Bashkia e Tiranës: Kemi punësuar 25 mijë veta
Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ka bërë dje publik bilancin e punës së Bashkisë së Tiranës, përmes të cilit ka përmendur shifrën prej 25 mijë personash të punësuar gjatë vitit 2014. “Lajmi i mirë është se numri i të punësuarve është 25 mijë në tre vjet dhe vetëm 12.500 në vitin 2012. Por lajmi i keq është se ky numër ka ardhur në rënie për shkak të rritjes së taksave dhe çmimit të energjisë elektrike tek bizneset dhe konsumatorët. Problem është bllokimi i projekteve strategjike në kryeqytet që ka sjellë një rënie prej 2500 vendesh pune dhe rënie tjetër po kaq të madhe për shkak të bllokimit të bulevardit dhe terminalit. Gjithsesi, bilanci ynë është pozitiv. Dhe për vitet në vazhdim, deri në 2017, është që ne do të përpiqemi për uljen e taksave që mbledh Bashkia e Tiranës. Vetëm përmes uljes së taksës, vetëm nëpërmjet konsiderimit të biznesit si aleatin tonë në këto kohë krize, të bëjmë plane për të ardhmen”, deklaroi ai. Duke falenderuar më tej anëtarët e Këshillit Bashkiak që u ngritën sipas tij mbi interesat partiake dhe miratuan buxhetin e Bashkisë së Tiranës. “Në krye të prioriteteve të administratës sime ka zhvillimi ekonomik dhe punësimi, si përgjigje e drejtpdrejtë ndaj nevojave të mëdha për punësim e punësim cilësor, me paga më të larta dhe siguri. Shpallja e këtij objektivi u prit jo pa skepticizëm tre vite më parë se çfarë mund të bënte Bashkia”, tha gjithashtu ai.
INCIDENTI
Basha flet, priten dritat
Fjala e kryebashkiakut Lulzim Basha u ndërpre dhe për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në sallën e Universitetit të Arteve dhe nisi pas më shumë se një ore e gjysëm. Incident ky rreth të cilit ai do të ironizonte me fjalët “na morën më sysh, folëm për buxhet me konsensus”, teksa do ta linte podiumin deri në rikthimin e energjisë. Kurse nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo tha se “na premtuan se për 10-15 minuta do të vijnë dritat por koha kalon dhe ende energjia nuk është rilidhur”…