aktivitetet me në qendër kulturën dhe artin synojnë të përmirësojnë shoqërinë tonë duke rritur kulturalisht nivelin e të rinjve pjesëmarrës në to. Në këtë takim morën pjesë edhe organizata partnere me një profil interesant e bashkëkohor nga aktivizmi civil shqiptar. Një ndër to është lëvizja intelektuale “ShqipOn” ku në emër të saj koordinatorja Majlinda Kola i ftoi të pranishmit t’i bashkohen edhe nismave që kjo lëvizje organizon me synim forcimin e aktivizmit civil intelektual shqiptar. Komuniteti i quajtur "Foleja ShqipON" është një lëvizje intelektualësh të cilët janë bashkuar ndër të tjera të kryejnë dhe aktivitete kulturore. Kur arti bashkon në një të vetëm aktorë të ndryshëm të shoqërisë, ai mund të motivojë përmes sensibilizimit edhe shumë të tjerë. Për këtë ka nevojë që shoqëria të kërkojë më shumë aktivitete kulturore që do të mbanin larg njerëzve problemet e ndryshme që lindin nga mungesa e tyre, dhe jo vetëm në 16 ditë të vitit….