Belinda Balluku: Sot i dhamë lamtumirën e fundit një njeriu që nuk i druhej të vërtetës
“Sot i dhamë lamtumirën e fundit një njeriu që nuk i druhej të vërtetës dhe që guxoi të ndryshojë rrjedhën e politikës shqiptare, duke parë përtej të zakonshmes. Fatos Nano ishte më shumë se një lider; ai ishte një mendje e lirë, një shpirt vizionar që besoi te forca e dialogut, te politika si art i bashkëjetesës dhe te e ardhmja europiane e Shqipërisë. Në një kohë kur vendi kërkonte orientim, ai guxoi të mendojë ndryshe, të sfidojë të vjetrën, të hapë dritare nga të cilat hynte një dritë e re.
Figura të tilla nuk ikin kurrë vërtet. Ato mbeten pranë nesh si kujtesa e gjallë e një kohe kur fjala kishte peshë dhe vizioni merrte formë. Mbajnë frymëzimin për të gjithë ata që besojnë se ndryshimi nuk vjen vetvetiu, por nis me guximin për të thyer shabllonet dhe për të ndërtuar një rrugë të re.
“Lamtumirë, Kryetar!” – shkruan Belinda Balluku në postimin e saj, të shoqëruar me një fotogaleri nga ceremonia e lamtumirës së kryetarit historik të Partisë Socialiste. Homazhet e zhvilluara paraditen e sotme në ambientet e Pallatit të Kongreseve mblodhën mijëra qytetarë, personalitete të politikës, artit dhe kulturës, si dhe përfaqësues të vendeve mike. Shqiptarë nga të gjitha trevat, liderë vendorë e ndërkombëtarë, erdhën për të shprehur ngushëllimet dhe nderimin e tyre për atë që Fatos Nano ishte – dhe për atë që do të kujtohet: një prej arkitektëve të transformimit modern shqiptar, një figurë që la pas jo thjesht një emër, por një trashëgimi.”
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

