Bashkia e Tiranës nis prezantimin dhe konsultimin e projektbuxhetit 2018
Veliaj: “Buxheti më i madh në historinë e Tiranës; rrisim investimet madhore dhe ndërtojmë 19 shkolla”
Bashkia e Tiranës nisi prezantimin dhe konsultimin e projektbuxhetit 2018 me banorët e Njësisë 7, duke vijuar traditën e mirë të krijuar dy vitet e fundit, ku janë qytetarët ata që vendosin prioritetet e investimeve në lagjen e tyre. Prezantimi i projektbuxhetit do të vijojë në të gjitha njësitë administrative të Tiranës, gjatë të cilave qytetarët do mund të japin sugjerimet e tyre mbi investimet e bashkisë. Në prezantimin me banorët e Njësisë 7, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nënvizoi se projektbuxheti i 2018 është 15% më i lartë se ai i një viti më parë dhe gati 3 herë më i lartë se buxheti i vitit 2014.
“Para dy vitesh, kur bëmë buxhetin e vitit 2016 vendosëm një standard. E vijuam vjet me buxhetin e vitit 2017 dhe po e vazhdojmë edhe këtë vit. Këtë vit e rrisim buxhetin me 15% krahasuar me një vit më parë, çka bën që të jetë buxheti më i madh historik i Bashkisë së Tiranës që nga themelimi i saj”, tha Veliaj. Ai shtoi se rritja vjen si rrjedhojë e performancës së shkëlqyer në mbledhjen e taksave dhe tarifave, por kryesisht në zgjerimin e bazës së taksapaguesve, duke i dhënë fund fenomenit të trashëguar nga më parë, ku disa paguanin dhe disa jo.
“Fatmirësisht ‘jorgani’ i familjes tonë të madhe është trefishuar. Morëm një bashki me 1/3 e buxhetit dhe gjëja e parë që bëmë, vendosëm që s’do ketë diferencime, jo ca të nënës dhe ca të njerkës; pra, të gjithë do ta paguajnë ujin, të gjithë do t’i paguajnë taksat. Ishim në një situatë ku njerëzit e ndershëm që paguanin dukeshin si budallenj, sepse ca të tjerë nuk paguanin asgjë. Kështu, vetëm nga fakti që tani të gjithë paguajnë, buxheti i bashkisë u trefishua”, vijoi Veliaj.
Falë performancës së mirë dhe vullnetit për t’i trajtuar të gjithë të barabartë, kryebashkiaku u shpreh se në Tiranë, në një vit, u investua për aq sa nuk ishin bërë në 4 vite të marra së bashku. “Kemi bërë 8-fishin e investimeve që janë bërë në 4 vite të marra bashkë”, tha Veliaj. Ai shtoi se si rrjedhojë e rritjes së buxhetit, edhe investimet që do të prekin Tiranën do të rriten me të njëjtin rritëm. “Meqë jorgani është rritur me 15%, edhe këmbët aq do t’i shtrijmë. Do të thotë që edhe investimet për Njësinë 7, që këtë vit kanë qenë në një vlerë të konsiderueshme, 440 milionë, do të rriten me këtë ritëm”, vijoi Veliaj.
Duke u ndalur te investimet e kryera deri më tani, ai theksoi se është ndjekur ritmi me rreth 200 ndërhyrje në vit. Veliaj veçoi se ndërsa në dy vitet e para vëmendja iu kushtua kryesisht çerdheve dhe kopshteve, si dhe këndeve të lojërave, këtë vit vëmendja do të fokusohet tërësisht te shkollat. “Më vjen mirë që e kemi marrë me të njëjtin seriozitet çështjen e çerdheve e kopshteve dhe vitin e tretë, siç premtuam, pas çerdheve dhe kopshteve, do t’ia kushtojmë shkollave. Këtë vit bëmë 4 shkolla të reja në disa zona që kishin nevojë të ‘shfryheshin’ nga fluksi i madh, si në Kombinat me shkollën “Betim Muço”, në zonën e Pazarit të Ri “Hoxha Tahsin”, në zonën e Bregut të Lumit, “Ardian Klosi” dhe shkolla “Kosova”, tek njësia 2 që është në ndërtim”, tha Veliaj.
Por ai shtoi se, ndërsa në dy vitet e para krahasimi bëhej me atë që kishte bërë paraardhësi, tashmë për Bashkinë e Tiranës është sfidë krahasimi me vetveten. Ndaj, tha Veliaj, shumë shpejt do të nisë ndërtimi i 19 shkollave të reja. “Pavarësisht se ndërtuam në një vit 4 shkolla, ndërkohë që më përpara në 4 vjet nuk u bë asnjë shkollë e re në Tiranë, ambicia nuk është me atë që ishte më përpara, ambicia është të krahasohemi me vitin tonë më të mirë. Vitin që vjen do ndërtojmë 19 shkolla të reja në Tiranë, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e arsimit me dy turne në qytetin tonë dhe për t’i dhënë edhe kësaj lagjeje, përveç shkollave aktuale që do të rikonstruktohen, do të kemi edhe një shkollë të re shtesë, që përfundimisht Njësia 7 të shpëtojë po ashtu nga mësimi me dy turne”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj theksoi gjithashtu se gjelbërimi i qytetit mbetet një sfidë edhe për këtë vit. “Kemi vendosur një etalon fantastik për Tiranën, kemi filluar me 50 mijë pemë të mbjella në vit. Në vitin e parë mbollën 50 mijë, po e mbyllim me 50 mijë edhe 2017-ën, duam të kapim 100 mijë në 2018 dhe siç e keni parë, kemi filluar vrullshëm me liqenin e Farkës, që do jetë një park i dytë siç është liqeni i Tiranës dhe po fillojmë buzë autostradës, që gjithë Tirana të rrethohet me një mur të gjelbër, për t’u thënë njerëzve këto janë limitet e qytetit”, nënvizoi Veliaj.
Ai foli edhe për projektet madhore që ndonëse nuk prekin të gjitha njësitë në territor, ndikojnë tek gjithë qytetarët. Një prej tyre është edhe vijimi i projektit të Bulevardit të Ri. “Bulevardi i Ri është konceptuar si një lagje, ku në dallim nga herët e tjera që bëheshin njëherë pallatet e më pas rrugët, pra vendosej njëherë karroca pastaj kali, ajo që po ndodh është që po vendosim njëherë kalin, pastaj karrocën. Duke filluar nga ky vit qyteti do të shohë se si do të nisë balancimi i zhvillimit në anën tjetër; pra, kemi pasur një dyndje në këtë anë, tani do balancohemi në anën tjetër, për t’u shtrirë në një sipërfaqe të re që kemi përfituar nga Bulevardi i Ri i Tiranës”, deklaroi Veliaj.
Një tjetër projekt që prek gjithë Tiranën, por edhe Njësinë 7, është edhe ai për rehabilitimin e lumit Lana në dy anët e tij. “Lana do të duhet të vazhdojë edhe në pjesën e Shkozës, do të duhet të vijojë edhe në pjesë të Njësisë 7, pra është të themi ky kryq i madh i qytetit që e ndan qytetin në katër hapësira të mëdha banimi. Ende nuk kemi një projekt final, jemi duke diskutuar për të marrë një projekt final të Lanës, por di t’ju them që kur Lana të mos jetë më një vend hedhje plehrash, por të kthehet në një shëtitore, siç është pjesa tjetër, Njësia 7 do jetë një nga njësitë që do të shohë rritjen më të madhe të pronës”, shtoi Veliaj.
Gjithashtu, te projektet madhore ai vuri theksin edhe te ndërtimi i terminaleve të autobusëve, të cilat sipas tij do të ndikojnë direkt në trafikun e çdo njësie. “Njëri do të jetë në Jug-Lindje, që nuk lidhet me Njësinë 7, por që devijon trafikun që përfundonte këtu, do të jetë në zonën e Farkës. Ndërkohë, terminali tjetër, jemi në prag të nënshkrimit të kontratës edhe me BERZH-in, do të jetë te kthesa e Kamzës. Kështu që, do të bjerë një pjesë e madhe e trafikut që vinte te zona e doganës dhe që prekte Njësinë 7 dhe bënte një tollovi. Sot gjithsesi është më mirë me terminalin provizor pasi nuk futet i gjithë në Tiranë”, tha ai.
Kreu i bashksië renditi te projektet madhore edhe rikonstruksionin dhe vënien në punë të Piramidës, si një qendër që do i shërbejë më shumë kulturë dhe rinisë. “Për më të rinjtë do të bëjmë rikonstruksionin total të Piramidës. Piramida do të jetë Qendra më e madhe Rinore në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe e kemi konceptuar si një hapësirë ku do të ketë art, kulturë, libra, kurse kompjuteri. Në këtë sens, ky është versioni i vitit 2017 i një Pallati të Rinisë. Pra një hapësirë fantastike në zemër të qytetit, që duam ta transformojmë për të gjitha shërbimet për të rinjtë e Tiranës”, u shpreh Veliaj, duke shtuar edhe projektin Kopshtit Zoologjik dhe të Pyllit Orbital.
Ndërkohë, sa i përket projekteve konkrete që prekin direkt Njësinë 7, Veliaj theksoi mes tyre ato për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Sabaudin Gabrani 1” dhe “Gustav Majer”, ndërtimin e dy këndeve të tjera për fëmijë, ndërtimi i një pjese të Unazës së katërt, si dhe rikualifikimi urban i disa blloqeve banimi dhe i disa rrugëve. Por, ai bëri të ditur se lista e prioriteteve mund të ndryshojë për çdo njësi gjatë vitit.
Investime të realizuara në vitin 2017:
– Blloku te Dogana
– Blloku qe kufizohet nga rruga “Muhamet Gjollesha”-“Myslym Shyri”-rruga e “Kavajës”
– Blloku i banimit në rrugën “Vëllezërit Manastirli”,
– Rruga “Shefqet Musarai” dhe rruget ne bllokun 22
– Kopshtet Nr 17, 2, 26, 64
– Çerdhet 17, 24, dhe Xixëllonjat;
– Këndet e Lojrave tek rruga “Kongresi i Lushnjes” dhe Parku 1 km
– Rrjeti i ujësjellësit në zonën mes rrugëve “29 Nëntori”, “Zografët” dhe “Teodor Keko”;
– Rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Bedri Pojani”
– Rrjetin e kanalizimeve në rrugën e “Kavajës”
– Rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Naim Frashëri”
Investimet e parashikuara për vitin 2018 në njësinë Nr.7 janë:
Investime në zbatim:
– Palestra dhe sistemi i ngrohjes në shkollën 9-vjeçar “Dhora Leka”
– Biblioteka e Qytetit Nr.9
– Rehabilitimi i Unazës së Mesme” (prek edhe Nj.A te tjera 2,4,5,7,8,9,10)
Investime që do nisin:
– Rikonstruksion i infrastrukturës rrugore i bllokut kufizuar nga Fusha e Aviacionit-rruga “Anesti Lubonja”-Lumi Lana- dhe rruga “Artan Lenja”
– Rikonstruksioni i rrugës nga degëzimi i rrugës “Babë Rexha” e “Stavri Themeli”
– Rikonstruksioni i rrugëve “Kel Kodheli” dhe “Skënder Shtylla”
– Ndërtimi i Unazës 4 (segmenti rruga “Ndre Mjeda” deri tek rruga “Dritan Hoxha”)
– Sistemi asfaltim i disa rrugëve në Njësinë Administrative nr.7
– Rikonstruksioni i shkollës “Sabaudin Gabrani 1”
– Rikonstruksioni i shkollës “Gustav Majer”