Kryebashkiaku Benet Beci sjell Shkodrën turistike në ritmin e gjallërimtë të një dite pushimi

Nga Albert Vataj
Përmes një fotogalerie të ngjizur me dritë, ngjyra dhe gjallëri, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka sjellë fragmente nga e diela në kryeqendrën e Veriut, një ditë që, në Shkodër, nuk është thjesht pushim, por rit, frymë dhe ritëm qyteti. Në secilën prej këtyre pamjeve përshkohet bukuria e një qyteti që jeton me kujtesë të thellë dhe frymon me një të ardhme të hapur. Shkodra, me gjithë traditën dhe kulturën e saj, duket sikur i përgjigjet vetvetes në një pasqyrë të së shkuarës dhe së tashmes, duke i dhënë secilit vizitor një arsye të re për ta bërë pjesë të dashurisë së tij.
Fotot tregojnë një Shkodër që zgjohet e mbushur me gjurmët e trashëgimisë, me hijeshinë e shtëpive-historira, me pazaret që gumëzhijnë, me lumenjtë që i japin qytetit një ritëm të qetë dhe një mendim të thellë, me lagjet ku njerëzit ndalen të përshëndesin njëri-tjetrin, me dritën që bie mbi qytet si një bekim i natyrshëm. Ato sjellin dëshmi të një jete urbane ku e vjetra dhe e reja e përqafojnë njëra-tjetrën, ku fëmijët luajnë në pedonale dhe të moshuarit tregojnë histori, ku turistët gjejnë natyrshmërinë e një qyteti që nuk e ka humbur kurrë origjinalitetin.
Kjo është Shkodra, qyteti i detit që i ledhaton horizontet, i liqenit që qetëson, i lumenjve që ndërrojnë ngjyra me stinët, i kalasë që qëndron si Roje e Shenjtë mbi shekuj. Qyteti i maleve që e mbrojnë, i fushave që e ushqejnë, i habitatit të shpendëve shtegtarë që e bëjnë një stacion të papërsëritshëm të natyrës. Qyteti i artit dhe kulturës, i teatrit dhe këngës, i piktorëve që i dhanë ngjyrë botës dhe i poetëve që i dhanë shpirt.

Shkodra është qyteti i njerëzve që qeshin me sy, i mikpritjes që nuk është zakon por instinkt, i bukurisë që nuk është e kombinuar por e lindur. Ajo është një mozaik i gjallë, një peizazh i gjërë emocioni, një thirrje e heshtur që të fton ta sodisësh e pastaj ta marrësh me vete.
Mes këtyre pasazheve të së dielës, Beci nuk sjell vetëm pamje, sjell identitet. Sepse Shkodra nuk është vetëm qytet; është përjetim. Dhe kush e ka ndier qoftë edhe një herë, e di që ajo nuk largohet më kurrë nga zemra.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?