Befason Gjergj Luca, i kërkon PD ta kandidojë për Bashkinë e Tiranës

Gjergj Luca i është drejtuar sërish Partisë Demokratike, partisë që ai e quan “të tijën”, duke i kërkuar që ta zgjedhë si kandidat për Bashkinë e Tiranës. Mes kësaj kërkese ai hedh idenë se pushteti vendor, e sidomos Tirana, një nga qytetet që rritet çdo ditë e që përballet me probleme të mëdha e të vazhdueshme që kërkojnë zgjidhje, nuk ka nevojë për një figurë politike, por për një administrator, për një punëtor të palodhur dhe të përkushtuar.

“Gjeni një administrator punëtor, se na mytët me njerëz politikë. Nuk janë budallenj këto të Partisë Socialiste, që kanë marrë administratoren më të mirë dhe e kanë vënë në garë për Bashkinë e Tiranës”, – shprehet Luca në një video-mesazh të bërë nga kantieri më i ri i kompanisë së tij, “Rozafa”.

Me stilin e tij ironik dhe sfidues, ai shton: “Po, merrni mor mu, ku ka punëtor më shumë se unë”.
Materialin video, Luca e ka shoqëruar me një tekst thumbues: “Ju hidhni kandidaturat për kryetar bashkie, unë hedh themelet për një biznes të ri. Po si nuk më zgjodhi një herë të vetme PD të kandidoj për Bashkinë e Tiranës, qytetit që i jap çdo ditë energji dhe punë…”
Në këtë mënyrë, Gjergj Luca, ashtu si vetëm ai di të flasë, me gjuhë popullore, të drejtpërdrejtë dhe ironike, ofroi sërish vullnetarisht veten si kandidat për kryebashkiak të kryeqytetit. Në fakt, kjo nuk është thjesht një dëshirë personale, por një akuzë e fshehur ndaj strategjisë së Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, gabon duke zgjedhur gjithmonë kandidatë politikë për Tiranën.
Për Lucën, Tirana e sotme dhe ajo e së ardhmes kërkojnë njerëz të thjeshtë, punëtorë të përkushtuar, individë që nuk humbasin kohë në ideologji, por përvjelin mëngët dhe i futen punës. Ai e shpreh hapur bindjen se PD, nëse synon të fitojë, duhet të dijë jo vetëm të hyjë në garë, por edhe të zgjedhë përfaqësues të duhur që mishërojnë ambicien e progresit dhe dinë të ndërtojnë.
Në këtë kontekst, kandidatura e ofruar prej tij është më shumë se një shaka politike, është një sinjal i fortë se Tirana, përtej retorikës dhe luftës politike, ka nevojë për menaxhim real, për një dorë pune që punon e prodhon, jo vetëm për fjalë që konsumohen në sallat e fushatave.
Albert Vataj

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?