Bashkia e Tiranës nis ndërtimin e këndit të 15 të lojërave në zonën e Kombinatit
Veliaj: Ky është këndi i parë i përshtatshëm për fëmijët me aftësi ndryshe; Kombinati kantier ndërtimi”
Tirana është qyteti i mundësive, edhe për fëmijët me aftësi të veçanta. Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e një këndi të ri lojërash në Kombinat, i cili do t’i shërbejë të gjithë fëmijëve të zonës, por më së shumti fëmijëve me aftësi ndryshe, edhe për shkak të infrastrukturës speciale me të cilën po ndërtohet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi nisjen e punimeve të këndit të 15 të lojërave në kryeqytet dhe theksoi se ky është këndi i pari në Tiranë, i përshtatshëm për t’u aksesuar edhe nga fëmijët me aftësi ndryshe.
“Më vjen mirë që shumë pranë qendrës së Kombinatit po fillojmë punën për këndin e parë të kodrave, i përshtatur edhe për fëmijët me aftësi ndryshe, për fëmijët që mund të kenë nevoja të terapisë mendore, me autizëm ose me sindromën doën. Për herë të parë kemi një kënd lodrash, i cili përfshin të gjithë fëmijët, edhe për të gjithë nevojat që ata kanë”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se Bashkia e Tiranës është e fokusuar për të vijuar punën në përmirësimin e gjithë infrastrukturës në kryeqytet, si të asaj rrugore, ashtu edhe asaj sociale e arsimore. “Bashkia e Tiranës ka vendosur të punojë gjatë gjithë verës, pavarësisht fushatës zgjedhore apo pushimeve, ne do të vazhdojmë punën pa ndërprerje”, tha Veliaj. Ai shtoi se përveç përfundimit të shkollës “Betim Muço”, i cili është një investim shumë i rëndësishëm për Kombinatin, do të vijojnë punimet edhe për disa shkolla të tjera, me qëllim që të marrë zgjidhje problemi i mësimdhënies me dy turne.
Sa i takon Kombinatit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se përveç investimeve madhore, puna do të fokusohet edhe te përmirësimi dhe rikualifikimi urban i lagjeve të ndryshme të njësisë. “Mezi pres që projektet madhore të zonës së Kombinatit të fillojnë të fokusohen më shumë nëpër lagje, ku prioritet do të ketë zona e “Misto Mames” dhe zona e ‘Astirit’”, shtoi Veliaj, duke theksuar se Kombinati do të jetë një kantier ndërtimesh gjatë gjithë verës.
Ai njoftoi se shumë shpejt do të fillojnë punimet për zonën që lidh Kombinatin me Sharrën, si dhe rehabilitimi i varrezave të Sharrës. “Ka qenë një eksperiencë e vështirë për të gjithë ata që në këto vite kanë hasur problematika nga më të ndryshme në varrezat e Sharrës, duke filluar nga uji, te papastërtia, ferrat, por mbi të gjitha problemet me zaptimin e hapësirave. Ne mirë që zaptojmë tokën e të gjallëve, por zaptojmë edhe tokën e atyre që nuk jetojnë më. Kjo do të marrë fund dhe besoj për punë ditësh, do të fillojmë, siç kemi bërë model varrezat e Tufinës, ashtu do të jenë edhe varrezat e Sharrës”, tha Veliaj.
Këndi i lojërave do të shërbejë edhe si një hapësirë rekreative për më të mëdhenjtë dhe është bërë i mundur nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me UNDP dhe bizneset lokale. Në këtë shesh gjithëpërfshirës, për të gjitha kategoritë e moshave, është ndjekur e njëjta mendësi dhe standard për të rritur sigurinë e fëmijëve që luajnë dhe për të mos veçuar qendrën nga periferia në ofrimin e shërbimeve. Në dallim nga sheshet e tjera, ky shesh do të jetë edhe për fëmijët me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur (stola, hije dhe gjelbërim).