Deputeti i PD, Belind Këlliçi: Bravo SPAK, bravo Dritan Prençi!
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë një “mea culpa” publik për deklaratat e mëparshme ndaj prokurorit të SPAK, Dritan Prençi. Reagimi i tij vjen pas kërkesës që SPAK i ka dërguar Kuvendit, ku kërkohet heqja e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Më herët, gjatë protestave kundër kryebashkiakut Erion Veliaj, Këlliçi e kishte akuzuar prokurorin Prençi se “flinte mbi dosje” dhe se “nuk kishte guxim” të hetonte Edi Ramën dhe Erion Veliajn për aferën e inceneratorëve.
Në reagimin e tij të fundit publik, deputeti demokrat pranon kritikat e mëparshme dhe sqaron arsyet që e kishin shtyrë drejt tyre: “Nuk besoj se ka politikan apo qytetar që ta ketë kritikuar publikisht prokurorin Dritan Prençi më shumë se unë. Dhe kjo kritikë nuk ka qenë as impulsive, as personale, por e mbështetur në një fakt kokëfortë: moshetimin deri në fund të aferës së inceneratorit të Tiranës dhe mosnxjerrjen para drejtësisë të dy pronarëve faktikë të kësaj grabitjeje monumentale, Edi Rama dhe Erion Veliaj”, shprehet Këlliçi.
Ai thekson se qëndrimi i tij ndryshon për shkak të mënyrës se si prokurori Prençi ka trajtuar hetimin e dosjes që lidhet me Belinda Ballukun.
“Por, për arsye se koha që kalon pa drejtësi sakaton kurrizin e stërmunduar të shqiptarëve, dhe duke i qëndruar besnik këtij parimi, sot dua ta përgëzoj prokurorin Prençi për profesionalizmin dhe guximin real në çuarjen e mega-aferës ‘Balluku’ para drejtësisë”, shkruan deputeti demokrat.
Ky qëndrim i Këlliçit vjen në një moment tensioni politik, ndërsa Kuvendi pritet të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Balluku.
KOHA JONË SONDAZH

