
Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho, e konsideron tryezën e thirrur nga Presidenti Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve lokale 2027, si një test për partitë politike dhe protestuesit. Spaho tha se protestuesit duhet të organizohen politikisht dhe të testojnë mbështetjen e tyre në zgjedhje.
“Të krijojnë një formacion politik ose të dalin me kandidatë të pavarur që do të kenë mbështetjen e lëvizjes studentore”, u shpreh ai. Sipas Spahos, pa një strukturë të qartë politike, dialogu i kërkuar nga kryeministri Edi Rama mbetet i vështirë.
“Dialogu politik bëhet me përfaqësues politikë”, theksoi ish-deputeti. Spaho komentoi edhe dhunën gjatë protestave të 15 ditëve të fundit, duke u bërë thirrje protestuesve paqësorë të distancohen nga aktet e shkatërrimit.
“Pjesa më e shëndoshë e kësaj lëvizjeje duhet të distancohet që të tërheqë vëmendjen dhe dashamirësinë e qytetarëve”, deklaroi ai.
