BE – menaxhim krizash para Krishtlindjeve
Këtë javë në BE as nuk arrihet të parashtrohen në tryezë të gjitha temat, që duhet të përmbyllen para ditëve të pushimeve. Ka një ndërthurje temash nga krizat në vazhdim.
Temat nuk mungojnë në samitin e BE-së të enjten dhe të premten (17.12 – 18.12). Edhe sa i përket çështjeve jashtë samitit programi i BE-së është i ngjeshur. Në politikën e jashtme mund t'i dilet të paktën të mbyllet një nga çështjet e hapura duke arritur në një marrëveshje për një qeveri uniteti në Libi. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier shpreson për këtë edhe pse ky vend pas kësaj do të ketë nevojë për shumë ndihmë. Në Siri megjithatë hapat për negociata janë ende shumë larg. BE-ja vazhdon të apelojë në adresë të Turqisë, që ta mbështesë vendin fqinjë Sirinë dhe BE-në në çështjen e refugjatëve.
Trupa të reja për kufijtë e jashtëm
Të martën (15.12) Komisioni i BE-së paraqet planin për një Trupë Europiane për Mbrojtjen Kufitare. Kjo trupë duhet të përfshijë një kontigjent të qendrueshëm prej rreth 1500 policësh, të cilët të jenë të mobilizueshëm shpejt dhe të pajisen me anijet dhe helikopterët e vet. Deri tani trupa për mbrojtjen e kufijve Frontex ka qenë e varur nga ndihma e vendeve anëtare dhe nuk ka pasur mandat të mjaftueshëm. Në të ardhmen Brukseli do të mund të angazhojë trupën e formuar rishtazi edhe përkundër vullnetit të vendeve anëtare, për të vrojtuar kufijtë e jashtëm. Greqia ka refuzuar në mënyrë konsekuente që të pranojë ndihmë europiane në këtë drejtim.
"Kufijtë tanë të jashtëm janë kufij të përbashkët. Së fundi ne nuk kemi qenë në gjendje, që t'i mbrojmë ato në rast nevoje", deklaron nënpresidenti i Komisionit të BE-së Frans Timmermans. Përveç kësaj në të ardhmen Frontex duhet të jetë i mobilizueshëm edhe për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar. Nisma e Komisionit të BE-së i referohet një iniciative gjermano-franceze të fillimit të muajit. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière: "Ne kemi rënë dakord në Europë, që shtetet të kujdesen për një mbrojtje të sigurtë të kufijve të jashtëm të BE-së." Kjo ka qenë baza për heqjen e kufijve të brendshëm." Ministri i Jashtëm Steinmeier thekson në Bruksel, se një forcim i Frontex-it mund të ndihmojë, për t'i kontrolluar më mirë kufijtë e jashtëm.
DWelle