Belind Këlliçi: Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha vijon të habisë me qëndrimet e tij …
Lajme E Diel, 30 Gusht 2026 17:51
Nga Belind Këlliçi-
Teknicieni i kthyer në patronazhist militant, Ferit Hoxha, nuk zë mend! Vijon me etiketime e qëndrime aspak diplomatike.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha vijon të habisë me qëndrimet e tij dhe sidomos me etiketimet e fjalorin që përdor. Mësohet se në prezantimin që ka bërë në takimin e Pogradecit, duke folur për raportet dhe politikën mbi Kosovën, është shprehur se politika atje ka dritëshkurtësi!
Ndërsa lidhur me prioritetin e integrimit, ka dalluar vende të BE që nuk janë miqësore me ne, e që mund të ngadalësojnë këtë proces, ku ka veçuar Gjermaninë ‘armike’.
Kryediplomati që u paraqit si zbulim nga Rama, nuk po mëson nga gafat e tij.
Ai shkaktoi një skandal muaj më parë kur në një komunikim me bashkëpunëtorët e tij, i cilësoi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si idiotë.
Më tej, krijoi një incident me italinë, ku u shpreh se kampet e emigratëve si ato në Shëngjin do të mbylleshin.
Në të dy këto raste u deshën sqarime pa fund për të ndrequr gabimet trashanike.
Por mesa duket, Feriti vazhdon në të njëjtën linjë. Duke e cilësuar Prishtinën zyrtare me dritëshkurtësi politike, dhe duke thënë se Gjermania qenka jo miqësore me ne.
Në prezantimin e Pogradecit ai ka ngjallur habinë e të gjithëve. Nga burime serioze mësohet se është kërkuar të vijohet me shpejtësi urgjente në paraqitjet e tjera, për të tejkaluar këtë moment.
Mes shumë skandaleve dhe aferave të qeverisë, ndoshta këto gafa të kryediplomatit ngjajnë si të parëndësishme. Por Shqipëria nuk e ka luksin që të krijojë probleme me fqinjët apo aleatët, për shkak të delirit, fodullëkut apo militantizmit të Ministrit të Jashtëm
KOHA JONË SONDAZH