Bashkia Tiranë miraton buxhetin për vitin 2026, kryetarja Ristani: Jemi afirmuar si qyteti i të ardhmes urbane
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot projektbuxhetin për vitin 2026. Në fillim të fjalës së saj, kryetarja e Komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, bëri një bilanc të investimeve të bashkisë për vitin që lamë pas. ”Viti 2025 e gjeti Tiranën jo thjesht si kryeqytetin administrativ të vendit, por si një qendër aktive evropiane të dialogut, kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.Tirana, gjithashtu, u afirmua si një qytet që mendon për të ardhmen urbane. Konferenca Ndërkombëtare Walk21 e ktheu qytetin në një laborator idesh për mobilitetin e qëndrueshëm, qytetet e ecshme dhe hapësirat publike që i shërbejnë njeriut. Gjatë vitit 2025, kemi menaxhuar 35 kontrata kryesore për rikualifikim urban”,-deklaroi Ristani. Ajo veçoi gjithashtu afirmimin e Tiranës si qendër e re e inovacionit në Ballkan.
“Në fushën e inovacionit dhe ekonomisë, expo-t dhe forumet për startup-e, teknologji dhe turizëm të qëndrueshëm sollën në Tiranë investitorë, sipërmarrës dhe profesionistë nga rajoni dhe më gjerë, duke e forcuar rolin e qytetit si një nyje e re zhvillimi në Ballkan. Mes tyre u veçua Expo finale e programit Plug and Play Tirana Accelerator, ku startup-et lokale prezantuan idetë, produktet dhe zgjidhjet e tyre të inovacionit për investitorë dhe partnerë; Takimi vjetor i komunitetit MED Cluster Annual Meetings, ku u diskutuan strategji për turizëm adaptues ndaj ndryshimeve klimatike dhe bashkëpunim mes qyteteve mesdhetare”, tha më tej Ristani.
Sa i përket buxhetit të vitit 2026, Ristani theksoi se të ardhurat totale parashikohen në 39.2 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet planifikohen të balancuara me këto të ardhura. “Pesha kryesore shkon për pastrimin e qytetit (25%), Transportin Publik (11%), dhe Arsimin Bazë (9%)”, tha ajo. Ajo tha se në fokus të veçantë do të jenë zgjerimi i infrastrukturës, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, politika sociale dhe mjedisore, si dhe ndërtimi i një qyteti me standarde europiane jetese.
“Projekt-Buxheti Afatmesëm 2026–2028 është një dokument i përgjegjshëm, financiarisht i qëndrueshëm dhe i orientuar qartë drejt investimeve, shërbimeve publike dhe mbrojtjes sociale. Ai garanton vazhdimësinë e transformimit të Tiranës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Orientimi afatgjatë i Bashkisë Tiranë mbështetet në tre drejtime strategjike kryesore:zgjerimi dhe përmirësimi i infrastrukturës publike, si në nivel kapilar në lagje, ashtu edhe në zonat e reja të zhvillimit urban;zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, i balancuar me politika sociale dhe mjedisore, që nxisin punësimin, sipërmarrjen dhe ekonominë lokale;ndërtimi i një qyteti me standarde europiane jetese, një qytet i gjelbër, gjithëpërfshirës dhe i përgatitur për sfidat klimatike dhe sociale të së ardhmes”, u shpreh ajo më tej.
Më shumë buxhet është parashikuar edhe për pastrimin e qytetit. “Shërbimi i pastrimit të qytetit për vitin 2026 parashikohet në shumën 2,110,260,263 lekë, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin paraardhës. Kjo rritje synon:zgjerimin e pastrimit me fshesë mekanike të Unazës së Madhe, me gjatësi 61,797 metra linearë në ditë;shtimin e 500 kontenierëve të rinj me kapacitet 1,700 litra, veçanërisht në zonën qendrore të qytetit”, deklaroi ajo. Edhe për këtë vit janë parashikuar të ndërtohen objekte të reja arsimore. “Në arsimin e mesëm, fondi për vitin 2026 është 2.9 miliardë lekë, duke mbështetur ndërtimin e shkollave të reja, rikonstruksionet dhe dhënien e bursave për kategori të ndryshme nxënësish.Në arsimin parashkollor dhe bazë, për vitin 2026 parashikohen mbi 5.38 miliardë lekë, duke përfshirë ndërtimin e kopshteve, çerdheve dhe shkollave të reja, si dhe pilotimin e programit të ushqimit në shkollë për 12,000 nxënës”, deklaroi Ristani.
Nisur nga kërkesat e larta, Ristani deklaroi se në vitin që vjen do të rriten kuotat e kredive të buta për strehim. “Programi parashikon subvencionimin e interesave të kredisë për 983 përfitues ekzistues dhe krijimin e 1,500 kuotave të reja të kredive të buta, me financim nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë.Kostoja për vitin 2026 është 15,000,000 lekë, duke synuar lehtësimin e barrës financiare për familjet në nevojë dhe rritjen e aksesit në strehim të përballueshëm”, shtoi kryetarja e komanduar.
Bashkia e Tiranës për vitin 2026 parashikon stimuj për 2,900 nxënës ekselentë dhe subvencionim të transportit për 65,000 studentë dhe pensionistë. “Programi i stimulit për nxënësit ekselentë përfshin 2,900 nxënës të shkollave publike të Bashkisë Tiranë, me kontribut mujor 7,500 lekë për arsimin e mesëm të ulët dhe 10,000 lekë për arsimin e mesëm të lartë. Kostoja totale për vitin 2026 është 222,030,000 lekë. Programi parashikon gjithashtu subvencionimin e plotë të abonesë së transportit urban për 40,000 pensionistë dhe për 25,000 studentë, duke përmirësuar aksesin dhe mirëqenien sociale”, nënvizoi Ristani.
KOHA JONË SONDAZH

